Xhemal Qefalia: Përgjimet e SHISH-it i kanë shërbyer, deri më tani, kësaj opozite

461
Sigal

Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia,  edhe anëtar i Komisionit Parlamentar hetimor për SHISH, në intervistën për “Telegraf”, pohon që gjatë kontrollit parlamentar në SHISH, u gjetën shkelje. Raporti i është dhënë kryetarit të Kuvendit dhe se përgjimet i kanë shërbyer, deri tani, kësaj opozite. Zoti Qefalia nuk mund të pranojë që në Kuvend ka njerëz të kriminalizuar, por kjo zhurmë u bë nga opozita që të përligjë bojkotin e saj.

– Zoti Qefalia, sipas një publikim nga “Mjaft”, nga 25 premtime, vetëm 6 janë plotësuar në kohëqeverisjen e majtë. Sipas jush, përse nuk janë konkretizuar zotimet që mori përsipër qeverisja jua?

– Qeveria, në përmbushje të angazhimeve të saj, ka qenë shumë konkrete, kjo në sajë të gjendjes reale që u mor drejtimi i shtetit. Gjithsesi, pritshmëria e njerëzve ka qenë më e madhe ndaj qeverisë. Por dua të them që realizimet e premtimeve të qeverisë janë konkrete dhe tashmë qytetarët i prekin në aspektin e sigurisë së rendit publik, në përpjekjet për të mbushur gropën e borxheve, që trashëguam nga qeverisja e kaluar, me reformat e mëdha që konkretizojmë, si atë të pensioneve, në administratën publike, të cilat kanë rezultuar shumë produktive. Kjo nuk do të thotë që u përmbush gjithçka, kur premtimi i kësaj qeverie ka qenë se do të realizohen në 4 vjet. Ende jemi në vitin e dytë të qeverisjes.

– Partnerët tanë politikë, SHBA dhe BE-ja, kanë bërë apel të përhershëm që përse nuk çohen në drejtësi zyrtarët e lartë të korruptuar. Edhe ju si opozitë denoncuat vazhdimisht korrupsionin e qeveritarëve. Përse ende vazhdon që të korruptuarit të mos çohen në gjyq?

– Këtu është edhe ndryshimi midis dy maxhorancave. Është e vërtetë që ne në opozitë kemi denoncuar korrupsionin e qeverisë, por edhe tani që jemi në qeverisje, kemi disa individë që sipas kontrolleve të kryera në institucionet respektive, janë dërguar shumë dosje në prokurori. Ndryshimi është se ne jemi një maxhorancë që funksionojmë në bazë të ligjit. Ne nuk jemi organ ekzekutiv prokurorie që të ndëshkojmë njerëzit. Kryeministri ynë nuk bën edhe rolin e policit, edhe rolin e prokurorit, edhe rolin e gjyqtarit. Te ne vazhdon akoma të rënkojë sistemi i drejtësisë, puna e të cilit ndikon drejtpërdrejtë në (mos)luftën ndaj krimit. Qeveria  bën punën e saj, duke dërguar në prokurori të gjitha rastet e konstatuara. Dënimet i jep gjykata, nuk i jep qeveria.

– Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kanë konstatuar shkelje të ligjit nga qeveria për procedurën e largimit nga administrate publike të atyre punonjësve që janë debitorë në OSHEE. Për këto raste, ju, a shikoni kapërcim të kompetencave ligjore të institucioneve shtetërore?

– Unë nuk jam në dijeni të rasteve, siç më thoni ju. Jam në dijeni vetëm të rastit që u shkarkua nga detyra një zëvendësministre, detyra e së cilës është funksion politik, kur politika e maxhorancës është që të gjithë janë të barabartë me ligjin. Për rastet e tjera, natyrisht duhet vepruar në bazë të Kodit të Punës dhe të ligjit për Administratën Publike. Është normale që cilido nëpunës që është penalizuar kështu, t’i drejtohet Gjykatës Administrative, nëse largimi tij është në kundërshtim me ligjin. Unë nuk di raste që nëpunës janë larguar nga administrata publike, me motivin që më thatë ju.

– Cilat do të jenë hapat konkrete që do të ndërmerrni për dekriminalizimin e Kuvendit?

