Vili Minarolli: Zyrtarët, të heqin dorë nga imuniteti dhe të vihen në dispozicion të drejtësisë

204
Sigal

Mendoj se ishte krijuar një precedent pozitiv në Shqipëri, kur një zyrtar i lartë apo deputet akuzohej, ai vullnetarisht hiqte dorë nga çdo mbrojtje që i garantonte ligji dhe vihej në dispozicion të drejtësisë. Më kujtohen së fundmi rastet e Mediut dhe Metës. Pas 2013 nuk pati asnjë rast të tillë, por në të kundërt mazhoranca parlamentare mbrojti mos heqjen e mandatit të një ish ministri (sot i burgosur) për bashkëpunim me krimin e organizuar. Por pati edhe një rast të paprecedent në historinë botërore, kur ish Kryeministrin Berisha e shpalli person non grata sekretari i DASH, zoti Blinken! Berisha e sfidoi publikisht duke i kërkuar të nxirrte të paktën një fakt të vetëm për akuzat që cilësohej, dhe ai do të largohej përfundimisht nga jeta publike. Asnjë përgjigje e DASH, jo vetëm për Berishën, por edhe për kërkesat e përsëritura të një kongresmeni amerikan. Shumica prej nesh që e njihnim Doktorin, por edhe shumica e shqiptarëve, e konsideruam këtë vendim të sekretarit Blinken si një masë për t’i mbyllur gojën një akuzuesi të parreshtur të mazhorancës dhe personalisht të kryeministrit Rama për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar. Rezultati ishte se “non grates “ të amerikanëve, jo vetëm nuk iu mbyll goja, por përkundrazi dëshmoi se ishte një luftëtar i paepur kundër korrupsionit.

Nga faktet e reja që kanë dalë së fundi mendoj se ky vendim ishte pasojë e pagesave që kanë bërë Rama dhe Veliaj për zyrtarë të lartë amerikan. Për të ardhur keq! Nejse, ideja e fillimit të shkrimit ishte te precedenti i dorëheqjes dhe vënia në dispozicion të drejtësisë. Këtë fillimisht duhet ta kërkojë drejtësia, por kur ajo punon me urdhër, kjo gjë pritet. Pastaj është në moralin e politikanit. Pyes: a e ka moralin Edi Rama të vihet në dispozicion të drejtësisë për akuzat që kanë dalë nga hetimet e drejtësisë amerikane? Duhet ta kishte bërë, por prap nuk është vonë.

Sa për parlamentin ai tashme e humbi vlerën e tij dhe deputetët e opozitës nuk duhet t’i nënshtrohen çdo vendimi që merret nga mazhoranca për përjashtimin e tyre se flasin ato që duhet të dëgjojnë shqiptarët.