Në 5 vite shqiptarët nxorën jashtë vendit 2 miliard euro

208
Sigal

 INSTAT/Shpenzimet e shqiptarëve për blerjen e pronave jashtë vendit, po rriten me shpejtësi  vit pas viti dhe fitimet e realizuara brenda vendit po transferohen pa kaluar në filtrin verifikimit të pastrimit të parave. Vetëm gjatë 2020 u raportuan se janë  nxjerë jashtë vendit 566 mln.euro dhe në 20 vitet e fundit shuma arrin në 4 miliard euro. Ja shifrat e detajuara

Shpenzimet e shqiptarëve për prona jashtë vendit, po rriten me shpejtësi vit pas viti, duke treguar se një pjesë e fitimeve dhe kursimeve që gjenerohen brenda vendit, transferohen jashtë vendit, duke blerë kryesisht banesa. Në seksionin e llogarive kombëtare për Prodhimin Kombëtar Bruto (PKB), INSTAT raportoi se, në vitin 2019, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit, arritën 69 miliardë lekë, ose 566 mln euro. Blerjet e pronave jashtë vendit shënuan një nivel rekord në vitin 2019, me një rritje vjetore mbi 44%.

Shpenzimet për prona jashtë vendit erdhën në rritje të vazhdueshme sidomos pas vitit 2011. Ato ishin të ulëta deri në vitin 2007, por pas krizës së vitit 2008, u pa një rritje jo e zakontë e tyre (shih grafikun bashkëngjitur).

Nga 7 miliardë lekë shpenzime për prona jashtë vendit në vitin 2007, një vit më pas, më 2008 kjo vlerë u rrit më shumë se katërfish, në 32 miliardë lekë.

Gjatë periudhës 2008-2013, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit ishin 1,6 miliardë lekë euro. Në vitin 2013 pati një rënie të treguesit, ku shihet të jenë shpenzuar vetëm 11 miliardë lekë, ose tre herë më pak se më 2012.

Blerjet e pronave jashtë vendit nisën sërish me ritme të shpejta pas vitit 2014. Sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 2014 në vitin 2019 shpenzimet e shqiptarëve për prona jashtë vendit arritën në 2 miliardë euro.

Rekordin e mban viti 2019, ku vlera e treguesit arriti në 69.7 miliardë lekë, ose 431 milionë euro.

Nga viti 1996 deri në vitin 2019, shpenzimet për prona jashtë vendit arritën në 497 miliardë lekë, ose rreth 4 miliardë euro.

Në mungesë të instrumenteve financiare, shqiptarët gjithnjë e më shumë po i shohin pasuritë e paluajtshme sidomos banesat si një mjet investimi. Kjo tendencë po shihet nga një vrull i madh i ndërtimeve brenda vendit.

Ndërtimet e reja, sidomos në Tiranë, janë luksoze dhe kanë si target blerës me të ardhura shumë të larta. Këto të ardhura që përdoren për blerjen e pronave, shpesh nuk justifikohen nga burimet zyrtare. Sektori i ndërtimit ishte një nga tipologjitë kryesore për pastrimin e parave nga Organizatat e krimit të Organizuar për vitin 2020, raportoi Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave.