Zbardhet raporti i SHISH: Të përfshirë në kultivimin e drogës edhe kryepleq e kryetarë njësish!

231

Shërbimi Informativ i Shtetit ka mësuar fakte të reja në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike dhe implikimin në këtë skemë edhe të kryepleqve të fshatit. Raportin voluminoz që SHISH ka dorëzuar kohë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, krahas dyshimeve për përfshirjen e zyrtarëve të policisë në kultivimin dhe mbrojtjen e parcelave të kanabisit ka denoncuar edhe disa administratorë të njësive.

Sipas agjentëve të SHISH, që në raport nuk japin burimin e informacionit, thuhet se në disa zona të Shqipërisë, në jug dhe veri, disa kryetar të njësive administrative dhe kryepleq të zonave të ndryshme, të cilët janë identifikuar nga SHISH-i janë të përfshirë në kultivimin e lëndës narkotike. Disa prej tyre luajnë rolin e ndërmjetësuesve mes policisë së shtetit dhe kultivuesve, për mos prishjen dhe shkatërrimin e këtyre parcelave të hashashit. Në raport, ngrihen edhe dyshime të përfshirjes në kultivimin, ruajtjen dhe mos cënimin e parcelave me hashash edhe të disa drejtuesve të policisë, shefave të komisariateve e të krimeve dhe inspektor të zonave të ndryshme.

Për këtë fakt, mësohet se prokuroria për krime të rënda I ka dorëzuar një kopje të raportit edhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrin e Brendshme. Duke i kërkuar verifikimin e informacioneve operative dhe ligjërimin e tyre që më pas të referojnë materialet proceduese në prokurori. Por edhe pse kanë kaluar disa ditë, burimet thonë se SHÇBA-ja e ministrisë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje. Pavarësisht kësaj, mësohet se prokuroria ka nisur hetimet kryesisht bazuar në këto informacione të përpiluara në raportin voluminoz të SHISH për disa zona, për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal” në kultivimin e lëndëve narkotike.

Duke mos përjashtuar këtu edhe hetimin ndaj drejtuesve të policisë, shefave të komisariateve dhe krimeve e inspektorëve të zonave të ndryshme të cilët janë në përgjim. Nën vëzhgimin me metoda special mësohet se janë edhe disa administrator të njësive të ndryshme vendore dhe kryepleq të zonave të caktuara. Në raportin e SHISH-it që tashmë e disponon prokuroria dhe SHÇBA-ja, ndodhej edhe emri i administratorit të komunës Pult dhe kryeplakut të fshatit Kir, të cilët tashmë u arrestuan./ ABC