Vepror Hasani: Korçë moj, ku t’i gjej shtëpitë e vjetra që të rilindnin sot?!

800
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryeministri Rama: Në Korçë çdo ditë rilindin shtëpi të vjetra

Sot Korça ka vetëm një shtëpi të vjetër, 200- vjeçare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me elektoratin në qytetin e Korçës, ndër të tjera tha: “Në Korçë çdo ditë rilindin shtëpi të vjetra”. Po ku janë shtëpitë e vjetra?! Askush nuk e di! Ndaj së pari pyeta veten: “Korçë moj, ku të t’i gjej shtëpitë e vjetra që të rilindnin sot dhe të na rikujtonin kohën e gjyshërve dhe të stërgjyshërve?” Eh, sa bukur do të ishte sikur Korça të kishte shtëpi të tilla, të vjetra! Jo se nuk ka patur, sepse Korçën e gjejmë të përmendur edhe në regjistrin e vitit 1431, ku shprehimisht thuhet:  “Vetë Korça-të pafetë që banojnë brenda në kështjellë ka: shtëpi 26, vejusha 5, beqarë 3, të ardhura 1695 akçe”. Me kalimin e viteve u ndërtuan shtëpi të bukura dykatëshe, me veranda, kopshte, lule, kangjella e rrugë të shtruara me kalldrëm. Banesat ishin krejt të bardha, ndërsa pastërtia binte në sy me vështrimin e parë: “Përreth xhamisë ishin vendosur trashëgimtarët e Iljaz bej Mirahorit, mytevelinjtë (kujdestarët) që ai la”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 46). Por sot Korça nuk ka asnjë shtëpi të vjetër ,që mund të rilindë, ato u prishën nga njerëzit e regjimit të kaluar, që qyteti të mos kishte të kaluar historike, pasi gjithçka duhej të kishte pamjen “e jetës së re”. Shtëpitë e mëdha nuk duhej të ekzistonin më. Sot, për të gjithë ata që nuk e dinë, qyteti i Korçës ka vetëm një shtëpi të vjetër 200 vjeçare.  Madje Korça ka edhe një kala që e mban të  fshehur, ajo ndodhet e groposur poshtë lulishtes “Vangjush Mio”, zbulimi i saj qe i rastësishëm gjatë punimeve në vitet 1923, 1937 dhe në vitin 2000, kur  në tri rastet dolën në pah muret e vjetra, të cilat u mbuluann sërish, sepse shumëkujt i pëlqen të mos flitet për trashëgimi.

 

Bukuria e Korçës la të mrekulluar edhe Edit Durham-in 

Me bukurinë e Korçës e mrekulluar mbeti edhe Edit Durham kur e vizitoi në vitin 1904. Për Durhamin, në gjithë pellgun e Korçës gjithçka ishte ndryshe. Pas vizitës, në librin e saj “Brenga e Ballkanit”, la të shkruar edhe këtë fragment: “Zbritëm  tëposhtë një shpati të pjerrët nëpër një shteg dredha-dredha dhe parasysh na doli liqeni i vogël i Maliqit, i katërti për nga madhësia në Shqipëri, nëpër të cilin rrjedh lumi Devoll. Para nesh u hap një fushë e madhe pjellore. Këtu s’kishte më kasolle prej balte. Në faqet e kodrave shtriheshin fshatra të rregullta me shtëpi prej guri e me tjegulla të kuqe të ndërtuara mirë. Mes tyre spikatin shtëpitë e mëdha të bejlerëve të pasur. Toka ishte e punuar bukur, rrugët shumë të mira dhe burrat ecnin me kokën lart e duke u lëkundur paksa. ” Këtu çdo gjë është shqiptare”, më tha shoku im, dhe e kuptova se kisha hyrë në atë pjesë të gadishullit ku ndodhesha si në shtëpinë time”.

