PD interpelancë me Gjiknurin për inceneratorët: Çështje urgjente dhe shqetësuese

443
Interpelanca kërkohet që ministri Gjiknuri të japë detaje për inceneratorët në Elbasan, Fier edhe Tiranë
Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Në këtë dokument i kërkohet ministrit Gjinkurit që të japë informacione për inceneratorët në Elbasan, Fier edhe në Tiranë. “Rreth këtij skandali të përmasave të paimagjinueshme nuk ka pasur asnjë reagim në përputhje me detyrimet që i burojnë nga ligji nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu na duhet të vëmë në dukje se ministria nuk i është përgjigjur shkresave të drejtuara nga deputetët e opozitës duke e thelluar edhe më skandalin. Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për heshtjen e pashpjegueshme dhe të paargumentuar të autoriteteve përgjegjëse. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit së një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, që të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik dhe mbi të gjitha të bëjë transparente për kuvendin dhe publikun kushtet në të cilat janë zhvilluar procedurat dhe si janë lidhur e termat e kontratave”, thuhet në kërkesën e PD-së. “Kjo kërkesë e opozitës parlamentare, bazohet edhe në nenin 7 të Kushtetutës, ku sanksionohet parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nën dritën e këtij parimi, merr përparësi funksioni i kontrollit parlamentar, i cili nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga organet e pushtetit publik, brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete”, theksohet në kërkesë. “Në këtë rast, ligjshmëria në veprimtarinë e dhënies me koncesion nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përdorur paratë e buxhetit, jo për qëllime kriminale, por në dobi të qytetarëve shqiptarë, është një nga detyrat themelore të organeve publike të shtetit shqiptar. Për këtë arsye, deputetët kërkues e vlerësojnë të nevojshme zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë” ka qenë ky arsyetimi se përse kërkohet kjo interpelancë. “Duke qenë se kjo çështje përbën shqetësim madhor dhe një çështje me natyrë urgjente për opozitën parlamentare, si dhe në kushtet e një mungese tërësore të reagimit, veprimit apo sqarimit të rrethanave nga Ministri Infrastrukturës dhe Energjisë, në mbështetje të paragrafit 2 të nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se: “Interpelanca për çështje urgjente, si rregull, depozitohet në Kuvend jo më vonë se dita e hënë në orën 14.00 dhe ajo zhvillohet si pikë e parë e rendit të ditës në një nga seancat plenare të javës në vijim”, thuhet në kërkesën nga Partia Demokratike. Sakaq PD ka kërkuar përfshirjen e kësaj kërkese për interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë në rendin e ditës të seancës së datës 14.02.2018. dhe interpelanca në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike do të zhvillohet nga deputetja Jorida Tabaku.


Sigal