VOA/ Ndërkombëtarët apel Rilindjes:  Mos  e prekni Kushtetutën

262
Sigal

Humbja e kohës për votimin e Reformës Zgjedhore nga parlamenti, ka shqetësuar krerët e BE dhe ambasadorët në Tiranë. Ish gjyqtari i Strasburgut Ledi Bianku zbardh vendimin e Gjykatës: Nuk mund të ndryshohet pragu elektoral pa lejuar koalicionet parazgjedhore. Këshilltari i CDU Henze: Europa e ka të pamundur të negociojë me anti-demokratët e Ramës

Këshilli Politik mblidhet sot në orën 11, Rama pjesë e mbledhjes, Basha në Kosovë delegon, Gazment Bardhin

Zëri i Amerikës: Ndërkombëtarët thonë se nuk ka kohë për amendime kushtetuese

Të hënën në orën 11, rikthehet këshilli politik për Reformën Zgjedhore, për të diskutuar mbi tri çështje që u hapën për diskutim nga opozita parlamentare dhe partia socialiste pas Marrëveshjes së 5 qershorit, hapjen e listave, heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe ndryshimin e pragut. Krahas Damian Gjiknurit, në këshill  do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa PD, do të përfaqësohet nga Gazment Bardhi. Kryeministri Rama, propozoi që pjesë e këshillit të jetë edhe Presidenti, por ky i fundit e ka refuzuar pjesëmarrjen.  Qëndrimi i ndërkombëtarëve kundër  dhe presioni i politikës në Tiranë,  e detyruan  kryeministrin Edi Rama, që të tërhiqet për ndryshimet kushtetuese dy javë para se ta miratonte në Parlament. Ishte Presidentit Ilir Meta, i cili në orët e para të mëngjesit të së premtes, në një takim me liderin e opozitës, ka marrë dakordësinë e Lulzim Bashës për t’u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për ndryshimet kushtetuese, propozim që u pranua edhe nga kryeministri Rama.

VOA/ Ndërkombëtarët kundër Ramës

Një muaj e gjysmë pasi marrëveshja e dakordësuar me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, europianë dhe britanikë ende nuk është miratuar në parlament, nga diskutimet e të hënës mund të hapet një kapitull i ri, apo mund të rihapen debate, që të vihen në dyshim pikat e Marrëveshjes së 5 qershorit. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare janë shprehur se marrëveshja e 5 qershorit duhet miratuar pa ndryshime, ndërsa për amendamente kushtetuese nuk ka më kohë të mjaftueshme për konsultime gjithëpërfshirëse. Shumica ka deklaruar se është gati t’i miratojë në parlament edhe Marrëveshjen e 5 qershorit me opozitën jashtëparlamentare, edhe ndryshimet kushtetuese që kërkoi opozita brenda parlamentare, për listat e hapura në zgjedhje. Ishte Presidenti i Republikës Ilir Meta, ai që ftoi në një takim kryetarin e PD, Lulzim Basha për të diskutuar mundësinë e rimbledhjes së Këshillit Politik, ku u arrit Marrëveshja e 5 qershorit, për të diskutuar tema që lidhen me zgjedhjet. Ideja u prit me entuziazëm nga kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi publikisht se ishte gati qysh të hënën të shkonte në Këshillin Politik, për të bindur opozitën mbi dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, dhe do të ishte akoma më mirë nëse do të vinin edhe presidenti Meta, edhe kryetari i PD-së, Basha. Por opozita e bashkuar deklaroi pas reagimit të zotit Rama, se ishte e gatshme të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit. “Ndryshimet kushtetuese, të hartuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste, jashtë Këshillit Politik dhe pas Dakordësisë së 5 Qershorit, prishin marrëveshjen e arritur mes palëve” – thuhet në deklaratën e opozitës. Sipas këtyre marrëveshjeve, thotë opozita, çështjet e dakordësuara në 5 Qershor duhet të aprovohen pa asnjë ndryshim dhe pa vonesa të mëtejshme për të mundësuar zbatimin e dispozitave të reja zgjedhore, duke përfshirë ngritjen e KQZ-së së re dhe fillimin nga puna për zbatimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve. Takimet mes drejtuesve kryesorë të dy partive më të mëdha politike,  janë parë shpesh me dyshim në arenën politike të Tiranës, si të dëmshme për partitë më të vogla dhe për cilësinë e demokracisë shqiptare në tërësi. Humbja e ndjeshme e kohës, është një tjetër problem shqetësues për vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë. Grindjet politike i shtyjnë zgjidhjet e problemeve deri në ditën e fundit, ku pastaj kërkohet mirëkuptim me nxitim nën presionin e afateve ligjore. Dhe tani, 45 ditë pasi kanë arritur Marrëveshjen 5 qershorit me shtytjen e pazakontë të diplomatëve perëndimorë, mund të humbin sërish kohë, duke rindezur debatet në mbledhjen e të hënës, ku përballë numrit “një” të  socialistëve është njoftuar se do të jetë numri “dy” i demokratëve.

