Xhixho: Amnistia fiskale, pastrimi i parave të gjeneruara nga kriminaliteti, vjedhja, abuzimet dhe korrupsioni

164
Sigal

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, ka reaguar në lidhje me projektligjin për aministinë fiskale, duke theksuar se favorizon ata që për vite me radhë kanë fshehur pasuritë dhe penalizon ata që kanë paguar rregullisht taksat.

“Ekonomia e një vendi nuk mund të ecë përpara me para të pista. Shqipëria nuk duhet kurrsesi të kthehet në lavatriçe të këtyre parave e t’i largohet çdo ditë e më shumë rrugës europiane”, shkruan deputetja e LSI-së.

Postimi i plotë

Amnistia fiskale, nuk është gjë tjetër veçse pastrimi i parave të gjeneruara nga kriminaliteti, vjedhja, abuzimet dhe korrupsioni.

Ky projektligj favorizon ata që për vite me radhë kanë fshehur pasuritë dhe penalizon ata që kanë paguar rregullisht taksat.

Emigranti që ka sakrifikuar dhe punuar me vite të tëra me punë të ndershme, e ka të pamundur t’i bëjë 2 milionë euro për të qenë subjekt i këtij ligji.

Ndaj ky ligj është për “çunat e Londrës”, që t’i pastrojnë paratë falë këtij ligji pasi t’i kenë sjellë në Shqipëri në rrugë që vetëm Damian Gjiknuri i di.

Ky projektligj i pamoralshëm, mesazhin kryesor ka “shkelni ligjin se një ditë mund të përfitoni”, ndërkohë “ju që paguani taksat dhe bëni biznes të ndershëm, thjesht keni bërë gabim që keni zbatuar ligjet e vendit”.

Ky ligj dëmton biznesin e ndershëm, që ka sakrifikuar dhe është përballur me tërmetin e pandeminë e mezi ka mbijetuar.

Ky biznes do të përballet me konkurrencë të pandershme, që hyn në treg duke pastruar paratë me ligjin Rama-Gjiknuri.

Ekonomia e një vendi nuk mund të ecë përpara me para të pista.

Shqipëria nuk duhet kurrsesi të kthehet në lavatriçe të këtyre parave e t’i largohet çdo ditë e më shumë rrugës europiane.

Ky nuk është modeli që duhet t’u japim qytetarëve të vendit e mbi të gjitha të rinjve, duke u thënë hapur se shkelja e ligjit është mënyra për ecur në jetë.

Politikat që rëndojnë mbi të ndershmin e punëtorin kanë bërë që në 5 vite të largohen 220 mijë qytetarë shqiptare, ndërkohë që 80% e maturantëve duan të ikin nga vendi.

Po këtu i vetmi që duhet largohet është Rama, ndaj sovrani duhet të mbushë sheshet dhe të protestojë çdo ditë kudo.

Vetëm në këtë mënyrë, Edi Rama dhe shumë të tjerë do të kuptojnë se kush e drejton vendin.