Zaev propozon zgjedhje në qershor

296
Sigal

Maqedonia e Veriut tashmë dy muaj funksionon në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të epidemisë, tre muaj është pa Kuvend dhe katër muaj me qeveri teknike, për të cilën arsye lideri i partisë në pushtet LSDM, Zoran Zaev, konsideron se është koha për mbajtjen e zgjedhjeve të caktuara parlamentare për në muajin Prill, më pas të anuluara.

Si arsye theksoi se janë të nevojshme institucione funksionale, Qeveri dhe Kuvend, para valës së dytë eventuale të infeksionit, në vjeshtë, për arsye ekonomike dhe demokratike.

“Qëndrim i përbashkët i koalicionit është që shfrytëzohet momenti i lehtësimit të virusit korona dhe stabilizimi i pandemisë dhe të votohet në mes të muajit Qershor. Motivon fakti që misioni i ODIHR paralajmëron se mund të organizojë dhe të dërgojë mbikëqyrës”, është shprehur ai.

Zaev me këtë propozim të do të marrë pjesë në takimin e liderëve te presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, të martën, në emër jo vetëm të partisë së tij por edhe gjithë koalicionit që graviton rreth LSDM-së, me emër të përbashkët “Mundemi”.

Opozita është e përmbajtur rreth datës së zgjedhjeve, gjë për të cilën para fillimit të krizës korona insistonte të mos anulohet. Nënkryetari Aleksandar Nikolovski këtyre ditëve e përsëriti qëndrimin se për partinë më i rëndësishëm është shëndeti i qytetarëve.

“VMRO-DPMNE do të kërkojë zgjedhje në atë moment kur do të jemi të sigurtë se asnjë person në votime nuk do të sëmuret nga virusi. Kjo është thelbësore për ne, sepse ne nuk kemi nevojë për pushtet në qoftë se në zgjedhje në cilat e kemi fituar pushtetin infektohen me qindra persona dhe mos dhashtë Zoti të vdesin dhjetëra persona”, theksojnë nga opozita.

Para disa ditëve edhe nga ana e BDI-së shprehën qëndrimin se partia ka dy kushte para se të pajtohet për organizimin e zgjedhjeve.

“Së pari Komisioni për sëmundje ngjitëse të thotë se procesi i tillë nuk do ta rrezikojë shëndetin e qytetarëve dhe e dyta OSBE/ODIHR të konstatojë se mund t’i ndjekë zgjedhjet.”

Në lidhje me mbikëqyrjen ndërkombëtare të procesit zgjedhor, për të cilin ish-kryeministri Zaev e propozon datën 14 Qershor, ai shtoi se është i motivuar nga paralajmërimi i ODIHR se për këtë periudhë mund të organizojë dhe të dërgojë mbikëqyrës në Maqedoninë e Veriut.