Ndërtesat e vjetra nuk ekzistojnë më 

Sot ndërtesat e vjetra nuk janë më. Nuk ekziston godina qeveritare e kohës së themeluesit të qytetit, Iljaz bej Mirahorit, ndërtesa e bashkisë së vjetër,  ndërtesa e financës, e doganës, e gjykatës (1894) e postë-telegrafit, (1871) e  xhandarmërisë, Shtëpia e Oficerëve dhe ndërtesa të tjera qeveritare. Mungon Bezisteni, rrobalarësja një nga gjërat më të mrekullueshme të qytet të Korçës, të cilat bota i ruan edhe sot e kësaj dite, barnatorja (1909), Posta e Policisë etj. Mungon kazinoja e  kompleksi tregtar, që ka ekzistuar para luftës së II-të, në qendër të Korçës, midis gastronomisë dhe merkatos. Kuptohet, kazinoja ka patur ekzistuar më parë se këto. Ky kompleks kish konfiguracion thuajse të një katërkëndëshi, me oborr në mes, përreth kishte dyqane dhe lokale të ndryshme, madje në një dyqan të këtij kompleksi për nga ana perëndimore e tij ka qenë dikur edhe libraria e parë e hapur në qytetin e Korçës. Emri kazino duket se lidhet me ndonjë lokal të tillë që ka patur ky kompleks”. (Ilia Ballauri, Korça enciklopedica, nr. 4 f. 78). Mungon lumi i Korçës me mure prej qerpiçi, urat e ndërtuara sipër tij dhe ura me qemer. Prej ndërtimeve të vjetra ka mbetur vetëm shtypshkronja e ndërtuar në vitin 1909. Mungon Shtëpia e Lutfi Mehmetit e cila u përdor nga  Këshilli i Qeverisë së Krahinës Autonome. (Petro “Harizi historia kronografike e Korçës”, f 181). Mungon  shtëpia e Ali Qytezës, e cila  u shfrytëzua  për zyrat e kompanisë “Trikotazhi” të Nazima Ypit. ( “Gazeta e Korçës”, e mërkurë 28 korrik 1926). Mungon  Shtëpia e Mehmet Panaritit, e cila u shndërrua në spital (“Zëri i Korçës”, e martë 5 tetor 1926). Mungon  Shtëpia e Xhafer Luarasit dhe Lutfi Zvalanit që shërbyen si konvikte të liceut të Korçës. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 6 nëntor 1937) e shumë shtëpi e ndërtesa të tjera.

Korça, 500 vjet qytet pa taksa

Korça lulëzoi shpejt dhe bukur, sepse themeluesi i saj e shpalli qytet pa taksa. Më 1 të muajit Ramazan të vitit 910, sipas kalendarit hixhri, ose sipas kalendarit të sotëm, 1504-1505, Korça u shpall Vakëf. Fill pas marrjes së statusit “vakëf”, gjithçka u bë realitet. Përjashtimi nga detyrimet fiskale hyri në fuqi. Këtë privilegj do ta gëzonin brez pas brezi edhe bijtë e banorëve të Korçës. Vakëfi ishte bamirësia më e mire, që mund t’u bëhej njerëzve, kështu shkruhet edhe në vakëfname: “…Vakëfi është më e mira vepër, shpërblimi i të cilit i kthehet njeriut dhe në jetën e pasosur i jep dobi e fitim; vakëfi është më e madhja vepër e mirë nga pikëpamja e sevapit, më e çmueshmja nga pikëpamja e prodhimit, më e bukura e tyre që lë kujtim për të vijuar dobia e fitimi çdo kohë e ditë që kalon dhe sa herë që përsëriten vitet dhe motet”. (Fragment nga dekreti perandorak, Vakëfnameja). Aktivitetet tregtare dhe prodhuese të banorëve të Korçës nuk u regjistruan më në regjistrat fiskalë. Pazari, një nga projektet madhore të Mirahorëve, mori jetë: “Bërthama e tretë formuese e qytetit ishte pazari. Mospërmendja e tij në dy regjistrat kadastralë osmanë, 1431-1432 dhe 1568-69, e gjen shpjegimin në vetë përmbajtjen e këtyre dokumenteve: banorët e Korçës ishin të falur nga taksat dhe, si rrjedhim, në regjistrat e karakterit fiskal nuk mund të figuronte as pazari, për të cilin qendrat e tjera paguanin taksë” . (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 46). Lagjet e saj të hershme ishin: Tregu, Qoshku, Lumi, Sahati, Radaneci, Kulla e Hirit, Penço, Barçi A, Barçi B, Varoshi Poshtë, Manço, Mano, Manto, Qiro dhe Lagjja e re, të cilat i gjejmë të përmendura edhe në tërmetin e 28 janarit 1931. Spastrimi i trashëgimisë popullore dhe zvetënimi i kujtesës së banorëve filloi me vendosjen e diktaturës.

