Naço në Sh.B.A. takohet me Zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së z. James M. Cole, dhe kongresmenët Peters dhe Engel

489
Sigal

Mbi takimet e Ministrit Naço Zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së z. James M. Cole, dhe kongresmenët Peters dhe Engel

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar të tjera takime të nivelit të lartë, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takimin e radhës Ministri Naço është pritur nga Zv/Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së z. James M. Cole.  Z. Naço i ka kërkuar z. Cole vazhdimësinë e mbështetjes përmes programeve të ndihmës në fushën e drejtësisë, nëpërmjet OPDAT, ICITAP dhe USAID, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për kontributin e këtyrë programeve në drejtim të thellimit të proceseve reformuese.  Gjatë diskutimit Ministri Naço e ka informuar z. Cole lidhur me rëndësinë që do të kishte prezenca e FBI-së për trajnime dhe veprime operacionale të përbashkëta.  “Jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe me çdo mjet. Paketa ‘Antikorrupsion’ do të na ndihmojë për ta dekurajuar këtë fenomen”, theksoi z. Naço. Z. Cole ka përshëndetur reformat ligjore antikorrupsion dhe e ka inkurajuar Ministrin Naço për t’i vijuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave Penale.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, duke sjellë si model Njësitë e Përbashkëta Hetimore.  Shkëmbimi i informacionit është cilësuar nga z. Cole si një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu gjatë takimit, bashkëbidesuesit janë ndalur edhe në rëndësinë e rishikimit dhe të plotësimit të marrëveshjeve lidhur me ekstradimet dhe transferimet.  Ndërkohë, më herët Ministri Naço ka zhvilluar takime edhe me kongresmenët Gary C Peters dhe Eliot Engel, ku ndër të tjera ka diskutuar edhe mbi proceset integruese të Shqipërisë.
Kongresmenët e kanë përgëzuar Ministrin Naço në lidhje me kursin e reformave të qeverisë por edhe të reformës në drejtësi, ndërsa kanë theksuar nevojën e rezultateve konkrete kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Gjatë takimit Ministri Naço ka kërkuar nga kongresmenët edhe krijimin e mundësive për lehtësimin e regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbi takimin e Ministrit Naço me përfaqësues të lartë të DEA-s (Administrata e Zbatimit Ligjor mbi Substancat Narkotike)

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të DEA-s (Administrata e Zbatimit Ligjor mbi Substancat Narkotike), mes të cilëve z. James Soiles. Kreu i drejtësisë shqiptare ka kërkuar ndihmën e DEA-s për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta operacionale, ndërsa e ka vlerësuar me mjaft rëndësi asistencën edhe me trajnime të specializuara. Misioni i Administratës së Zbatimi Ligjor mbi Substancat Narkotike (DEA), lidhet me zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të SHBA-së mbi substancat e kontrolluara, dhe sjelljen në sistemin e drejtësisë penale dhe civile të SHBA-së ose të ndonjë juridiksioni tjetër kompetent, të organizatave të përfshira në kultivimin, prodhimin ose shpërndarjen e substancave të kontrolluara që shfaqen ose synohen për trafikim të paligjshëm në SHBA. DEA rekomandon dhe mbështetet programet parandaluese që synojnë uljen e pranisë së substancave të paligjshme në tregjet ndërkombëtare dhe të brendshme