Xhevat Mustafa/ PD nuk di apo nuk do të përfitojë nga “dhuratat” e Ramës ?!

473
Sigal

PD nuk di apo nuk do të përfitojë nga “dhuratat” e Ramës?!

Përballë një Edi Rama që po tregon kokëshkretësi për dorëheqjen dhe nuk do të lërë gur e drurë pa lëvizur, për të mos ikur, PD-së i del si detyrë urgjente dhe emergjente që të tjetërsojë, të rindërtojë apo riformatojë vetveten dhe gjithë koalicionin opozitar.

Xhevat Mustafa

“Rilindja” në këto dy vitet e fundit u ka dhuruar PD-së dhe aleatëve të saj, qytetarëve dhe ndërkombëtarëve fakte, argumente, arsye të bollshme për ta goditur rëndë në plot pika të zbuluara, për ta detyruar, edhe para fund-qershorit 2021,që ta dorëzojë timonin e qeverisjes demokrativisht, edhe me dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme, si në plot vende të rajonit e më të largëta gjatë vitit 2019. Vetëm brenda muajve shtator-tetor 2019 opozitës i erdhën nga Rama në derë dhe duar disa “shanse të arta”. Fjala është për 9 kushtet e parlamentit dhe të qeverisë së Gjermanisë më 24 shtator ; për JO-në e 18 tetorit nga BE-ja, e treta rradhasi nga 2017-ta; për firmosjen më 10 tetor 2019 nga Edi Rama të marrëveshjes së Novi Sadit për “Mini Shengenin Ballkanik”; për dënimin më 19 shtator me 3.4 vite burg, “për shpërdorim detyre” të ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri… Me veprimet dhe mosveprime e tyre, PD-ja dhe opozita në tërësi, po japin arsye të mendohet dhe shprehet edhe pyetja: Nuk dinë apo nuk duan t’i shfrytëzojnë maksimalisht këto “dhurata bujare” nga “rilindja” apo Edi Rama. Duke dëshiruar dhe uruar që të jetë e para, “mosdija” dhe duke qenë i bindur se në gjirin e saj ka plot njerëz me shumë mend dhe vlera, do t’u jepja disa këshilla modeste, thellësisht dashamirëse e të sinqerta. PD-ja dhe opozita bëjnë mirë të jenë të parapërgatitura si për befasinë e dorëheqjes nga Edi Rama, ashtu edhe për hilenë e tij të rradhës. E kam fjalën për vendimin e tij të beftë, për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, në një ditë kur ai do të ketë akoma në duar plot pushtete, fuqi dhe mundësi të ligjshme e “të pista” për rokadën e modelit Putin-Medvedev me Erion Velinë. Por, edhe në atë ditë, kur PD-ja dhe opozita nuk kanë arritur akoma në kulmin e mbështetjes dhe të besueshmërisë ndaj tyre. Përballë një Edi Rama që po tregon kokëshkretësi për dorëheqjen dhe nuk do të lërë gur e drurë pa lëvizur, për të mos ikur, PD-së i del si detyrë urgjente dhe emergjente që të tjetërsojë, të rindërtojë apo riformatojë, emancipojë… vetveten dhe gjithë koalicionin opozitar. PD-ja mund të bëhet shumë më e fortë, më e besueshme dhe e votueshme, në qoftë se do të shpëtojë nga ata drejtues qendrorë dhe lokalë, ish deputetë, ish-kryebashkiakë, ish-këshilltarë bashkiakë, ish-drejtues dikasteresh dhe institucionesh qeveritare dhe shtetërore, që, edhe me maskën e “militantit ekstremist”, kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë “pazare të pista”, sharje ditën dhe “puthje” e pirje natën me “shokë socialistë. Me apo pa dashje, ky kontingjent “demokratësh” i fali Edi Ramës dhe “kuzhinierëve” të tij për teza propagandistike dhe mashtruese “lëndë”e fakte të sajonin dhe përhapnin në popull dhe media edhe sloganin rrotacion-vrasës se” të dy palët janë njësoj”. Nuk mund të përjashtohet kurrsesi edhe pista e dyshimit se kjo lojë e dyfishtë e tyre ishte pjesë e një skenari