Ylli Bufi: Si ndryshoi sistemi në proporcional rajonal

1186
Ish-kryeministri Ylli Bufi, në librin e tij “Tempulli i demokracisë”, është ndalur në ndryshimin e sistemit zgjedhor për votimet parlamentare të vitit 2009. Ndryshimi i sistemit zgjedhor në vitin 2008 u kundërshtua ashpër nga LSI dhe sistemi proporcional rajonal u zbatua për herë të parë, një vit më pas.

“Edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u shtrua si domosdoshmëri nevoja e përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe e përmirësimit të procedurave për administrimin më të mirë të rezultatit zgjedhor. Reforma zgjedhore u konsiderua si një komponent e rëndësishme e procesit të anëtarësimit në NATO dhe prioritet kyç i partneritetit evropian. Pas debateve të shumta dhe vështirësisë së dialogut midis forcave politike, u arrit që në prill 2008, parlamenti miratoi një paketë ndryshimesh kushtetuese bazuar në konsensus mes dy partive më të mëdha, mbi sistemin zgjedhor. Si pjesë e ndryshimeve kushtetuese, sistemi zgjedhor shqiptar, ndryshoi nga një sistem i përzier në një sistem rajonal proporcional (140 vende përfaqësimi proporcionale të zgjedhur nga listat partiake në rajonet që i korrespondojnë ndarjeve ekzistuese administrative). Partitë më të vogla e kundërshtuan këtë ndryshim, duke pretenduar që kjo mund ti përjashtojë efektivisht ato nga Parlamenti. Por për partitë kryesore ishin 14 arsye që i çuan ato në zgjedhjen e sistemit proporcional rajonal (sipas K. Islamit, bashkëkryetar i Komisionit parlamentar të reformës zgjedhore): “Sepse votimi në sistemin proporcional rajonal është më i thjeshtë; Sepse shmanget me dy raunde; Sepse ‘peshon’ drejtë të gjithë partitë politike dhe dekurajon presionin e partive ‘të vogla’; Sepse garanton përfaqësim të drejtë dhe qeverisje të qëndrueshme; Sepse nuk eliminon partitë e vogla, nuk krijon sistem bipartiak, por konsolidon sistemin politik; Sepse i jep mundësi votuesit të përzgjedhë programin, ekipin, liderin; Sepse forcon rolin dhe kohezionin e partive politike; Sepse demotivon gjeneruesit individualë të tensioneve zgjedhore; Sepse krijon mundësi reale për promovimin e grave; Sepse shmang ndarjen e zonave zgjedhore të tipit ‘salamandër’; Sepse zhduk iluzionin e diferencave veri-jug; Sepse garanton respektin për partitë me përqendrim territorial; Sepse i jep prioritet programeve të zhvillimit kombëtar e rajonal; Sepse përfundimisht eliminon dukurinë negative të Dushkut…’.

Kodi i ri Zgjedhor u miratua në mënyrë konsensuale prej PD dhe PS në dhjetor 2008. Ligji i ri zgjedhor përcaktoi të gjitha rregullat e nevojshme për zbatimin për herë të parë në Shqipëri të një sistemi proporcional. Kështu, sipas ligjit të ri, zona zgjedhore përputhet me territorin e qarkut dhe shërben si njësi zgjedhore për zgjedhjen e një numri të caktuar mandatesh, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin zgjedhor. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zone zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar të shtetësave. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi. Në rast se në përfundim të veprimit një ose disa mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi.

Numërimi i fletëve të votimi bëhet në Zonat e Administrimit Zgjedhor, që ngrihen dhe funksionojnë për çdo lloj zgjedhjeje dhe referendumi. Juridiksioni territorial i ZAZ-ve si rregull është i njëjtë me rrethin administrativ. Rrethet që kanë më shumë se 70 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen në më shumë se sa një ZAZ. Asnjë Zonë Administrimi Zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy ose më shumë qarqe apo rrethe të ndryshme brenda të njëjtit qark. Bashkitë që kanë më shumë se 40 mijë shtetas me të drejtë vote përbëjnë një ZAZ më vete, kur numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote në shkallë rrethi është më i madh se 70 mijë. Në bashkitë që kanë mbi 100 mijë shtetas me të drejtë vote mund të krijohen dy ZAZ më vete, me numër të barabartë zgjedhësish, si dhe duke ruajtur vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit të zonave të qendrave të votimit. Për Bashkinë e Tiranës secila nga njësitë bashkiake përbën ZAZ më vete”.
Sigal