“Rama dhe Çako pengojnë vetingun në polici”

425
Intervista/ Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, flet për emisionin “Studio e Hapur” në “News 24”
Situata aktuale politike është mjaft e nxehtë. Opozita gjithashtu ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit, është fokusuar te çështja Habilaj, çështja Sota, çështja Tahiri. Ka pasur akuza dhe kundërakuza, si e shikoni këtë situatë?
“Për shqiptarët është një situatë e vështirë, qoftë ekonomike, qoftë politike, ndërsa për klasën politike do ta quaja një çorbë të ngatërruar, që si i miri dhe i keqi bëhen pis, dhe pavarësisht nga kjo, do të mbajnë të gjithë përgjegjësi bashkë. Për arsyen se gjendemi përballë një fakti të kryer, përballë një fakti që vjen si rezultat i partnerëve ndërkombëtarë, nuk vjen si rezultat, as si i Prokurorisë shqiptare dhe as i politikës shqiptare, as si rezultat i institucioneve shqiptare, por si rezultat i institucioneve ndërkombëtare, të cilëve u ka ardhur në majë të hundës për mënyrën se si qeveriset Shqipëria dhe për mënyrën se si Shqipëria po bën politikë. Dhe vjen një moment që ata nuk durojnë më dhe shpërthejnë, i ofrojnë klasës politike një situatë të tillë në tryezën tonë, e cila është shumë e rëndë. Tregon se si jeta politike shqiptare është e kapur dhe tregon se si jemi të gjithë me këmbë dhe duar të lidhura, sepse, nëse duam të reagojmë, do ta kemi shumë të vështirë për të reaguar. Ndërsa për shqiptarët do të thosha se kjo është një fatkeqësi shumë e madhe, sepse shqiptarët nuk duan t’ia dinë fare se çfarë problemesh ka klasa politike, kur shqiptarët duan punë, duan bukë, duan shkollë, duan mirëqenie, duan standarde, duke parë që shpenzimet e jetesës janë rritur jashtëzakonisht shumë. Të ardhurat e tyre nuk janë rritur, janë të njëjtat, si përpara katër vjetëve. Varfëria tashmë është ulur këmbëkryq dhe shqiptarët, përveçse ndihen të lodhur, të zhgënjyer e të rraskapitur, por ndjejnë dhe neveri për politikën. Edhe unë vetë herë pas herë, ndihem ,jo vetëm në faj, por e vendos veten time në pozitat e një njeriu që është jashtë jetës politike dhe e kuptoj se çfarë neverie ndjejnë shqiptarët për politikën. 

Cili është roli i opozitës në këtë fazë?
Sigurisht që roli i opozitës është shumë i rëndësishëm dhe kërkon një opozitë të fortë, të strukturuar, të organizuar, sepse sa më e fortë është opozita, aq më e fortë është demokracia në vend. Aq më e fortë është opozita, aq më i dobët është krimi që kap institucionet e shtetit. Duke pasur një opozitë të dobët, normalisht që qeveria do të bëjë çfarë t’i dojë qejfi dhe nga ana tjetër, segmentet e krimit të organizuar do ta kenë shumë më të lehtë për të uzurpuar dhe për të kapur institucionet e shtetit. Unë shpresoj dhe besoj te mënyra e funksionimit që tashmë kemi filluar të rakordohemi dhe të organizohemi. Nuk është e thjeshtë, sepse edhe situata është e tillë, në të gjithë këtë pazël dhe kornizën që ka jeta politike shqiptare po mblidhen shumë faktorë, po mblidhet politika, po mblidhet parlamenti, po mblidhet shoqëria civile. Mediat janë gjithashtu të rëndësishme, të cilat po krijojnë figurën e plotë të opozitës. 