nga brenda e jashtë PD-së, për t’i dhuruar “Rilindjes” dhe Edi Ramës më 23 qershor 2013 jo vetëm kolltukët e pushtetit, por edhe mundësitë për jetëgjatësi të papërcaktueshme në qeverisje, nëpërmjet katandisjes së PD-së në atë gjendje që ishte në atë kohë, as “kufomë për t’u kallur në varr” dhe as një forcë politike për t’u ndjekur pas, me besim e shpresë të fortë. Në vijim, PD-së i duhet të mendojë dhe investojë shumë për të bindur me figura politike të reja, të panjolla e të papërfolura; me vepra të prekshme shumicën e shqiptarëve, sidomos nga shtresa në mplakje e mpakje e të djathtëve “bio”, për aq sa kanë mundur të mbijetojnë dhe të jenë të tillë gjatë 47 viteve të diktaturës enveriane. Ndryshe nga sa priste, edhe këtë shtresë, që kishte dëshirë dhe duhej të ishte themeli i PD-së, qeverisjet e saj e kanë zhgënjyer bollshëm me 7501-shin; me stër-zvarritjen e kthimit të pronave dhe të dëmshpërblimit për viktimat e pushkatimeve, të burgjeve dhe internimeve për motive politike; me lirinë e pakufizuar për të ardhurit nga të katër anët e vendit, duke u “pushtuar” pronat e paluajtshme; me gjyqet dhe dënimet qesharake për Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën e tj. Por, PD-së i duhet të sforcohet ndjeshëm fizikisht, mendërisht, financiarisht, në strategji dhe taktika, që të fitojë sa më shumë besim dhe mbështetje edhe tek “ushtritë” e shoqërisë civile apo të të pavarurve, madje edhe të së “majtës”, se nuk është 100% njësoj as me vetveten e para 6 viteve dhe as me “rilindjen’ e këtyre 6 viteve, por rreth… 50%. Shprehur ndryshe, se ka reflektuar dhe ka bërë katarsis të thellë, se nga një “qendër e djathtë” ramiziane, eurolindore, “katovic-iane” është bërë një “qendër e djathtë” europerëndimore e vërtetë dhe e sinqertë. Njëkohësisht, se “pas 6 vitesh mjekimi intensiv në opozitë”, i janë rikthyer në nivel optimal ndjesitë ”e kujtesës dhe mirënjohjes së dobët” ndaj të gjithë atyre që e kanë dashur dhe e duan me shpirt, zemër, vota dhe sakrifica të shumta, defekte të shkaktuara, figurativisht, nga “pakujdesia e gjinekologut gjatë operacionit çezarian” të lindjes së saj. Kjo do të sjellë edhe një të mirë tjetër, uljen e dozës, rolit dhe peshës së “berishianizmit” dhe “djegien” e mundësive për krijimin e “bashizmit” në PD. Me figura e kandidatura, që kanë në gjen idealizëm, aftësi dhe ndershmëri, tri nga cilësitë më të rralla tek ekipet tona politike dhe qeverisëse, që u flasin njerëzve me shpirt e zemër; që bëjnë premtime të besueshme e të realizueshme dhe jo sa për t’u rrëmbyer votën, PD-ja dhe opozita si koalicion mund t’ia arrijnë shpejt ditës që të fitojnë shumicën e zemrave dhe votave të humbura, për fajin dhe “meritën” e vet, sidomos në këtë dhjetëvjeçar. PD-së dhe opozitës si koalicion u duhet urgjentisht të ndërrojnë mentalitet, strategji dhe taktika, për t’u bërë opozitë 365-ditëshe dhe jo stinore; jo vetëm me denoncime mediatike, por edhe me protesta të shpeshta masive qytetare, demokratike, paqësore; jo vetëm në ditët me temperaturë rreth 30 gradë gjatë stinëve të pranverës, verës dhe vjeshtës dhe mbi zero gradë në ditët e dimrit. PD-së dhe opozitës u bien barra dhe përgjegjësia të bëjnë edhe sakrifica, më së shumti në interes të vendit dhe të qytetarëve se sa të vetvetes. Një nga këto mund të ishte ndërprerja e karrierës në poste drejtuese e disa figurave të tyre të moçme, që mund të