– Kjo është një shprehje, që unë do ta konsideroja më tepër një pretendim për opozitën, që të justifikojë kohëqëndrimin e saj jashtë Kuvendit, në bojkot, sepse kur themi “dekriminalizim të parlamentit”, duket sikur në parlament janë vërsulur bandat  kriminale, të cilët janë ulur në poltronët e deputetit. Në fakt, unë nuk mendoj kështu, sepse kjo do të ngarkonte me përgjegjësi, në radhë të pare, dy liderët  Rama-Berisha, por edhe liderët e tjerë, të cilët kanë hartuar listat e tyre partiakë. Për deputetët e PS-së, jam i mirëinformuar që të gjithë gëzojnë të gjitha të drejtat dhe gëzojnë domosdoshmërinë e nevojshme, për të qenë të gjithë deputetë. Çdo gjë që u bë për këtë temë, them që është bërë për të joshur opozitën, dhe për të vetëjustifikuar veten opozita që po kthehet në parlament. Nuk mund të fyesh elektoratin, duke i thënë që ka votuar edhe kriminelë.

Ja shkeljet ligjore nga SHISH-i, të evidentuara nga Komisioni hetimor parlamentar

– Ju ishit anëtar i Komisionit Parlamentar që do të hetonit SHISH-in për përgjimet. Asnjë gjë deri tani nuk është bërë publike nga kontrolli juaj parlamentar. Përse ky mister?

– Po, siç e thatë, një Komision Parlamentar ka ushtruar kontroll në SHISH, i mbështetur në rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutë, për të parë nga afër veprimtarinë e SHISH. Ne kemi evidentuar gjithçka në një raport përkatës, i cili ka kaluar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, dhe është informuar edhe kryetari i Kuvendit. Unë, duke qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për vite të tëra, jam shumë korrekt dhe konkret, që çështjet të cilat përbëjnë sekret, nuk janë çështje për t’u trajtuar në media dhe për t’u publikuar, por janë çështje që përpunohen në përputhje me të gjitha rregullat dhe garancitë që ka një anëtar i këtij komisioni parlamentar.

– Duke qenë se me përgjimet (e paligjshme) që ka bërë SHISH ndaj kujtdo, preken edhe të drejtat e Njeriut, përse nuk duhet të ketë një informacion publik?

– Ne kemi evidentuar një sërë problemesh, të cilat janë diskutuar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, natyrisht me dyer të mbyllura. Madje, këto elemente sugjerime që kemi evidentuar, ia kemi përcjellë për dijeni edhe SHISH-it, për të rregulluar të gjithë funksionin e saj, në përputhje me ligjin. Një gjë është e rëndësishme që, disa gjëra, të cilat  janë bërë publike, si disa shkelje që janë evidentuar në lëvizjen e kuadrit, jo në përputhshmërinë me ligjin përkatës të SHISH, madje ka pasur edhe reflektime nga drejtuesit e SHISH-it. Por duhet thënë që informacioni shkon drejtpërdrejt në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe ky ka përgatitur një raport kryetarit të Kuvendit, për shkeljet që mund të ketë pasur.

– Domethënë, pranohet që nga SHISH-i ka pasur shkelje të ligjit?

– Unë nuk mund të them gjëra konkrete dhe emra konkretë, pasi kjo nuk na përket neve, ndoshta Komisioni mund ta shikojë të arsyeshme për t’u evidentuar dhe për t’u futur në këtë fushë. Puna e komisionit parlamentar që kontrolloi Shish-in, u fokusua në element të veçantë, nuk është fokusuar te përgjimet, është fokusuar në drejtim të një shkrese që ka dalë për të përgjuar e kontrolluar punonjësit e policisë, të cilët ishin emëruar rishtazi. Kjo shkresë është konstatuar me shkelje, pasi SHISH nuk mund të përgjojë punonjës policie, të cilët nuk janë objekt krimi, e dyta, emërimet në SHISH dhe në tërësi, është parë edhe mënyra e funksionimit të përgjimit. Ky komision mund të vendosë në këtë sezon parlamentar, për ecurinë e mëtejshme të SHISH-it. Por ajo që duhet thënë, është se ende mungon kuadri ligjor, i përshtatshëm që SHISH të mos fshihet pas të drejtës se puna e saj përbën sekret dhe çdo gjë mund të mos kontrollohet por, ashtu siç e kanë edhe shumë vende të tjera, ka një nënkomision brenda Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, i cili monitoron në mënyrë të përhershme punën e SHISH-it, që të jetë transparent përpara Kuvendit, që të mos shkelen ato që thatë edhe ju, të drejtat e Njeriut, në ruajtjen e privatësisë. Përgjimet të mos i shërbejnë një partie politike, siç i kanë shërbyer dhe i shërbejnë konkretisht opozitës së sotme.

 – Faleminderit!

 Jakup B. GJOÇA