Vangjel Tavo: Largimi i “Rilindjes” nga pushteti është kthimi i shpresës për shqiptarët

496
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjirokastra ka patur në këto vite kryesisht deputetë turistë, që kanë ardhur një herë në katër vite për të bërë premtimet, marrë votat e pastaj kanë harruar hallet dhe shqetësimet e njerëzve të thjeshtë

Vangjel Tavo, drejtuesi politik dhe kandidat për deputet i LSI në Qarkun e Gjirokastrës në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se brenda pak viteve sekti i “Rilindjes” e shndërroi qarkun e Gjirokastrës nga Zemra e Jugut të Shqipërisë, qytetin e UNESCO-s, në një xhep gjeografik, me shpopullim të madh të banorëve, varfëri dhe papunësi ekstreme, duke detyruar familjet e thjeshta të jetojnë në kushtet e mbijetesës. 25 prilli nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh, është ZGJIDHJE për qarkun e Gjirokastrës dhe mbarë vendin. Qarku i Gjirokastrës nuk është i varfër por i vjedhur.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

-Zoti Tavo, ju denoncuat para disa ditësh se persona të sektit të Rilindjes provokuan, duke shpërndarë lekë në Gjirokastër, në emrin tuaj, si kandidat për deputet i LSI-së. Pati reagime nga institucionet ligjzbatuese?

-Po, unë bëra një kallëzim penal për këtë çështje. Ky inskenim i tyre erdhi fill pas denoncimit tim publik për blerje votash në qarkun e Gjirokastrës me llogari bankare të hapura dhe shuma parashë në këmbim të tërheqjes së kartës së identitetit, etj. E gjithë skema e përdorimit të një individi të panjohur që përdorte emrin tim ishte për të më njollosur mua. Por banorët e qarkut e dinë shumë mirë se kush është Vangjel Tavo ndaj e kanë larguar dhe nuk e kanë qasur. Pas kallëzimit tim nuk ka patur asnjë reagim nga institucionet ligjzbatuese me përjashtim të Ministrit të Brendshëm Çuçi, i cili e përdori këtë ngjarje serioze si barsoletë, ndaj edhe unë e ftova në një debat publik për t’ia shpjeguar në sy disa të vërteta dhe që banorët e qarkut të shikonin me sytë e tyre spërdredhjet e rilindasve, kur bëhet fjalë për çështje serioze dhe për të ardhmen e qarkut tonë. Kam ditë që e pres Çuçin, por nuk vjen, e në fakt si unë ashtu edhe të gjithë banorët e qarkut të Gjirokastrës e dimë arsyen.

“Rilindja” nuk di të bëjë asnjë punë, veçse të gënjejë, mashtrojë dhe të përdorë presionet për të qëndruar në pushtet. Po përdor të gjitha mënyrat për të intimiduar votuesit e madje duke i kërcënuar me largim nga puna, pra me bukën e gojës

8 vjet qeverisje nga Rilindja, cila është gjendja në Qarkun e Gjirokastrës, i cili ka patur dhe ka deputetë ministra të rëndësishëm si Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi?