vlerësohen figurativisht edhe si “karta të zverdhura apo shkrumbuara”. Për t’ia hequr nga duart dhe nga mendja “të majtëve” dhe “të pavarurve” kartat e alergjisë dhe paragjykimeve, të mosbesimit apo të alibive ndaj Sali Berishës, Lulëzim Bashës, Fatmir Mediut, Dashamir Shehut, Nard Ndokës, Agron Dukës, Vangjel Dules, Shpëtim Idrizit…si dhe ndaj disa figurave “të reja” në moshë e dukje, mund të ishte i domosdoshëm dhe i dobishëm vetësakrifikimi vullnetar i tyre apo sakrifikimi konsensual nga majat e piramidave partiake. Kështu do t’u hapej rruga figurave me të vërtetë të reja politike, me aftësi dhe vlera të larta intelektuale dhe profesionale; që nuk ia lejojnë, së pari vetes, të bëhen kukulla të askujt dhe shitje-blerjen e kartonit të tyre nga kundërshtarët, me një zarf të rëndë, me një tender, koncesion apo përfitime të formave të tjera. Edhe për mua personalisht, Lulëzim Basha, edhe pse natyrë e brishtë për një arenë politike ku kërkohet një natyrë e egër, është i nevojshëm, biles i domosdoshëm për të vazhduar në krye të PD-së. Natyrisht, edhe për të qenë kandidatura e parë e saj dhe e të gjithë opozitës si zëvendësues i Edi Ramës, kur të të largohet (qoftë sa më e shpejtë kjo ditë) me forcën e shumicës së votave të lira e të pastra të qytetarëve dhe jo me dhunë, viktima e gjak, me protesta jo si “kryevepra” e Edi Ramës në “artin e demonstratave të dhunshme”, ajo e 21 janarit 2011. Por, edhe pse subjektivisht kam bindjen se Lulëzim Basha është demonizuar më shumë për propagandë dhe se mund të ishte kryeministri më i mirë në këta 28 vjet, përsëri mund të rrezikohet me një eksperiment. Mund të na dilte edhe thikë më dy presa, por edhe me më shumë dobi se sa humbje, në qoftë se do të bëhej një ndryshim renditjeje në listë, duke nxjerrë në vendin e tij një figurë politike femërore. Duke u shprehur me sinqeritetin më të madh e kam fjalën për një zonjë, me të cilën nuk kam njohje personale dhe nuk jam takuar asnjëherë, për Jorida Tabakun, prej vitesh me imazh pozitiv dhe reputacion masiv jo vetëm në “ushtrinë e të djathtëve”. Kjo do të ndihmonte edhe për t’i bindur shumicën e shqiptarëve se nuk do të ketë në fronin kryeministror thjeshtë një ndërrim kokë për kokë apo bythë për bythë, Rama-Basha. Kjo zgjedhje apo zgjidhje, më së shumti taktike apo diplomatike, bëhet e nevojshme edhe për faktin që tek ne praktika kryetar-kryeministër tek Nano, Berisha dhe Rama, ka dalë një përvojë e hidhur. Ajo i ka bërë bartësit e dy funksioneve autoritaristë, absolutistë, pronarë partish qeverish, parlamenti dhe institucionesh ligjërisht të pavarura, mediash… Kështu, do të kishim mundësi që në krye të qeverisë të vendit në krizë të tejzgjatur, të fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe të mirëqenies, të mos kishim si kryeministër një historian, inxhinier, mjek, një piktor-basketbollist, por një ekonomiste me doktoraturë dhe specializime në Britaninë e Madhe, SHBA, Itali, e tj. Vetëm nëse ia arrin që brenda një kohe sa më të shkurtër të rinovojë apo të transformojë veten, të bëjë “vetting” rigoroz në të gjitha strukturat dhe nivelet e saj, PD-ja ka shanset për t’u bërë një alternativë konkrete, konstruktive, e fuqishme, e sinqertë, e besueshme, me epërsi të qartë e të madhe në ekipe, strategji, programe, projekte…,për sfidat më të rënda e jetike të vendit dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare.