Votimet mbaruan, pazaret vazhdojnë: Ilirjan Celibashi, tender 430 mijë euro për pamje të arkivuara

27
Sigal

Megjithëse SPAK ka nisur hetimin për dy tendera me vlerë 21 milionë euro që KQZ ia dha pa garë kompanisë SMARTMATIC, Ilirjan Celibashi nuk u ndahet kontratave sekrete me firmën holandeze “Smartmatic”. Edhe pse KLSH e ka paralajmëruar se pajisjet e votimit elektronik dhe identifikimit që solli kjo kompani paraqesin probleme në funksionimin e tyre, sërish KQZ ka ftuar të njëjtën kompani në një tender para zgjedhjeve të 14 majit.

 

Në vend që të japë llogari për aferat e vjetra me sistemin elektronik të votimit, kreu i KQZ-së vijon pazaret me kompaninë holandeze “Smartmatic”, duke çelur tenderë të rinj pas përfundimit të zgjedhjeve, për sisteme, që janë paguar më parë.

Fanfarat e përfundimit të votimeve janë shuar, por Ilirjan Celibashi nuk ka mbaruar punë me tenderët. Në buletinin e Prokurimeve Publike të datës 12 maj 2025, është shpallur një procedurë me fond limit 430 mijë euro me TVSH, për një sistem që supozohet të mbikqyrë pamjet filmike të qendrave të votimit dhe numërimit elektronik.

Tenderi që lindi pas vdekjes së procesit zgjedhor

Çuditërisht, kjo procedurë është përgatitur që më 2 maj, ndërkohë që procesi elektronik është mbyllur zyrtarisht që më 25 prill.
Me fjalë të tjera, tenderi nuk i shërben më asnjë nevoje reale – është një sajesë pas votimeve, që i ngjan më shumë një fature të vonuar për ndonjë favor të dakorduar më herët.

Objekti i tenderit është “shtimi i kapaciteteve për ruajtjen e pamjeve filmike dhe krijimi i një sistemi kërkimi”. Por këto janë funksione, që duhet të ishin të përfshira që në projektin fillestar të sistemit elektronik, për të cilin janë harxhuar 26 milionë euro

“Smartmatic” – kompania e tenderëve pa garë.

Në këtë histori rikthehet sërish emri i kompanisë “Smartmatic International Holding B.V”, e cila ka marrë pa garë tenderin 1.3 milionë euro për “përditësimin e të dhënave” në Vorë dhe Njësinë nr. 11 Tiranë, zona ku u testua sistemi i ri elektronik. Për ironi, Celibashi as nuk publikoi rezultatin përfundimtar të votimeve në këto zona – për të cilat u paguan miliona.

SPAK hesht, Celibashi sfidon!

Duhet kujtuar se që në shtator 2024, SPAK deklaroi nisjen e një hetimi për dy tenderë me vlerë 21 milionë euro të vitit 2021, të zhvilluar po nga Celibashi me të njëjtën kompani holandeze.

Me urdhër të Altin Dumanit, BKH mori dokumentet përkatëse. Por që prej atëherë, asnjë njoftim zyrtar, asnjë marrje në pyetje, asnjë transparencë.
Flitet se burime nga brenda institucionit konfirmojnë se prokurorët e dosjes kanë bllokuar hetimin – duke i dhënë Ilirjan Celibashit mundësinë që ta trajtojë këtë dosje si të varrosur përfundimisht.

Flitet se Dhe për ta vulosur këtë karshillëk institucional ndaj drejtësisë, ai nuk ndalet: pasi u hetua për 21 milionë euro, sot shpall një tjetër tender pas mbarimit të zgjedhjeve, për 430 mijë euro të tjera – gjithmonë me të njëjtin model: pa garë, me fond të plotë, me të njëjtin klient të preferuar.

KLSH zbulon probleme në pajisjet elektronike të instaluara për zgjedhjet!

Nga auditimi mbi konfigurimet aktuale për identifikimin nëpërmjet pajisjeve PEI, i publikuar në korrik 2024, u konstatua se zgjidhja e implementuar në zgjedhjet e periudhës 2021-2023, ku regjistrimi i gjurmës së gishtit është përdorur si nënshkrim biometrik, nuk ka mundur të parandalojë rastet si më poshtë: – Votimin e dyfishtë, ku ka pasur raste në qendra votimi të ndryshme, të identifikohen votues me ID të njëjta, nga votues të identifikuar si administratë zgjedhore, ose votues me Vendim Gjykate, për të cilat janë identifikuar 43 raste; – Votimin familjar ose votimin për një zgjedhës tjetër, ku ka pasur raste të kenë nënshkrim të njëjtë votues të identifikuar me ID të ndryshme, për të cilat ka patur 213 me përputhshmëri të mundshme në zgjedhjet e vitit 2023. Për identifikimin elektronik të zgjedhësve, nuk janë përdorur të dhënat që gjenden në dokumentet e identifikimit elektronik, që janë Karta dhe Pasaporta të pajisura me të dhëna biometrike që krijohen, ruhen dhe ofrohen nga institucioni përgjegjës për prodhimin e dokumenteve biometrikë.