Zamira Çavo: “Pyetja ime për kryeministrin: A ju kujtohet janari i 2011-s?”

451
Sigal

Intervista/ Zamira Çavo, analiste: “Duhen dekriminalizuar në radhë të parë partitë tona, që të dekriminalizohet Parlamenti”

Analistja Zamira Çavo respektohet për qëndrimet e qarta, për tematikën e problemeve që trajton, por edhe për vizionin ku duhet të na udhëheqë politika, por edhe vetë ne, që të mos bëhemi spektatorë të ngjarjeve të jetës tonë, për të cilët luajnë si poker, ata që (dikur) u dhanë votëbesimin, politikanët. Dje, vështirë që maxhoranca dhe opozita të merreshin vesh me njëri-tjetrin, për rregullat më elementare te funksionimit të demokracisë, sikurse pjesëmarrje e përbashkët në Kuvend, kjo, thotë analistja Zamira Çavo në intervistën për “Telegraf”, është produkt i  “një sjelljeje bardh e zi të politikanëve, ngaqë ai që është në pozitë pretendon monopolin e së bardhës, duke nxirë opozitën dhe ai që është në opozitë pretendon legjitimimin e së bardhës!”

– Zonja Çavo, politika jonë në këto 23 vjet, përse ende ka mbetur në bardhë e zi?

– Besoj i referoheni “luftës” politike nën moton : “O me ne o kundër nesh”. Sa për spektrin politik, ka shumë parti, shumë emra shumë ngjyra, por me një sjellje bardh a zi! Pra, problemi qëndron te sjelljen e tyre politike dhe këtu mendoj se ne shqiptarët kemi problem të mëdha. Të pamësuar me konceptin e lirisë mendore, ne sillemi të papërgjegjshëm duke kaluar nga ekstremi në ekstrem; ose i bindemi verbërisht Njëshit (liderit), duke urryer, në mënyrë gati patologjike, kundërshtarin, ose kërkojmë liri, duke mos pyetur për ligjin e shtetin! Kjo ka të bëjë me trashëgiminë tonë historike.

Kush e ka privilegjin e së bardhës dhe cilët eklipsohen në të zezë nga kjo politikë?

– Askush. Është thjeshtë një perceptim i gabuar, pasi e bardha dhe e zeza në politikën tonë zakonisht perceptohet në këndvështrime bardh e zi. Pra, ai që është në pozitë pretendon monopolin e së bardhës, duke nxirë opozitën dhe ai që është në opozitë pretendon legjitimimin e së bardhës!

– Çfarë rotacioni u bë në 23 qershor 2013?

– Mendoj se duhet të nënvizojmë një ndryshim thelbësor: me 23 qershor fitoi vullneti për të bërë Shtetin! Pastaj, mënyra se si po shprehet ky vullnet, kërkon debat të gjerë e që me siguri krijon dhe mendime të ndryshme. Qeverisjes aktuale i ka rënë barra e ringritjes së institucioneve, e ringritjes së besimit të qytetarit ndaj shtetit dhe mbi të gjitha e funksionimit normal të një shteti. Pra, në një kuptim, kjo qeverisje kapërcen faktin, që duhet të sillet si e majtë, është një sjellje kjo e detyruar për shkak të kushteve tona reale. Por, nga ana tjetër shteti ndërtohet për t’i shërbyer qytetarëve. Kjo do të thotë se shteti nuk duhet të shndërrohet në “gogolin” që tremb qytetarin, pasi ne shqiptarët e kemi nga historia të gabuar raportin me shtetin. Gjithnjë e kemi konsideruar larg nesh dhe kundër nesh. Ndaj dhe ringritja e shtetit ka nevojë për ringritje të besimit të qytetarit ndaj tij. Shqipëria ka nevojë për të luftuar varfërinë, dhe kulturën primitive politike. Politikat sociale mbështetëse duhet të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë, po aq sa angazhimi për reforma!

Çfarë ndjesie ju ngacmojnë thëniet në kor edhe të maxhorancës edhe të opozitës, kur ngjiren se do të luftojnë korrupsionin edhe të zyrtarëve të lartë, kur ende një dosje akuze nuk ka mbërritur në ….gjykatë?

– Pushteti i pushtetarëve duhet holluar. Duhen krijuar instrumente, me të cilat qytetari vendos për gjëra që i interesojnë e që prekin interesat e tij. Personalisht nuk besoj në strategji të qeverisë kundër korrupsionit, kur unë, si qytetare, mbahem larg! Si mund të luftohet korrupsioni, kur kontrolli i publikut nuk ekziston. Mbi të gjitha, nuk ka transparencë! Nuk ka të dhëna! Statistikat tona janë fare të pabesueshme. Le të marrim energjinë elektrike. Cili qytetar e ka të qartë se si funksionon sistemi? Ama qytetari e shikon se bizneset e mëdha sërish favorizohen dhe energjia rilidhet me “urdhër nga lart”. Kjo e favorizon edhe më shumë perceptimin negativ të njerëzve për nivelin e korrupsionit dhe bashkë me të dhe mungesën e besimit te shteti. Cili qytetar e di sa është shifra negative që ka shkaktuar kolaps në energjinë elektrike, si pasojë e çmimit shumë të lartë të blerjes së energjisë nga  koncesionet private???

Ju, çfarë ndjesie ju lind kur dëgjoni me të madhe, nga çdo maxhorancë, që “do të ndërmarrim reforma të thella…”?

– Nuk kam ndjesi. Kam bindjen se reformat janë të nevojshme, edhe pse në ndonjë rast të dhimbshme. Por ama reformat kanë rregullat e tyre. Së pari, duhet pritur të japë rezultatet dhe, së dyti, duhen ndërmarrë në kushtet konkrete të vendit tonë. Paqëndrueshmëria ligjore sjell veç shkatërrim të shtetit dhe sigurisht dhe rrënim të gjendjes së tij ekonomike. Veç kësaj, mendoj se reforma ka nevojë edhe për njerëz të aftë, sepse reformat nuk i bëjnë dhe zbatojnë njerëz të pakualifikuar.

Përse politika jonë përherë është një ndeshje futbolli, që kërkon gjithnjë një arbitër ndërkombëtar?

– Është historike kjo… e kemi në kulturën tonë që nuk na pëlqen mendja e të “barabartit” me ne, ndaj duam dikë jashtë nesh…

A mund të quhet demokraci mirëfunksionale kjo e jona, kur populli voton listën e kryetarëve të partive për në Parlament?

– Besoj e ka përgjigjen vetë pyetja tuaj.

Derisa edhe kryetari i Parlamentit pranoi që do të dekriminalizojë Parlamentin, cila është ndjesia juaj: Përse u lejuan kriminelët të futen në Parlament?

– Shumë spekulohet me këtë. Duhen dekriminalizuar në radhë të parë Partitë tona, që të dekriminalizohet Parlamenti. Personalisht, mendoj se kjo do arrihet kur transparenca të jetë efektive dhe jo fiktive dhe kur drejtësia të jetë vendosur në shinat e Drejtësisë!

Çfarë pyetje do t’i bënit kryeministrit Rama, që t’ju përgjigjet më 31 janar?

– A i kujtohet JANARI I 2011-ës?? Shpresoj t’i kujtohet….

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA