Voltana Ademi: Të dëmshpërblehen fermerët e përmbytur

220
Sigal

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi i bën apel qeverisë. Kryeministri Rama: Përballuam përmbytjet

Të dëmshpërblehen fermerët, dëme të mëdha. Nuk janë shlyer ende të dëmtuarit e 2018-s

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, gjatë një takimi me banorët e Shkodrës dje ka folur për dëmet që kanë shkaktuar reshjet e shumta të shiut gjatë këtyre ditëve. Ademi shprehet se, situata e përmbytjeve vazhdon të jetë e rëndë në territorin e njësive administrative Dajç, Bërdicë dhe Velipojë. Po ashtu shumë toka bujqësore janë dëmtuar rëndë, toka të mbjella me foragjere, grurë, dhe perime. Ademi shprehet se, po trajtojnë situatën në ato vende ku uji ka filluar të largohet. “Bashkia Shkodër ka ngritur grupe evidentimi në terren të cilat po punojnë prej disa ditësh për evidentimin e dëmeve në tokat bujqësore. Por qindra hektarë tokë vazhdojnë të jenë ende nën ujë dhe kërkohet ndihmë e menjëhershme nga ana e shtetit”, deklaron më tej kryetarja e bashkisë Shkodër. “Emergjenca në këto momente vazhdon të jetë për gjënë e gjallë. Kërkesa jonë vazhdon të jetë permanente për rreth 150 ton koncentrate të domosdoshme për gjënë e gjallë për këto fshatra për një periudhë 10-ditore, dhe më tej do të verifikojmë vazhdimësinë e nevojës për periudhën dimër -pranverë, pasi siç e thash dëmet janë shumë të mëdha. Dëmshpërblimi i fermerëve për produktet bujqësore të shkatërruara, është i domosdoshëm,dhe është detyrim i shtetit shqiptar. Në vitin 2018 kemi patur një histori të ngjashme me këtë që kemi kaluar këto ditë pasi u premtua dëmshpërblim por nuk u dha asgjë, edhe pas verifikimeve nga ana jonë për dëmet. Gjithashtu Bashkia Shkodër ka pastruar të gjitha kanalet e dyta dhe të treta në këto territore. Bëhet fjalë për 85% të sistemit të kullimit, por me kalimin e lumenjve në tokat bujqësore në kanalet kulluese, gjithçka dëmtohet, prandaj dhe dëmshpërblimi i fermerëve është mëse i nevojshëm. Investimet e munguara për të hapur kanalet e para do të duhen të financohen nga buxheti i qeverisë gjë që nuk është bërë, ndaj edhe kërkohet një ndërhyrje e kordinuar dhe vazhdimësi e Bashkisë Shkodër dhe qeverisë”.

Kryeministri Rama: Ja kush do të dëmshpërblehet

Kryeministri Edi Rama dje deklaroi se, qeveria përballoi me sukses përmbytjet, të cilat shkaktuan dëme të vogla dhe zbardhi se do të ketë dëmshpërblime për banorët e prekur, Rama tha se do të veprohet sipas ligjit. Kryeministri Rama: “Sipas ligjit, sigurisht, numri i banesave të dëmtuara është minimal, u takon bashkive të bëjnë inspektimet. Ne do bëjmë pjesën tonë. Në Obot është garantuar ushqimi për bagëtitë nga ministria e Bujqësisë. S’ka dëme të konsiderueshme. Ato që janë ligjërisht të konsiderueshme, do dëmshpërblehen. Krahasimet me vitin 2010 bëhet se kemi pasur një sasi reshjesh, apokaliptike. Një moment shumë kritik. Jo për të bërë vetëm krahasime qeveri me qeveri. Na bën mirë kujtesa. Jo çdo gjë e ka në dorë robi. Përmbytja e Parisit, kërcënoi edhe koleksionet e Louvre-t.” Ndërsa, sa i përket përmbytjeve në Vlorë, Rama tha se ka akoma ndërhyrje për t’u bërë në këtë qytet. “Përveç faktit që ka akoma tre ndërhyrje për të bërë për të mbyllur ciklin e investimeve. Kini parasysh efektin e lavamanit. Dora e robit duket për sa kohë ikën uji. Ne e dimë që do këtë momente të vështira. Uji që qëndronte me javë ishte dora e robit, paaftësia e robit. Kemi bërë kanalizime aq sa s’janë bërë në gjithë vitet bashkë. Ka akoma më shumë për të bërë. ”