‘KÇK’ nga të gjitha anët

652
Sigal

Nga Zef Preçi

Si qytetar, si votues dhe si taksa-pagues i vendit, mbështes pa rezerva çfarëdo nisme ligjore të qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese që rrit legjitimitetin e shtetit në tërësi dhe të ushtrimit të pushtetit në veçanti. Kështu edhe për sa u takon akteve ligjore të miratuara ditën e sotme nga qeveria. Mirëpo nga njoftimet e shtypit vihen re lehtë një sërë problemesh që venë në pikëpyetje gjithë nismën dhe mbi të gjitha pritshmëritë apo dobime publike te saj.
Së pari, kuadri ligjor që ofrohet nuk mbështetet në asnjë analizë të thelluar të problemeve, mangësive, arritjeve dhe dështimeve të institucioneve përgjegjëse ekzistuese në këtë fushë. E kam fjalën për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI), për Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave apo për Sektorin e Programeve në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit, në Drejtorinë e Programeve në fushën e drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë, Agjensinë e Prokurimit Publik, etj – të gjitha këto institucione të kontrolluara nga maxhoranca aktuale. I përmenda këto institucione për të thënë se vendi ynë ka të gjithë mekanizmat ligjore dhe institutionale për ndëshkimin në çdo qelizë të shtetit dhe të pushtetit të korrupsionit dhe abuzivizmit me funksionet publike, duke parandaluar kështu krimin e organizuar të penetrojë në strukturat shtetëtore dhe të përdorë institucionet për përfitime të paligjshme duke cënuar interesin publik, duke e bërë Shqipërinë vështirësisht të jetueshme. Nese do të shiheshin modelet institucionale të vendeve demokratike do të rezultonte se agjensia anti-korrupsion nuk është pjesë e ekzekutivit si tek ne (qeveria nuk mund të kontrollojë veten) apo fakti që gjatë vitit 2018 më shumë se 1/3 e procedurave të prokurimit publik (afërsisht ¼ e fondeve) janë finalizuar me një operator ekonomik të vetëm, gjë që do të ishte një sirenë alarmi për cenimin e konkurrencës në shpërndarjen e fondeve buxhetore.
Mjafton leximi vertikal i raporteve periodike dhe vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të kuptuar se sa larg ka shkuar pandëshkueshmëria e korrupsionit dhe abuzimit me fondet dhe me pasuritë publike apo me të drejtat ekskluzive të shtetit. Analiza e veprimtarisë së institucioneve të sipërpërmendura dhe të tjerave si ato ndihmon për të rritur eficensën e punës së tyre dhe të fondeve buxhetore që ato shpenzojnë përpara se të nxitohet për të ushtruar presion mbi një pushtet tjetër, të ndryshëm nga ekzekutivi siç është drejtësia.
Së dyti, edhe në këtë rast, ashtu si në një numër aktesh ligjore të miratuara katër-pesë vitet e fundit, vihet re një zgjerim i pushtetit të qeverisë mbi pushtetet e tjera, edhe pse formalisht në Kushtetutën në fuqi parashikohet ndarja e pushteteve, si kudo në botën demokratike. E thëne me fjalë të tjera, qeveria është e mandatuar nga Kuvendi i Shqipërisë për të qeverisur. Me saktë, neni 100 i Kushtetutës sonë parashikon që “Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore”, drejtime që lidhen me çështjet e organizimit politik, social e ekonomik të vendit. Nga ana tjetër, siç dihet, plotësimi i nevojave të kërkesave të qytetarëve, si dhe krijimi i kushteve më të përshtatshme të jetesës, është në thelb vetë arsyeja e ekzistencës së veprimtarisë politike. Në këtë mënyrë, politika është pushtet dhe shpërndarje burimesh, por shfaqet edhe si çështje publike dhe si “arti i qeverisjes”. Mirëpo në ndarjen gati të padukshme të pushteteve në vendin tonë, rritja e kontrollit të ekzekutivit mbi pushtetet e tjera ka dy rreziqe të mëdha. Nga njëra anë inkurajon rritjen e mëtejshme të pandëshkueshmërisë (psh ekzekutivi është tërësisht jashtë llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar), ndërsa nga ana tjetër intimidon dhe përkeqëson funksionimin e pushtetit tjetër – të drejtësisë në vend. Sipas mendimit tim, institucionet e reja të drejtësisë që po krijohen duke filluar me SPAK, Prokurorin e Përgjithshëm, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë apo institucionet e tjera rregullatore të këtij sistemi kanë nevojë të konsolidohen hap mbas hapi dhe jo të shndërrohen në shtojca të ekzekutivit. E në këtë proçes, rikthimi i besimit të publikut ndaj shtetit të së drejtës, deri edhe frenimi i braktisjes së vendit, lidhen ngushtësisht me fillimin e ndëshkimit të abuzivizmit me pronën dhe me fondet publike, i cili nga ana tjetër është në ADN-në e qeverisjes… Dmth çfarëdo nisme ligjore që i jep ekzekutivit tipare apo atribute të gjykatave nuk i shërben as krijimit të besimit të publikut ndaj shtetit të së drejtës dhe as integrimit Europian të vendit.
Nuk besoj se ka ende shumë njerëz që besojnë se rritja e kontrollit të qeverisë në rregjistrimin apo ç’rregjistrimin e tokave bujqësore, trojeve të ndërtimit dhe të aseteve financiare, apo fuqizimi i institucioneve rregullatore sektoriale në fushën e tele-komunikacioneve të medias, të sigurimeve, bankave, etj., duke anashkaluar gjykatat do të zvogelojë korrupsionin dhe përfshirjen në të, të krimit të organizuar.
Së fundi, duket shumë paradoksale dhe në drejtim të kundërt me propaganëen zyrtare fakti që institucione të rëndësishme për zbatimin e ligjshmërisë në ushtrimin e buxhetit të shtetit dhe në evidendimin e shkeljeve të zyrtarëve të pushtetit, siç është KLSH vazhdojnë veprimtarinë e tyre duke mos respektuar afatet dhe procedurat kushtetuese për zgjedhjen e titullarit të institucionit. Edhe pse jo e panjohur për mjedisin politik dhe institucional shqiptar (nuk është hera e parë që ndodh), kjo situatë nuk mund të mos ndikojë në besimin publik ndaj institucioneve dhe në të ardhmen europiane të tij. Edhe sikur Komisioni i Venecia-s të zhvendosej i tëri në Tiranë, nuk besoj se bizantinizmat që pjell çdo ditë klasa politike shqiptare do të merrnin përgjigje ezauruese, pa folur për kohën që kalon dhe bashkë te edhe venitja e shpresave të qytetarëve shqiptarë për një reformë të suksesshme në drejtësi, siç pritet akoma.