“Vite më parë punova me Jenifer Lopez dhe Paris Hilton”

513
Sigal

INTERVISTA/ Flet stilistja shqiptare me famë botërore Ema Koja: “Jemi një racë shume speciale”

Ndoshta është e pabesueshme, por në vitin 2000 mori çmimin si stiluesja më e mirë në Paris, ku është dhe kryeqendra e modës. Vitet e rinisë ishte një volejbolliste e talentuar. Në vitet e ikjes së madhe emigroi në Itali dhe më pas në SHBA, ku tashmë është një nga stilistet më me famë në botë. Dashurinë për Shqipërinë e ruan me fanatizëm, ku këtë dashuri mundohet t’ia transmetojë dhe djalit të saj.

-Tashmë dihet se përveç stilimit ke edhe për zemër edhe sportin, kujt i kushton më shumë rëndësi?

-Dikur sportit, se sporti më ndihmon të jem në formë të mirë fizike e mendore dhe mban stresin nën kontroll, më lejon të stërvis tim bir dhe të shpenzoj kohë fantastike me të. Por moda dhe arti më japin kënaqësinë e veçantë të krijimit të diçkaje që nuk ekzistonte më parë. Më ka prezantuar me një botë dhe persona që kanë të njëjtin pasion si unë, por mbi të gjitha me suporton stilin e jetës që kam. Por unë kam më shumë se dy pasione, kombimimi dhe shprehja e këtyre pasioneve është burimi i frymëzimit tim. Çdo sezon përpiqem të shpreh diçka më komplekse se sa koleksioni i mëparshëm. Kjo më ndihmon të krijoj koleksione që janë shumë inovative dhe të papara.

– Çdo fëmijë ka ëndrra, cilat ishin ëndrrat tuaja?

– Kam kaluar nëpër shumë faza ëndrrash. Gjëja e përbashkët që këto ëndrra kishin ishte që më bënin të lumtur. Sporti (volejbolli), më bënte të lumtur, moda më bënte të lumtur, arti më bënte të lumtur. Mendimi që të bëhesha nënë më bënte të lumtur. Unë i bëra të gjitha një nga një. Kam qenë një fëmijë shumë e prapë. Nuk i lija dy gurë bashkë. (Qesh)

-Në vitet e rinisë, cili është kujtimi më i hidhur?

-Eh. Mos ma kujto. Kur vrava shpatullën në Itali në moshën 26 vjeçare dhe nuk do të luaja volejboll më. Ky është kujtimi më i hidhur.

– Ema në çfarë viti jeni larguar nga Shqipëria?

– Jam larguar në verën e vitit 1990. U vendosa në fillim në Itali dhe më pas në SHBA. Ika me dëshirën për tu bërë dikush dhe në vend të huaj. Kur unë arrita në Itali në moshën 20 vjeç mendoja që të huajt ishin më të mire se sa ne, sikur ato kishin një ekstra që ne na mungonte. Të dy vendet kanë të mirat dhe të këqijat e veta, megjithëse unë besoj që sistemi amerikan i përshtatet më mirë natyrës sime. Mendoj se fillimi ka qenë i vështirë…  Se mohoj që kam hasur pengesa, por unë u rrita me mentalitetin e një atleteje që e vogël, pa pengesa nuk rritje. Dhe kjo ishte një frymëzim për mua.

-Një ditë e zakonshme e jotja?

