Kukësi kërkon fitore me çdo kusht në Laç, kurbinasit për vazhdimësinë pozitive

531
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Nga Laçi e Vlora starton sot java e 12-të, të hënën kryesfida: Partizani-Skënderbeu
Java e 12-të e Kategorisë Superiore, do të nisë sot në ora 14:00, ku në stadiumin e Laçit do të jetë mysafir Kukësi, Kampioni në fuqi. Skuadra e Laçit ka një vazhdimësi pozitive në këto 11 javë të luajtura, edhe pse në përbërje ka shumë lojtarë të rinj dhe në fazën e parë ka ndryshuar trajnerin. Në ndeshjen e javës së 11-të, barazimi në transfertë ndaj Luftëtarit, e ka rritur optimizmin në radhët e kurbinasve, dhe sot pritet një tjetër rezultat pozitiv ndaj Kukësit. Për trajnerin Gentian Mezani, rëndësi ka se skuadra do të jetë e plotë, pasi do të rikthehen Ademir pas dëmtimit dhe Sefgjini pas pezullimit. Te Laçi shpresojnë që të shfrytëzojnë momentin jo të mirë që po kalon ekipi kuksian, për t’i shkëputur pikë, të cilat do t’i jepnin më shumë siguri skuadrës në tabelën e klasifikimit. Nga ana tjetër, skuadrës së Kukësit i duhet vetëm fitorja në këtë sfidë, pasi vjen pas 4 ndeshjeve që nuk i ka shijuar tri pikët. Vetë trajneri Milinkoviç, ka qenë në emocionet e shkarkimit pas kësaj situate, kua skuadra rendite në vendin e 3-të me 19 pikë, ndërsa Laçi renditet në vendin e 5-të me 15 pikë. “E kemi ndjekur në disa ndeshje Laçin, dhe ata kanë një ecuri të mirë në këto 11 javë. Fushë e tyre është e fortë dhe nuk e mendojmë të jetë e lehtë për synimin tonë. Laçianët kanë një lojtar shumë të mirë dhe të rrezikshëm, por ne nuk kemi mundësi të tjera veç fitores. Duhet ta fitojmë me çdo kusht këtë sfidë”, kështu ka deklaruar Milinkoviç në mediet sportive online, duke e bërë edhe më interesante sfidën e sotme me Laçin, e para e javës së 12-të, e cila vazhdon në mbrëmje me ndeshjen Flamurtari-Teuta. Vlonjatët po kalojnë një situatë shumë pozitive, e kështu është rikthyer edhe Teuta, por nisur nga renditja, vlonjatët sot do të kërkojnë fitoren, duke menduar edhe më shumë afrimin me Skënderbeun e vendit të parë, i cili të hënën luan në Tiranë me Partizanin.
Ndeshjet-Java e 12-të
Datë 25 nëntor 2017 
Laçi-Kukësi 14:00
Flamurtari-Teuta 17:00
Datë 26 nëntor 2017 
Vllaznia-Luftëtari 14:00
Kamza-Lushnja 14:00
Datë 27 nëntor 2017 
Partizani-Skënderbeu 17:00 
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 11 27
2. Flamurtari 11 20
3. Kukësi 11 19
4. Kamza 11 17 
5. Laçi 11 15
6. Partizani 11 14
7. Teuta 11 14 
8. Vllaznia 11 9
9. Luftëtari 11 9
10. Lushnja 11 5
Sigal