Ushqimi për të varfërit jepej falas

Ushqimi për të varfërit ishte i përditshëm dhe nuk do t’u mungonte kurrë: “Vakëflënësi i lartpërmendur vë si kusht që në këtë Imaret (Qendër sociale) të gatuhet e të furnizohet çdo ditë dy herë me ushqim, në drekë e në darkë. Do të gatuhet çorbë gruri dhe orizi etj dhe do të hajë kushdo që të jetë i pranishëm në kohë të bukës, i vobektë, pasanik, i varfër, i huaj, udhëtar e banues, fëmijët e studentëve etj, kushdo qoftë, ç’ka do që të hanë e kanë hallall dhe u bëftë mirë”. (Pjesë nga dekreti perandorak, kthimi në vakëfe i pronave të Mirahorit). Ushqimi që ofrohej nuk ishte sa për të gënjyer të varfërit, ose siç thuhet rëndom sa për të mbushur barkun me bukë. Në Qendrën sociale të Iljaz Bej Mirahorit gatuhej mirë dhe me cilësi. Enët ishin të kallajisura e të pastra, uji ishte i rrjedhshëm dhe i bollshëm. Qendra Sociale kishte kuzhinierë e ndihmëskuzhinierë, bukëpjekës dhe ndihmësa, magazinierë, druvarë, rojtarë, kallajxhinj dhe njerëz që kujdeseshin për ndriçimin dhe aredimin e Qendrës sociale. Që të varfërve t’u shërbehej sa më mirë të ishte e mundur, në krye të qendrës sociale u vendos Ali Abdullahu, sk llavi që kishte fituar lirinë. Ai do të shërbente për sa kohë që ishte gjallë.

Zgjerimi i Korçës nisi pas vitit 1840

Të gjitha këto që përmendem më sipër sollën zgjerimin e qytetit të Korçës: “Njoftimet mbi ardhjen e popullsisë fshatare në qytet gjatë kësaj periudhe i kemi që në vitin 1847. Dy fshatarë nga Orman Çifligu blenë nga pronat e kishës troje për banesë. Por këto troje ishin ende larg lagjeve të banuara, pranë kishës së Shën Marisë. … Më vonë, gjatë viteve 1868-1873, gjejmë akte shitje të shumta trojesh nga kisha për ndërtime banesash, të cilat më parë ishin toka të punueshme, ara ose bostane. Kjo gjë mund të ketë ndodhur dhe me tokat e tjera përreth qytetit, të cilat nuk ishin prona të kishës. Dhe me të vërtetë, ndër datat e banesave të kësaj periudhe, vitet 1867-1873 janë më të shpeshta… (Pirro Thomo, “Korça urbanistika dhe arkitektura”, f. 135). Kurse “Vllehët, të zbritur nga vargmalet përreth, të Moravës, të Gramozit, të Voskopojës, apo të ardhur nga Frashëri dhe Myzeqeja, u vendosën, kryesisht, në lagjen lindore të qytetit, në lagjen Barç, sepse kishin pranë kullotat e kodrave të qytetit, korijet dhe pyjet e Moravës, ku mund të kullotnin bagëtinë, dhentë e dhitë”. (Vangjush Ziko, “Korça, qyteti dhe kujtime”, f. 31).

Banesat u shtrinë deri te kafeneja e “Plakocit” (birrari “Dinamo”), dhe lart te kisha e “Shën Thanasit”, pra në gjithë shtrirjen e bulevardit të sotëm “Republika” në pjesën e sipërme të tij: “Edhe këtë verë me gjithë qerestetë e shtrenjta, shumë shtëpi po ngrihen. Mërgimtarët kur të urdhërojnë në Korçë do të çuditen, se tani qyteti nis që në kafene të Plakocit gjer në “Shën Thanas”. Lumi prapë do të ndërtohet me qerpiç, kështu pra, me pak kohë do kemi dy udhë të bukura anëve të lumit. (“Lidhja ortodokse”, e hënë, 31 maj 1910).