Firmoset marrëveshja, sigurimet që njihen nga Gjermania

1531
Ministri për EVropën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Gjermani. Në një status në “Facebook”, ministri Bushati shkruan se ambasadori shqiptar në Gjermani ka firmosur marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore, e cila shërben përtej fushës së pensioneve, duke përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shëndetësore, lejeve të lindjes, sigurimit për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, përfitimeve të papunësisë, familjare e shumë të tjera të parashikuara në të. “Një nga premtimet e Samitit të parë të Diasporës tashmë u bë realitet”, shkruan Bushati. Ai sqaron se ambasadori Kuko në Berlin ka firmosur marrëveshjen për mbrojtjen shoqërore, e cila shërben përtej fushës së pensioneve. Sipas ministrit të Jashtëm, kjo marrëveshje do të përfshijë disa përfitime për shqiptarët, të cilët kanë punuar e jetuar në Gjermani. Një ndër elementët më kryesorë do të jetë njohja e sigurimeve shëndetësore, lejeve të lindjes, sigurimit për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale dhe përfitimeve të papunësisë. “Qeveria shqiptare është e angazhuar që një marrëveshjeje të tillë të nënshkruaje sidomos me ato vende ku ka një prani të madhe të shqiptarëve”, shprehet Bushati. Shqipëria ka firmosur disa marrëveshje me vendet e tjerë për njohjen e pensioneve të shqiptarëve, të cilët kanë punuar jashtë atdheut. 

Si funksionon
E firmosur tashmë me 11 shtete, marrëveshja për njohjen e ndërsjellët të pensioneve u jep mundësi mijëra emigrantëve shqiptarë që kanë ndarë vitet e punës mes Shqipërisë dhe një vendi tjetër të mos humbasin kontributet e derdhura për asnjë ditë pune. Formula e përllogaritjes u mundëson në çdo rast emigrantëve marrjen e një pensioni të pjesshëm ose të plotë bazuar në totalin e viteve të punës brenda e jashtë vendit. Dhe nëse ndodhen jashtë vendit, për plotësimin e dokumentacionit që nevojitet , nuk është e nevojshme që përfituesit të udhëtojnë drejt zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri. Një shqiptar që ka vite pune edhe në Shqipëri, edhe në një vend tjetër dhe që ka mbushur moshën e pensionit p.sh është 65 vjeç, kërkesën mund ta bëjë pranë sporteleve të zyrave të sigurimeve shoqërore në vendin ku ndodhet (brenda listës së atyre me të cilët Shqipëria ka marrëveshje) dhe zyrtarisht kjo kërkesë i kalon ISSH-së në Shqipëri. Aktualisht janë në fazë diskutimi marrëveshjet me Kanadanë, SHBA dhe Anglinë, ndërsa marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë mbeten në pritje të një drite jeshile nga këto vende. Më parë janë firmosur marrëveshje me Maqedoninë, Austrinë dhe Belgjikën. Vetëm me Maqedoninë vlerësohet se rreth 300 mijë qytetarë potencialë andej e këtej kufirit do ta shfrytëzojnë e përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve. 
Sigal