Deputeti i PD, Xhelal Mziu ka reaguar lidhur me situatën ekonomike në vend, ku ka sjellë në vëmendje shifrat që dëshmojnë së si po fundoset industria. Ja reagimi i plotë: Fundoset industria, PBB rënie vjetore me 6.8% në janar-mars, për të katërtin 3-mujor radhazi! Industria ka hyrë në vitin e dytë të krizës, ku rënia e sektorit është në pikiatë! Të dhënat për PBB në tremujorin e parë 2024 treguan se industria përpunuese shënoi rënie vjetore me 6.8%. Eksportet shqiptare, pësuan rënie për të katërtin tremujor radhazi në janar-mars 2024, duke e bërë krizën të qëndrueshme. Që në 2022, po përjetojnë rënie të aktivitetit në mënyrë sistematike prej humbjeve që ka krijuar nënçmimi i Euros ose mbiçmimi i lekut, rritja e pagës minimale dhe kriza e inflacionit pas luftës në Ukrainë, që uli kërkesën për mallra.Në 2023, sektori i përpunimit ra me rreth 6%, trend që ka vijuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Sektori po tkurret si në prodhim, në numër biznesesh dhe punonjës. Pjesa më e madhe e falimenteve ka qenë në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve. Falimentet në sektorin e industrisë pritet të jenë edhe më të larta këtë vit, pasi në muajt e parë u shkëputën shumë kontrata me klientët, që ishin mbajtur me vështirësi në tremujorin e fundit 2023.Nga 2022 e deri aktualisht, Euro ka humbur 23% të vlerës në këmbim të lekun, çka tregon se në masë të ngjashme janë ulur fitimet e eksportuesve të cilët shesin në Euro ,por pagat dhe taksat dhe shumë lëndë të para i paguajnë në lekë.