VOA/ Liria e medias në Shqipëri pësoi regres

184
Sigal

Përfaqsues të qarqeve akademike analizojnë raportin më të fundit të “Freedom House”.  Pushteti shfrytëzoi krizat për të shantazhuar gazetarët, ndërsa kryeministri tensionoi mardhëniet me gazetarët duke shtuar paditë në gjykata ndaj mediave që janë kritike me qeverinë

 

Analistë dhe përfaqësues të qarqeve akademike në Shqipëri, konstatojnë se liria e medias edhe këtë vit pësoi regres. Ata i mbështesin argumentat e tyre në disa raporte të organizatave prestigjoze ndërkombëtare, si dhe në realitetin që ofroi viti 2020 dhe muajt e parë të këtij viti. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, thotë për ‘Zërin e Amerikës’ se janë shtuar paditë në gjykatë ndaj gazetarëve. Ata zhvilluan një betejë me qeverinë kundër paketës anti-shpifje, që nëse miratohej do të ishte asgjësuese për median, thonë analistët. Megjithatë, presioni mbi gazetarët u shtua dhe transparenca dhe llogaridhënia u kufizua nga autoritetet, sipas tyre. E drejta e informimit në mjaft raste, u kërkua nga gazetarët në rrugë gjyqësore, ndërsa juristët vërejnë se, ka një përmirësim të praktikës gjyqësore, në favor të gazetarëve në këtë drejtim. Liria e medias në Shqipëri ka pësuar regres, sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, më i fundit ai i ‘Freedom House’ i publikuar pak ditë më parë, që e vendosi Shqipërinë në të njëjtin nivel si 8 vjet më parë, për çështje të demokracisë dhe medias së pavarur.

Pushteti shfrytëzoi krizat për të shantazhuar gazetarët

Analistë dhe përfaqësues të botës akademike shprehin shqetësim kur thonë se autoritetet i shfrytëzuan këto kriza për të shtuar presionin mbi gazetarët, duke kufizuar transparencën dhe llogaridhënien. “Ka patur një gjuhë denigruese dhe anatemuese nga politikanët për gazetarët, kryesisht duke i kategorizuar ata, si burim i pavërtetë për publikun dhe rrezik, sidomos për shëndetin publik. Po të marrim në analizë disa deklarata të politikanëve shqiptarë, këtu nuk do të bëj ndonjë dallim, sepse tendenca është e përgjithshme, gazetarët si kategori sociale etiketohen me epitete të ndryshme, që vënë në diskutim integritetin e tyre personal dhe profesional”, tha për ‘Zërin e Amerikës’ Erlis Çela, pedagog i gazetarisë në Universitetin Bedër. Për analistin Lutfi Dervishi, ky vit ishte interesant për të parë funskionimin e medias në kushte të jashtëzakonshme. Ai mendon se roli i medias është dobësuar dhe e mbështet këtë argument në mënyrën se si u mbulua fushata e fundit zgjedhore nga media, në mënyrë të përsëritur.

Grupimet që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Shqipëri mendojnë se media duhet orientuar në modele jashtë influencave të lidhjeve biznes, media, politikë

Kryeministri Rama tensionon marrëdhëniet me gazetarët

Në këto dy mandate thonë analistët, qeveria e majtë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka preferuar një marrëdhënie që reflekton tension të vazhdueshëm me mediat. Ky raport sipas tyre, ka pak gjasa që të ndryshojë. “Ne kemi patur një betejë shumë të gjatë me qeverinë dhe kryeministrin, për të mos miratuar paketën ligjore anti-shpifje, i cili ishte problematik dhe asgjësues për lirinë e shprehjes. Në një panoramë më të gjerë ne kemi media, të cilat janë një zgjatim i pushtetit politik, dhe ajo që mbetet janë një grusht i vogël gazetarësh, të cilët janë të pavarur dhe punojnë fatkeqësisht nën presion të shumfishtë”, tha për ‘Zërin e Amërikës’ Aleksandra Bogdani, gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, ‘BIRN’. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, thotë se, është e nevojshme të ndryshojë qasja komunikuese e Kryeminstrit Rama me gazetarët dhe sidomos përballja e tij me transparencën reale, të kërkuar nga shumica e reporterëve profesionistë. Ai veçon shqetësimin përshtimin e padive të autoriteteve zyrtare në gjykatë ndaj gazetarëve. “Gjithsej janë 17 raste të proceseve gjyqësore që po zhvillohen në gjykatat e vendit, por më shumë në Tiranë. Akuzat janë konflikte me policinë e shtetit e cila e padit gazetarin se nuk ka zbatuar urdhërin për orën policore, kur ai ka qenë për motive profesionale. Rasti i koleges Juli Ristani, lidhet me nxjerrje të sekretit, dhe rastet e tjera janë kryesisht për shpifje, cënim imazhi dhe pavërtetësi të faktit të raportuar nga gazetari”, tha për ‘Zërin e Amerikës’, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, vëren me keqardhje rritjen e autocensurës tek gazetarët për çështje të rëndësishme, që lidhen me përdorimin e fondeve publike, të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe për mënyrën se si lobohet nga institucionet për investimet. Por në përpjeket e gazetarisë për t’i mbijetuar censurës dhe autocensurës, ka dhe raste kur, gazetarët padisin zyrtarët dhe institucionet në gjykatë, për të drejtën e informimit. Dorian Matlia, avokat, i cili mbrojti çështjen e ‘Lapsi.al’ në Gjykatën e Strazburgut, dhe po ndjek disa të tjera në gjykatat shqiptare thotë se, problem shqetësues për gazetarët, ka qenë edhe qasja ndaj informacionit. “Përqendrimi më i madh i bllokadës le të themi, është tek institucionet e larta të pushtetit ekzekutiv”, – i tha ‘Zërit të Amerikës’ Dorian Matlija, avokat, Qendra Res Publica. Zoti Matlija thotë se, përkundrejt sjelljes arrogante dhe shpesh injoruese, siç shprehet ai, të institucioneve shtetërore për të dhënë informacionin që i kërkohet, në respket të ligjit për të drejtën e informimit, ka patur një përmirësim të praktikës gjyqësore në këtë drejtim. Ai nënvizon rastet e para të vendimeve për dëmshpërblim të gazetarëve që nuk kanë arritur të marrin informacionin e kërkuar, si dhe të vendimeve që bëhen të ekzekutueshme menjëherë, pavarësisht se autorietet zyrtare mund të ankohen në Gjykatën e Apelit. Një mandat i tretë i qeverisë socialiste, do të thotë për analistët më shumë përpjekje dhe energji për të ruajtur lirinë e shprehjes. Rreziku që i kanoset medias, siç shprehen ata, vjen nga disa drejtime, ndaj dhe mbrojtja sipas tyre, duhet të jetë e organizuar dhe shumfishtë.