A po prodhohen skandale nga opozita thjesht për qëllime politike?
Opozita fjalën ka, ka aksionin politik. Opozita nuk ka as firmën, as vulën siç e ka qeveria. Rasti i z.Tahiri tregonte hapur dëshirën dhe vullnetin politik që do të kishte mazhoranca për të treguar që është e gatshme për të realizuar një reformë në drejtësi dhe për të qenë e gatshme për të vendosur përpara drejtësisë krimin e organizuar. Unë nuk mendoj që opozita po krijon tymnaja, sepse të gjitha çka kanë lidhje me dosjen “Habilaj”, apo mos arrestimi i tre drejtuesve të policisë nuk ka të bëjë me opozitën. Nuk tha opozita që të mos arrestoheshin, nuk i njoftoi opozita që të iknin dhe të arratiseshin nga Shqipëria. Po të kthehemi mbrapa në kohë dhe të shikojmë se çfarë ndodhi me argumentin që jepte mazhoranca dhe me argumentin që jepte opozita për heqjen e imunitetit dhe ndalimin e z.Tahiri tregoi që situata do të ishte komplet ndryshe. E gjithë ajo zvarritje, e gjithë ajo paradë e madhe e mbrojtjes së Komisionit të Verifikimit të Mandateve, tregoi, që ishte thjesht një fitim kohe që iu bë, jo vetëm z.Tahiri, por edhe të gjithë dëshmitarëve që mund të ishin të penduarit, ose që mund të ishin dëshmitarët, ose që mund të ishin faktet dhe provat që implikonin, jo vetëm ish-ministrin e brendshëm, por edhe shumë institucione të tjera. 

Për personat që janë aktualisht në kërkim, domethënë janë arratisur, kush e ka dekonspiruar sipas jush, sipas informacioneve, nëse keni të tilla?
Dekonspirimi fillon që në momentin që nuk iu dha e drejta Prokurorisë në komisionin verifikimit të mandateve dhe në parlament gjë që ishte absurde. E dyta, më pas vjen mënyra sesi është proceduar, unë nuk jam juriste, por në aspektin politik, bërja e një analize të tillë, tregon që është shumë e thjeshtë, sepse personat që janë përfshirë, janë personat që kanë bërë veprat penale dhe e dinë më mirë. Se nuk ka marrë Saimir Tahiri shportat me kanabis dhe i ka çuar në Itali. Kanë qenë grupet kriminale që i kanë bërë, por ka qenë policia ajo që po themi ka pastruar territorin, ka krijuar zonë të pastër që të lëvizin në mënyrë të lirshme grupet kriminale dhe normal, që kush ka qenë drejtor i policisë në Vlorë, Gjirokastër etj, i ka gjërat shumë të qarta. Ne po dëgjojmë për tre apo katër veta, të cilët janë arratisur, por sa të tjerë mund të ketë të përfshirë, të cilët janë të larguar dhe nuk janë.

Pra ju thoni që praktikisht e kanë ditur..
Unë mendoj që në momentin që filloi të diskutohej çështja Tahiri në Parlament, të gjithë janë larguar. Problemi qëndron sa ka qenë bashkëveprimi me drejtoritë e policisë për të mos lejuar personat e implikuar për t’u larguar nga Shqipëria ose sa ka qenë e implikuar tashmë policia që i ka lejuar këta drejtues të policisë të largohen nga Shqipëria. Nuk di çfarë të them, se nuk e di deri ku shkon bashkëpunimi i prokurorisë me policinë, ndërsa policia mund të këtë çuar njoftime që këta persona të mos dalin jashtë Shqipërisë dhe ata kanë dalë, pasi prokuroria ka çuar njoftimin, por unë jam koshiente, që absolutisht personat janë njoftuar. Ne e kemi shumë të qartë rastin e Xibrakës, i cili njoftoi Genc Xhixhën për t’u larguar.

Mendoni që nuk do bëhen më të gjallë këta persona?
Problemi është, sa policia do të jetë e aftë për të lëshuar një urdhër arresti në vendet ku ata janë, sepse ata dihen shumë mirë ku janë, i di dhe policia, i di dhe prokuroria.

Ju e dini ku janë?
Unë kam përshtypjen se këtej vërdallë do jenë në rrethinat e Shqipërisë, rreth kufirit të Shqipërisë. Nuk e kam idenë tamam, por afër janë dhe, nëse policia shqiptare do të jetë e vendosur për t’i ndaluar dhe për t’i arrestuar jam e bindur që e bën, sepse ka bashkëpunim, qoftë me Greqinë, qoftë me Turqinë apo dhe me Italinë. Edhe me Australinë mund ta realizojnë po të duan. 

Ju edhe në këtë studio pak muaj më parë keni akuzuar policinë, se është përfshirë më blerjen e votave..
Argumenti i LSI ishte i drejtë.
Mazhoranca nuk e pranon këtë…
Mazhoranca nuk e pranon këtë, po na dalin deputetë që kanë përfshirë fëmijë gra e burra në transportin e kanabisit. 

