Rama në Lezhë: Vota e 21 qershorit për të përcaktuar drejtimin e komunitetit

438
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot edhe në qytetin e besëlidhjes, Lezhë për të prezantuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, Viktor Tusha. Rama u ka kërkuar qytetarëve të Lezhës votat jo vetëm për kandidatin Tusha, por për të cilin tha se është 100% i PS-së siç është edhe i LSI-së por edhe për Këshillin Bashkiak, në mënyrë që sipas tij të vazhdohet projekti i ASHE-së.
“Viktor Tusha është 100% kandidati i PS-së siç është dhe i LSI-së dhe i të gjitha partive të Koalicionit. Duhet ti japim Viktorit mbështetje edhe në Këshillin Bashkiak të Lezhës. Për këtë arsye PS dhe LSI do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të marrë sa më shumë vota për kandidatët e tyre për Këshillat. Sot Këshillat bashkiakë të fragmentuar. Dua të theksoj fort se ne në çdo ditë të kësaj fushate po thellojmë qartësisht dallimin me kundërshtarët tanë. Kundërshtarët tanë bëjnë një fushatë sherri, një fushatë kundër qeverisë. 
Kjo nuk është fushata kundër qeverisë, por për të investuar votën tek kandidati më i mirë. Flasin për çmimin e energjisë, po ça lidhje ka çmimi me komunitetin me kryetarin e bashkisë. Ça lidhje ka, ua them unë. Fushata e tyre është fushatë në tym. Vota e 21 qershorit është votë për të përcaktuar drejtimin e komunitetit, drejtimin e bashkisë së re. Jo votë për Shqupin por për familjen shqiptare në Lezhë, në komunat e deri sotme dhe njësitë e nesërme administrative të Bashkisë së Lezhës. Është votë për ti dhënë përgjigje disa pyetjeve”, theksoi Rama.
Sigal