VIDEO/ Pas apelit të Yuri Kim, Berisha u kujton demokratëve premtimin që ka bërë

221
Sigal

Ish-Kryeministri Sali Berisha, përmes një video të postuar vite më parë, ka risjellë në vëmendje të demokratëve, premtimin e tij, se edhe sikur 1 anëtar të ketë Partia Demokratike, ai do të jetë lideri historik i kësaj force politike.

Mesazhi i Berishës duket se është një përgjigje në distancë, por e drejtëpërdrejtë ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila pas takimit 1 orësh me kreun demokrat, Lulzim Basha, u shpreh e prerë për largimin e Berishës nga politika, madje duke perifrazuar edhe një shprehje nga koha e diktaturës “mos hani bar”.

Por Berisha është kthyer pas në kohë kur mbante postin e kryetarit teksa deklaronte se do të mbetet gjithmonë njëri prej anëtarëve të PD.

“Ju përshendes miq me betimin tim solemn para demokratëve të Shqiperise! Sb”, shkruan Berisha.

“Sikur 1000 të mbesin, do jem njëri prej jush. Sikur 100 të mbesin do mbetem njëri prej jush. Sikur 1 të mbesë do mbetem njëri prej jush. Rroftë Partia Demokratike. Zoti ju bekoftë”, deklaronte Sali Berisha disa vite më parë.

Yuri Kim i kërkoi Lulzim Bashës prerë që të distancohet nga Sali Berisha duke e larguar nga grupi parlamentar i PD-së për legjislaturën e re të parlamentit që do të nisë në shtator.

Kreu demokrat Lulzim Basha nuk ka preferuar të bëjë komente apo reagime publike lidhur me atë që mund të konsiderohet si çështja kryesore në optikën amerikane lidhur me opozitën, ndërsa ka premtuar se do të flasë në një moment tjetër.