Kush janë këta znj. Kryemadhi?
“Mediat e kazanit” i kanë cilësuar sot..
Po thosha që keni folur pra, për blerjen e votave nga ana e policisë, që kanë qenë të përfshirë, sipas jush, por mbi të gjitha, ministri aktual i brendshëm ka premtuar Veting në Polici. Besoni në këtë proces. 

Unë besoj te z.Xhafa dhe besoj që është një punë shumë e vështirë, por ashtu sikurse besoj te vullneti i mirë që ka ai për të realizuar diçka ashtu dhe nuk besoj tek vullneti i z.Rama për të mos e lejuar z. Xhafa për të bërë Vetingun në polici, sepse ai nuk mund të bëhet duke qenë Haki Çako drejtor i përgjithshëm i policisë. Deri sa ai të jetë drejtor i përgjithshëm harrojeni që mund të ketë Veting në Polici.

Nuk besoj se z. Xhafa ka qenë i detyruar për t’u bërë Ministër i Brendshëm…
Unë nuk besoj se ka qenë i detyruar, se pozicioni politik që ka z. Xhafa nuk ka të bëjë as me detyrimin të tij ndaj z.Rama apo anasjellas. Unë mendoj që Ministri i Brendshëm ose ministri i rendit publik siç e quajmë ne është një post politik, por mos harrojmë që policia e shtetit drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i policisë dhe jam shumë skeptike për sa i përket Vetingut në Polici që ka të bëjë, kur personi i parë që duhet të mbajë përgjegjësi, ka drejtorë policie që janë sot në kërkim, të larguar, të arratisur e drejtorit të policisë nuk i ndodh asgjë. Sigurisht që është i kapur nga kryeministri që është koka e krimit të organizimit në Shqipëri ose më fal mund të them që është peng i krimit të organizuar.

Së fundmi po flitet gjithmonë e më tepër për procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri, mandati i z. Llalla mbaron në fillim të dhjetorit. Debati dihet tani për të mos humbur minuta, duket mazhoranca me votat e veta të zgjedhë atë që quhet kryeprokuror i përkohshëm. Keni një qëndrim ju për këtë proces?

Unë personalisht si individ gjithmonë kam qenë person që nuk më kanë interesuar zgjedhjet apo individët në këtë proces qoftë në gjyqësor apo qoftë në prokurori duke pasur parasysh që gjithnjë është një institucion ose një sistem ku disa njerëz janë të kënaqur e disa jo. Unë do të thosha që reforma në Drejtësi u bë me moton e të ashtuquajturit depolitizim, për ta çliruar pra nga kthetrat e korrupsionit e nga ndikimet. Por në të vërtetë ndodhi që reforma në drejtësi nuk paska qenë gjë tjetër veçse një instrument kalimi. Ndodhi një gjë e tillë që hodhi poshtë pra e rrëzoi. Ne sot e kësaj dite nuk kemi ende një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Njerëzit nuk e dinë pse nuk u mblodh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. E di ju pse? Sepse shoqëria civile nuk ka kandidatë. Formacioni Soros është një nga fondacionet që ka investuar më shumë nga të gjithë në shoqërinë civile. Tani nuk paskan një kandidatë për ta çuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë? Janë dy rrugë. E para, ose nuk kanë një listë të pastër me integritet dhe kredibilitet, pra të palyer qoftë me korrupsion, afera apo lidhje të dyshimta. E dyta, e kanë bërë të qëllimshme që të mos bëhet e të mos ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mënyrë të tillë që të kenë një instrument për të kapur institucionin e Prokurorisë thjesht sa për të kaluar këtë situatë që ka të bëjë me çështjen Habilaj. Me këtë duan t’i tregojnë shqiptarëve që parlamentin e qeverinë e morën, por do marrin edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

Fondacioni është i përfshirë në këtë pjesë?
A e ka bërë fondacioni Soros reformën në Drejtësi? Sigurisht që po. Politikanët kanë marrë çfarë u kanë sjellë dhe u paguan nga fondacioni Soros. Problemi qëndron këtu. Ky fondacion që kishte gjithë këto kapacitete të mëdha për t’i propozuar dhe për të qenë ekspertë në reformë, nuk paskan një anëtar për ta propozuar për bordin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo, ose është e qëllimshme ose kanë qenë aq të nxituar për t‘i bërë veprimet, por nuk kanë bërë llogaritë që nuk kanë asnjë kandidat në të gjithë Network-un ose nuk gjejnë dot kandidat të kontrollueshëm.
Sigal