Taksat e rritura: Në 7 vite shqiptarët paguan 4.2 miliard euro më shumë

228
Sigal

Ekonomia shqiptare është mbërthyer nga kriza më e madhe e 30 viteve të fundit të tranzicionit. Edhe pse 97% e qytetarve kanë paguar 4.2 mld. euro më shumë se në 2013, shqiptarët janë më të varfër, investitorët janë larguar dhe papunësi është në nivelin më kritik.Buxheti financon vetëm 38% të investimeve publike ,pasi miliardat e taksave shkojnë për të paguar koncesionet e klientëve të “Rilindjes”

Shqiptarëve nuk mund t’ua hedhë më Rama. Bashkë me dy ministra Finance doli për të folur për fushën në të cilën ka dështuar më shumë: EKONOMINË.
Në këto 7 vite: 97% e shqiptarëve kanë paguar 4,2 mld euro taksa të rritura.
Investimet e huaja kanë rënë nivele minimale dhe vetëm 6 muaj e fundit kanë rënë me 100 mln euro. Çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv. Shqipëria ka rënie të prodhimit industrial me 11.2%. Shqiptarët besojnë gjithnjë e më pak se ekonomia do të ecë pozitivisht  në vitet në vijim. Besimi në ekonomi ka rënë me 50.2 pikë minimum historik qe kur eshte krijuar treguesi. Korrupsioni ka arritur nivelet më të larta me 7,2 mld euro të certifikuara nga KLSH.
Borxhi po arrin në nivelin  90% së bashku me faturën korruptive të koncesioneve.
155 mln euro vendime nga arbitrazhi, dëme te shkaktuara nga papërgjegjshmeria dhe interesat personale dhe qe do i paguajnë shqiptarët nga xhepat e tyre. Dhe çfarë bën sot Rama? Riciklon figurat dhe premtimet e vjetra për ulje taksash! Ai vërtet i mendon shqiptarët me memorie të shkurtër por gabohet. Tashmë shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen për ofertën ekonomike dhe zgjidhjen për krizën në vend. Ne nuk bëjmë propagandë. Ne flasim me fakte. Ne kemi ofertën tonë konkrete që nxit konsumin, rrit të ardhurat dhe prodhon një shtresë të mesme. Ofertën që mundëson një ekonomi prodhuese dhe në shërbim të qytetarit. Ne ofrojmë mundësinë që taksat e shqiptarëve mos të vidhen nga koncesionet dhe PPP-të. Shqipëria në Punë është vizioni që na drejton dhe frymëzon për të qenë konkurues jo me një forcë politike anti-biznes, por të konkurueshëm me rajonin.

Buxheti financon  vetëm  38% të investimeve publike

Qeveria  kishte programuar të financonte nga fondet e buxhetit 2020 për investime rreth 2252 projekte gjatë gjithë vitit, por deri në korrik janë financuar vetëm 872 prej tyre, ose 38.7% e totalit të projekteve të planifikuara, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të publikuara  nga  Drejtoria e Thesarit. Nga fondi i vënë në dispozicion janë shpenzuar 37.7 miliardë lekë gjatë 7-mujorit, teksa ka mbetur pa u përdorur ende, rreth 60% e fondit total.

Siç shihet nga të dhënat e 7-mujorit, shpenzimet buxhetore për investime publike do të ndjekin rutinën e përvitshme, duke përqendruar disbursimet në fund të vitit, edhe pse në ligjin organik të buxhetit janë miratuar një sërë kufizimesh që adresojnë përdorimin e njëtrajtshëm gjatë gjithë vitit.

Nga të dhënat e detajuara, disbursimet kanë pasur ecuri më të mirë për investimet në infrastrukturën rrugorë dhe në financimin e kontratave koncesioneve në rrugë dhe përpunimin e mbetjeve, ndërsa dobësitë janë vënë re në disbursimin e fondeve dedikuar investimeve në energji, ujësjellës, shkolla, furnizime për sistemin gjyqësor dhe disa projekte që po zbatohen nga fondi i zhvillimit.

Qeveria ka ndryshuar tre herë buxhetin e vitit 2020, për shkak të emergjencës që krijoi pandemia në Covid-19, në uljen e të ardhurave dhe rritjen e shpenzimeve. Gjatë rishikimeve, shpenzimet buxhetore për investime u rritën me 7% duke arritur vlerën e 87.8 miliardë lekëve, nga 81.6 miliardë lekë në fillim të vitit, por në databazën e thesarit, e cila tashmë është publike, projektet e investimeve të programuara për financimin kapin vlerë 96 miliardë lekë.

Mosrakordimi i fondeve nga plani në Thesar është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga Drejtoria e Brendshme e Auditit të Qeverisë pranë Ministrisë së Financave.

Në një raport të posaçëm për vitin 2019, auditorët e qeverisë dolën me konkluzionin se treguesi “Realizimi i shpenzimeve kapitale” paraqet devijimin të madh nga plani i miratuar në ligjin e buxhetit vjetor në Kuvend”.

Burime nga Drejtoria e Thesarit në Ministrinë e Financave shpjeguan se realizimi i investimeve publike cenohet nga autoritetet kontraktuese që ndryshojnë destinacionin e fondeve nga një projekt në një tjetër. Shpesh, projekti i ri ka nevoja më të mëdha për financime dhe bëhet shkak për akumulim detyrimesh.Problematik mbetet fakti se 70% e fondeve për investime apo mirëmbajtje alokohet në dy muajt e fundit, teksa autoritetet kontraktore vuajnë nga një nivel i ulët menaxhimi, shpjegoi burimi nga Drejtoria e Thesarit.