– Gjirokastra ka patur në këto vite kryesisht deputetë turistë, që kanë ardhur një herë në katër vite për të bërë premtimet, marrë votat e pastaj kanë harruar hallet dhe shqetësimet e njerëzve të thjeshtë.  Madje ata as njohin emrat e zonave e jo më të banorëve, rasti i fundit ishte gafa e madhe që bëri Çuçi duke ia dhënë Tepelenës fshatin e Picarit. Këta lloj depuetësh turistë kanë drejtuar fatet e familjeve të thjeshta dhe qarkut. Duke mos ditur as historinë, vlerat, nevojat, shqetësimet, domosdoshmëritë që kanë banorët dhe vetë qarku ata kanë sjellë një shkatërrim të paprecendentë në historinë e qarkut tonë. Brenda pak viteve sekti i “Rilindjes” e shndërroi qarkun e Gjirokastrës nga Zemra e Jugut të Shqipërisë, qytetin e UNESCO-s, në një xhep gjeografik, me shpopullim të madh të banorëve, varfëri dhe papunësi ekstreme, duke detyruar familjet e thjeshta të jetojnë në kushtet e mbijetesës. Familjet sot vuajnë për bukën e gojës. Ndaj edhe beteja e 25 prillit është betejë për bukën e gojës së familjeve të thjeshta sepse janë të zhytyra në varfëri. “Rilindja” largoi me vetëdijen dhe dashakeqësinë më të madhe të gjitha drejtoritë: Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë; Drejtorinë Rajonale të Arsimit; Arkivin; Inspektoriatin Shtetëror Teknik Industrial; Drejtorinë e Peshëmatjeve (DPM); Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (ISHMPUT), shërbimin e Extensionit (këshillimit të fermerëve) së fundmi po i heqin edhe një shërbim tjetër Gjirokastrës duke e kthyer Spitalin në Gjirokastër bashkiak, me shërbime të kufizuara, dhe duke caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit. Banorët e Gjirokastrës do detyrohen të shkojnë në Fier për të marrë shërbimet shëndetësore. Po planifikohen dhe institucione të tjera që do t’ia heqin Gjirokastrës si Gjykata e Apelit, etj. Ky është plan papunësie dhe izolues. Qarku i Gjirokastrës nuk mund të shndërrohet në një xhep e provincë të humbur. Nuk do e lejoj kurrë, kurrë, kurrë. Jam zotuar publikisht që do i kthej të gjitha drejtoritë dhe institucionet. Dhe jo vetëm kaq, punësim, punësim, punësim për familjet e thjeshta që të shuajmë varfërinë e madhe që shkaktoi sekti malinj i “Rilindjes” në familjet e thjeshta.

A ka presion nga qeveria ndaj nëpunësve dhe më tej, ndaj elektoratit, për votën?

“Rilindja” nuk di të bëjë asnjë punë, veçse të gënjejë, mashtrojë dhe të përdorë presionet për të qëndruar në pushtet. Po përdor të gjitha mënyrat për të intimiduar votuesit e madje duke i kërcënuar me largim nga puna, pra me bukën e gojës. Kaq pak konsideratë ka “Rilindja” për administratën saqë e sheh vetëm si vota dhe jo qenie njerëzore dhe pasuri njerëzore në shërbim të komunitetit, ndaj edhe administrata nuk do e pranojë këtë shkelje të dinjitetit dhe integritetit të tyre dhe do jetë ajo që do i jape një shuplakë të rëndë “Rilindjes.” Dua t’u jap një mesazh punonjësve të administratës. Ju premtoj se asnjë punonjës i administratës nuk do largohet nga puna por vetëm ata që ju bëjnë presione dhe shantazhe për vota. U bëj apel edhe socialistëve të thjeshtë e të ndershëm: Mos lejoni t’ju fyejnë mëBashkohuni me ne. Siç jeni vetë dëshmitarë, Rilindja nuk përfaqëson familjet e thjeshta dhe njerëzit e vuajtur, por vetëm oligarkët. Mos votoni deputetët turistë, që nuk ju njohin as emrin e jo më hallet tuaja. Ata vijnë vetëm çdo 4 vjet për t’ju gënjyer e marrë votën pastaj Ju harrojnë.  Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë, dhe për të ndalur planet e liga të “Rilindjes” për ta lënë djerrë qarkun tonë që ata të kryejnë lirshëm trafiqet e tyre.

Deri tani, ju a keni konstatuar në Qarkun e Gjirokastrës blerjen e votës nga njerëzit pranë Rilindjes?

