Zëri i Amerikës: Skandali i “DH Albania” – Zyrtarët shqiptarë nuk sqarojnë shkeljet problematike të ngritura nga VOA

“DH Albania” – Zyrtarët nuk sqarojnë shkeljet problematike të ngritura nga VOA

Në një raportim të datës 9 janar, “Zëri i Amerikës” njoftonte se autoritetet shqiptare kishin favorizuar kompaninë “DH Albania” për të marrë kontratën për ndërtimin e një pjesë të “Unazës së Re” në Tiranë. Favorizimi i kësaj kompanie që dyshohet të jetë e lidhur me biznesmenin e fuqishëm Bashkim Ulaj, thuhej në raportimin e VOA, provohej nga analizimi i dokumentacionit të dorëzuar në zyrat e shtetit nga firma “DH Albania”. Autoritetet shqiptare, duke reaguar përmes Sekretariatit Teknik të Komisionit të Posaçëm të Licencimit, theksojnë se licencat për kompaninë “DH Albania” janë dhënë në përputhje me procedurat ligjore. “Zëri i Amerikës” i qëndron raportimit të saj dhe fton autoritetet të përgënjeshtrojnë me prova dy shkeljet e ngritura në lajmin e datës 9 janar.​

NOA

VOA: Ja faktet që autoritetet shtetërore favorizuan “DH Albania”

E para, aplikimi për njëjtësimin e licencës është bërë në datë 13 korrik, kur firma “DH Albania” ende nuk ekzistonte. Ajo figuron e regjistruar, në datën 18 korrik. Si e shpjegojnë autoritetet protokollimin e aplikimit dhe fillimin e procedurave të licencimit bazuar në një kërkesë anonime?

Së dyti, sipas rregullave të publikuara në vetë faqen e Ministrisë së Infrastrukturës, dokumentacioni i vihet në dispozicion anëtarëve të komisionit 3 ditë pune, e theksojmë 3 ditë pune, përpara datës së zhvillimit të mbledhjes për shqyrtimin e kërkesës. Dokumentet tregojnë se firma “DH Albania” i ka plotësuar ato më 27 korrik, ditë e premte dhe komisioni i ka miratuar të hënën, më 30 korrik. Në reagimin e tyre autoritetet shqiptare nuk u japin shpjegim këtyre shkeljeve. Që kur u bë publik skandali me firmën “DH Albania”, zyrtarët shqiptarë në reagimet e tyre janë përpjekur të shfajësohen duke u justifikuar, se e kanë të pamundur të verifikojnë, nëse dokumentet e paraqitura për tenderë janë të falsifikuara apo jo. Në reagimet e deritanishme mungon përgjegjësia për këto shkelje lehtësisht të verifikueshme.

Zëri i Amerikës / Kryeministri Rama: Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti, nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara

Në fund të dhjetorit, duke folur për rastin e kompanisë “DH Albania”, kryeministri Edi Rama deklaroi se “kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tenderë ka në të gjithë botën. Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara. Gjykohen nga mënyra sesi reagojnë në momentin kur fakti konstatohet… Për sa i përket rastit në fjalë, ku është korrupsioni që ka ndodhur, që të jem unë i qartë? Si?” u shpreh ai. Por informacionet e siguruara nga “Zëri i Amerikës”, dëshmojnë se institucionet shqiptare duket se janë vënë në shërbim të plotë të kompanisë, madje edhe në shkelje të rregullave dhe kërkesave ligjore.

Përgjigja e Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Licencimit

Referuar kronikës së publikuar nga “Zëri i Amerikës” se shoqëria “DH Albania” është favorizuar në sigurimin e licencës në zbatim përpara regjistrimit në QKB, Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Licencimit, sqaron se nga ky komision është zbatuar procedura ligjore dhe mbledhja e datës 30 Korrik 2018 ka marrë në shqyrtim aplikimin e shoqërisë “DH Albania” për njësimin e licencës së huaj, vetëm pasi shoqëria ka plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, përfshirë edhe dokumentin e pretenduar nga “Zëri i Amerikës”, aktin e regjistrimit në QKB. Sekretaria Teknike e Komisionit të Posaçëm, pasi vlerësoi plotësimin e dokumentacionit të paraqitur referoi aplikimin e kësaj shoqërie, së bashku me aplikimin e 33 shoqërive të tjera, ku paraqiteshin edhe 3 aplikime shoqërish për njehsim të licencës nga vendi i origjinës ngjashmërish me aplikimin e shoqërisë “DH Albania”, pranë Komisionit, i cili në mbledhjen e datës 30.07.2018 shqyrtoi të gjitha aplikimet që rezultonin të plota në përputhje me kërkesat ligjore. Sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje, sekretariati teknik shqyrton aplikimet që rezultojnë me dokumentacion provues, dhe nëse rezulton i plotë ja relaton Komisionit për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Në rastin konkret, sekretariati ia ka dërguar dosjen Komisionit për shqyrtim dhe vendimmarrje, vetëm pasi dosja është plotësuar me të gjitha dokumentet nga subjekti kërkues.