-Zgjohem në 06:30 dhe përgatis një mëngjes shumë të shëndetshëm për tim bir dhe veten. Kade, shkon në shkollë në orën 8:30-5:00. Pasdite ne së bashku shkojmë të luajmë beach volejbol me “met up group”, luajmë basketboll, patinojmë, ose shkojmë në oqean e notojmë. Kade është shumë aktiv që jam e detyruar t’ja konsumoj gjithë energjinë që ka përpara se të shkojmë në shtëpi. Ne hamë darkë në shtëpi dhe lexojmë përpara se flemë. Nga ora 8:30-5:00 unë jam në punishte, e cila valon me punë. Koleksionet përgatiten, fotografitë merren, stilistet vijnë të marrin fustane për celebritete, telefoni bie pa pushim, urdhërime dërgohen në të gjitha anët e botës nga Mexica në Arabinë Saudite, në Australi. Tesutet vinë nga Parisi e Korea, kristalet vinë nga Austria. Litra e litra me bojëra tesutesh nga veriu in USA. Nuk ka një moment të qetë për mua.

-Kush ishte shtysa që Ju të hapnit firmën e rrobave “Ema Savahl”?

– Kisha dy arsye: E para, nuk kisha dokumente dhe nuk mund të punoja në USA. Me letrat që kisha mund të punoja vetëm për vetën time, por kisha mundësinë të merrja letrat nëse krijoja një biznes e fusja në punë qytetarë amerikanë. E dyta, është se nuk mund të luaja më volejboll që kështu kisha një nivel të lartë urgjence të krijoja diçka tjetër.

– Fitove në 2000 çmimin si stilistja më e mirë në Paris, ku është dhe kryeqendra e modës. Si të ndryshoi ky event?

-Qëlloi në një moment shumë të veçantë dhe nuk pata mundësi të gëzoja përfitimet e këtij nominimi. Im bir po vinte në jetë në atë kohe dhe kisha gjëra shumë më të rëndësishme, ku të koncentrohesha.

-Po veshja juaj e preferuar?

-Ka raste që vesh rroba të shtrenjta, sidomos këpucët. Por nuk ka rëndësi për mua që rrobat të jenë të shtrenjta. Unë jam e mendimit që do të dukem mirë me çfarëdo buxheti që të kem për rrobat.

-Ke stiluar rroba për emra shumë të njohur si Paris Hilton, Viktoria Bekam, Kerry Kasem, Sofia Vergara, Ana Kurnikoven. Si mund të na e përshkruash punën me këto emra?

-Duhet të kihet parasysh se në USA ka një diferencë ndërmjet stilistave e dizenjatorëve. Ema Savahl ashtu si Armani o Valentino është një trend. Unë dizenjoj koleksionin tim dhe e shes nëpër butikët rreth e qark botës. Celebritetet e kalibrit që ti përmende kanë stilistë personal, të cilët vinë tek ne dhe zgjedhin koleksionet tona. Nganjëherë unë bëj a couture (alta moda) fustan për një celebritet, por jo shpesh. Celebritet, me të cilët kam punuar ishin njerëz normal si unë dhe ti Rita. Punova me Sofia Vergara që është shumë e ëmbël dhe e thjeshtë. Gjithashtu Caroline Wozniacki ishte shumë e pëlqyeshme. Vite më parë punova me Jenifer Lopez, ajo ishte e dashur dhe hiperaktive mbushur me energji dhe shumë e qartë rreth stilit të saj. Tamam ashtu si njerëzit normal ca janë të këndshëm, ca një çikë më pak.

-Koha është e shenjtë. Cili person të ka marrë dhe të merr më shumë kohë dhe cili personazhi që të ka lënë mbresa?

-Parësor pa diskutim është im bir! Një person do të ishte pronarja e companise PR  “Tara Ink”, me të cilën ne punojmë. Z. Tara Solomon më ka lënë mbresa për qartësinë e dëshirave dhe vendimeve që ajo ka. Tara di mirë atë që do dhe me një ëmbëlsi thotë JO-në më të fuqishme që kam parë dhe sigurisht pa justifikime.

-Se ke mohuar kurrë se je shqiptare….

-S’ka arsye se pse…Tani nuk kam nevojë të sforcohem të evidentohem.

-Dita më e bukur e jetës suaj?

-Pa diskutim 27 Qershor 2001 kur im bir lindi.