Këshilltari i CDU-së  Martin Henze:  Europa e ka të pamundur të negociojë me anti-demokratët e Ramës

Këshilltari i CDU-së gjermane, Martin Henze, e konsideron tentativën për ndryshime Kushtetuese nga “Rilindja” dhe “opozita” parlamentare,  si anti-demokratike dhe që do të krijojë kaos.  “Projekti i Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Rudina Hajdarit me projektligjin antidemokratik për ndryshimet kushtetuese, krijon kaos të plotë dhe i mbyll derën Shqipërisë për në BE, nëse zbatohet, për sa kohë që kjo qeveri “Rama” është në pushtet”, shprehet Henze. Sipas tij, ky proces tregon që, Rama dhe qeveria e tij, përfshirë opozitën ndoshta të paligjshme në parlament, natyrisht edhe Rudina Hajdarin, nuk janë përfaqësues të besueshëm për popullin shqiptar dhe për bashkësinë ndërkombëtare. Drafti i ri, në optikën e ekspertit gjerman, nuk është në përputhje me Europën, bie në kundërshtim me standardet minimale demokratike, veçanërisht ndalimi i koalicioneve, një qasje tipike post-komuniste e shekullit XIX. E në këtë pikëpamje, Martin Henze thekson se Europa e ka të pamundur të negociojë me anti-demokratët. “ Henze thekson se deklarata e kryeministrit Rama më 10 korrik 2020, se ai do të mbështesë ndryshimet kushtetuese që prishin marrëveshjen kombëtare midis opozitës së zgjedhur, të udhëhequr nga lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili përfaqëson mbi 50% të popullsisë elektorale, dhe e partisë qeverisëse të Ramës më 5 qershor, për reformën zgjedhore, duke ndryshuar në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor, çon në diskutimin aktual. Ky ndryshim i papritur i Ramës erdhi pasi PS-ja dhe përfaqësuesi i saj në Këshillin Politik kishin refuzuar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht çdo ndryshim në sistem, përfshirë propozimin për listat e hapura dhe propozimin për ndryshime në Kushtetutë, gjatë diskutimeve në Këshillin Politik, para dhe pas marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore. Z. Rama nuk do të largohet nga marrëveshja e 5 qershorit 2020 aq lehtë. Një përfundim i njëanshëm i kontratës: nuk është i mundur”, shprehet Henze. Z. Rama tani po tregon se kush është në të vërtetë, jo një patriot shqiptar, jo një qytetar i BE-së, një person që përfaqëson veten dhe interesat e tij. Përveç pesë prioriteteve kryesore të formuluara nga Komisioni në progres-raportin për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit, OSBE / ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës kanë formuluar rekomandime të qarta për Reformën Zgjedhore në 2013 dhe 2015. Këto do të të zbatohen përmes Marrëveshjes së 5 qershorit 2020. Shkelja e Kushtetutës dhe ndalimi i koalicioneve janë të papranueshme.”

Ish-gjyqtari i Strasburgut Ledi Bianku zbulon vendimin e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut

 Nuk mund të ndryshohet pragu elektoral pa lejuar koalicionet

 

Ish anëtari i Gjykatës së Strasburgut, juristi Ledi Bianku, ka dhënë një arsye tjetër përse disa rregulla elektorale në Kushtetutë, apo në ligjin zgjedhor, nuk duhen prekur pa disa garanci. Bëhet fjalë për pragun elektoral, për të cilin Ledi Bianku sjell një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Vendimi thotë qartë se pragu elektoral nuk mund të ndryshohet, nëse nuk lejohen koalicionet dhe nëse vendi nuk ka një gjykatë funksionale kushtetuese.  “Për kujtesë Këshillit Politik, etj – në Yumak dhe Sadak k. Turqisë, 2008, Gjykata e Strasburgut u shpreh se pragu elektoral mund të pranohet, por kur ka sisteme korigjuese, të tilla si koalicionet zgjedhore dhe kur ka garanci institucionale dhe procedurale – Gjykata Kushtetuese!!!”- shkruan ish anëtari i Gjykatës së Strasburgut në një postim në Twitter.  Ledi Bianku i tërheq vëmendjen Këshillit Politik një ditë përpara takimit të tij, ku do të diskutohet propozimi për ndryshimet kushtetuese. Një nga pikat prek edhe pragun elektoral. Deputetët e opozitës parlamentare kërkuan fillimisht që pragu të ngrihej nga 3% që është aktualisht, në 5%, por më vonë e kërkuan 2%. Në zgjedhjet e fundit, pragun 3% e kaluan vetëm 3 parti politike, PS, PD dhe LSI. Palët në parlament kanë vendosur që këtë çështje ta përfshijnë në Kodin Zgjedhor dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar.