Zëri i Amerikës/ Agim Nesho: Në vend ka devijim të demokracisë. Në Shqipëri ka mbetur vetëm Presidenti

430
Sigal

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Agim Nesho, shprehet i bindur se në Shqipëri ka një devijim të demokracisë dhe mungesë totale të institucioneve. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Nesho tha se parlamenti në vend është jofunksional dhe Presidenca si i vetmi institucion i pakapur, po goditet. “Në Shqipëri kemi një devijim të demokracisë. Fenomeni autoritar i lidershipit është i shprehur. Kemi një mungesë totale të institucioneve. Parlamenti është jofunksional. I vetmi institucion që ka mbetur edhe ai po goditet dhe është ai i Presidentit të Republikës dhe mund të mundësonte një balancë të pushtetit. Të gjitha këto tregojnë që evidentimet nga ana e kryeministrit janë më tepër një shprehje që shoqëron retorikën e tij sesa është situata reale në vend. Vendi ka nevojë për t’iu rikthyer demokracisë funksionale dhe kjo vjen vetëm në një mënyrë, nëpërmjet zgjedhjeve të reja”, deklaroi ish-ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Agim Nesho. Duke reaguar për marrjen nga Shqipëria të kryesisë së radhës të OSBE-së, zoti Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, tha: “Mendoj se do të jetë diçka pozitive për Shqipërinë që të jetë në krye të organizatave ndërkombëtare. Përveç pozitivitetit që Shqipëria mund të luajë një rol, mendoj se ka sfida që vijnë nga disa arsye.

Së pari, është personalizimi nga liderët që janë në pushtet të politikës së jashtme. Kjo është një sfidë, sepse nuk funksionojnë në mënyrë organike institucionet që merren me politikën e jashtme, por influencohen nga vendimmarrja e liderit, i cili është në pushtet. Kjo është sfida kryesore.

Së dyti, është se çfarë duhet të tregojë Shqipëria, sepse ekzistojnë probleme të tilla; si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi ndërkombëtar, siç është ekzistenca e një narko shteti.

Të gjitha këto kërkojnë një sforco të jashtëzakonshme për të pasur kryesimin e një organizate si OSBE-ja.”