VOA dhe DW pasqyrojnë protestën e aksionit të Partisë së Lirisë

117
Sigal

Në Shqipëri, Partia e Lirisë, ish Lëvizja socialiste për Integrim, e drejtuar nga ish presidenti Ilir Meta, organizoi mbrëmjen e së martës, një protestë pranë vendtrajtimit të mbetjeve, ose siç njihet inceneratori i Tiranës, për të denoncuar atë që siç e përkufizoi zoti Meta, është “afera më e zezë që zhvesh lakuriq shtetin e kapur për fyti nga mafiozët rilindas me Edi Ramën”. Meta gjatë fjalës që ai mbajti në përmbyllje të protestës, e para e organizuar nga kjo forcë politike, e cila ka paralajmëruar një stinë revolte ndaj qeverisë, por që sot pati një pjesmarrje modeste. “Kemi përballë një organizatë kriminale, ku drejtues është Edi Rama dhe pjesë e saj janë ministra, drejtorë dhe një rrjet i tërë kompanish hajdute, të ngritura nga vetë qeveria. Pra qartazi, është organizata më e madhe kriminale që realizon çdo ditë këtë vjedhje monstruoze”, deklaroi zoti Meta. Protesta është pasqyruar edhe nga Deutche Ëelle. DË shkruan: “Protesta, e para që nga themelimi i PL, ish-Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI), si forcë politike opozitare, synoi denoncimin e aferës korruptive të lidhur me impiantet e menaxhimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, për të cilën, që nga viti i kaluar po zhvillon hetime Struktura e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK). Rezultatet e deritanishme të hetimeve kanë sjellë sekuestrimin e dy inceneratorëve, atij në Elbasan dhe Fier dhe arrestimin e 9 zyrtarëve publikë me akuzën për korrupsion, të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, me akuzën e pastrimit të parave dhe deputetit socialist Alqi Bllako. “Jemi për të treguar me gisht këtë vend krimi që drejtësia dhe SPAK të shohin të vërtetën, të zbatojnë ligjin, të bëjnë detyrën e të çojnë hajdutët rilindas pas hekurave, për krimin e vjedhjes pa fre. Mjaft më me drejtësi me regji”, theksoi Meta.” Të dy mediat kanë evidentuar nisjen e aksionit opozitar të paralajmëruar nga Meta dhe Berisha ndërsa kanë cilësuar se në protestën e PL mori pjesë një përfaqësi e Partisë Demokratike, por jo vetë kryedemokrati.