VIDEO/ Kandidati për ministër i Jashtëm: Opozita po dëmton interesat e Shqipërisë

646
Sigal

Kandidati i Edi Ramës për ministër i Jashtëm, Gent Cakaj, veç problemeve që ka me mungesën e përvojës, më shumë se diplomat duket si militant partiak kur vjen fjala në çështjet e politikës së brendshme në Shqipëri.

Në ato pak deklarata që Cakaj ka dhënë për mediat lidhur me zhvillimet politike në vend, edhe pse nuk është njohës i mirë i zhvillimeve të tyre, ai nuk ka hezituar të sulmojë opozitën me një gjuhë përçarëse dhe denigruese.

Në intervistën që ka dhënë për gazetarin Baton Haxhiu në muaj nëntor 2018, një intervistë ku mesa duket qëllimi ka qenë promovimi tij si ministër i ri i ardhshëm në Shqipëri, Cakaj ka bërë jo pak gafa diplomatike. E para ishte dakordësia dhe mbështesja që Cakaj i jep idesë për këmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë. Kandidati për ministër doli hapur pro idesë së ndryshimit të kufijve në Kosovë, pra praktikisht për falje të territorit shqiptar Serbisë. Por ai shkoi edhe më tej duke folur edhe për ndryshim kufijsh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Madje, njeriu që mëton poston e kreut të diplomacisë shqiptare e barazoi çështjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë me atë të mes Kosovës dhe Serbisë. Heqja e një parelele mes situatës Kosovë-Serbi dhe asaj Shqipëri-Greqi është jo vetëm amatorizëm diplomatike, por gafë me pasoja të rënda.

Ndërsa gafa e dytë për petkun e kryediplomatit që pretendon të jetë, është sulmi ndaj opozitës në Tiranë. Cakaj e cilëson bojkotin e opozitës në Kuvend si një dëm që u bëhet interesave kombëtare të Shqipërisë, duke e lidhur këtë me procesin e integrimit.
Ai shprehet konkretisht: “Bojkoti parlamentar nga opozita në Shqipëri rrezikon të shëndrrohet në mosrealizim të një nga kritereve kryesore për hapjen e negociatave që është përmbushja e reformës elektorale. Kjo është një shembull par excellence sesi divergjenca opozitare manifestohet në problem të theksuar të shtetit si të tillë me institucionet, axhendën dhe interesat nacionale në raport me BE”.

Një deklaratë e tillë politike mund të jetë e kuptueshme nëse e bën një deputet i Partisë Socialiste, apo një “delfin” i Ramës në grupin parlamentar të PS. Por kur një qëndrim i tillë kundër opozitës bëhet nga një njeri që thotë se është diplomat karriere dhe synon të bëhet ministër i Jashtëm ky është një problem jo i vogël.

Një diplomat zakonisht nuk ngatërron politikën e ditës me axhendën e diplomacisë. Një diplomat prezanton interesat e vendit dhe Shqipërisë jo vetëm në Bruksel, por kudo ku ai flet dhe mundohet që të jetë përfaqësues i të gjitha palëve. Ndërkohë Cakaj ende pa hyrë mirë në politikën e Tiranës dhe ende pa marrë as detyrën si ministër shfaqet si sulmues profesionist i opozitës, madje duke e akuzuar dhe për “tradhti kombëtare”.

Çfarë ministri i Jashtëm mund të jetë një zyrtar i tillë që do të shkojë nesër në Bruksel jo për të kërkuar hapjen e negociatave, por si sharës profesionist i opozitës? Në situatën aktuale kur vendit dhe shqiptarëve në rajon u duhen “koka të ftohta” dhe profesionist të dialogut, njerëz që e shohin politikën e jashtme dhe politikën e brendshme si muhabete kafenesh thjeshtë jo vetëm janë të papërshtatshëm, por edhe të rrezikshëm.