– Unë kam informacione për çdo gjë që ndodh dhe për cdo akt dhe shkelje ligjore që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të cilat do i bëj publike shumë shpejt. Paralajmëroj të gjithë ata që me urdhra apo me dëshirë shkelin ligjin dhe kryejtë akte penale se pas 25 prillit vjen 26 prilli, dhe kur deputetët turistë të kenë fikur telefonin dhe “Rilindja” të jetë shporrur, ata do përballen me drejtësinë dhe nuk do ketë asnjë amnisti. Ndaj bëni kujdes dhe mos t’ju marrë koka erë e të shfrytëzoheni më kot nga të humburit, por respektoni Ligjin dhe Kodin Zgjedhor dhe lërini njerëzit të votojnë lirshëm dhe sipas dëshirës.

“Njerëzit duan PUNË, PUNË, PUNË dhe mbështetje. Ky është misioni im të cilin do e përmbush plotësisht”

– Cilat janë premtimet elektorale të Rilindjes në Qarkun e Gjirokastrës, që sipas Jush, janë propagandë e jo mundësi të realizohen?

– Premtime elektorale të Rilindjes? Çfarë premtimesh? Nuk janë as premtime, janë përralla futuriste, me aeroporte në cdo qytet, me porte edhe ku ska det, e marrëzi të tilla qesharake që askush nuk i beson. Rilindja nuk ka program dhe as edhe një alternative por merret vetëm me kundërshtarët.  E kishte kazanin e timonin vetëm dhe çfarë bëri: Shqipëria e para në botë për emigrim në vendet e BE-së, përpara Sirisë dhe Irakut; e para për korrupsionin; e para për pastrimin e parave; për trafiqet dhe e fundit për klimën e biznesit; pagat,numrin e mjekëve për banorë dhe investimet në shëndetësi, dhe nga 5 pika që kishte në procesin e integrimit në vitin 2013, e coi në 15 pika.  E mori qeverinë me 63% borxh publik në 2013- dhe sot është 97.4%. Abuzime miliarda eurosh. Humbje 450 milionë eurosh në arbitrazhe që do paguhen nga familjet e thjeshta. Çfarë premtimesh do bëjë “Rilindja”? I varfëroi shqiptarët, largoi 400 mijë prej tyre, dhe u vrau shpresën.

Zoti Tavo, pse votuesi duhet të votbesojë LSI- në?

– Largimi i “Rilindjes” është kthimi i shpresës. Gjirokastra po kalon situatën më të vështirë në 30 vitet e fundit. Nuk mund ta lejojmë këtë situatë të pashpresë. Të gjithë duhet të ngremë zërin e të marrim pjesë masivisht në votime sepse 25 prilli nuk është thjesht një ditë zgjedhjesh, është ZGJIDHJE për qarkun e Gjirokastrës dhe mbarë vendin. Qarku i Gjirokastrës nuk është i varfër por i vjedhur.  Në qeverisjen e re ne do hapim vende të reja pune, do mbështesim familjet e thjeshta, pensionistët, bizneset, studentët, bujqësinë dhe blegtorinë, do e zhvillojmë qarkun tonë dhe do i kthejmë dinjitetin që meriton, duke e kthyer në ZEMRËN E JUGUT TË SHQIPËRISË. Do mbështesim turizmin. Gjirokastrën, qytetin e UNESCO-s, me vlerat e saj të rralla dhe të pashfrytëzuara do e zhvillojmë, mbështesim dhe promovojmë në përfitim të banorëve. Banoëve të qarkut të Gjirokastrës u drejtohem miqësisht, se: “Jam ulur me Ju në çdo shtëpi e kemi ndarë së bashku të gjitha shqetësimet Tuaja, ndaj është privilegj për mua të kem mbështetjen Tuaj, që të vazhdoj t’Ju shërbej, të jemi zëri dhe përfaqësuesi Juaj, i banorëve dhe familjeve të thjeshta të qarkut tonë, që të gjithë së bashku të rikthejmë SHPRESËN dhe familjet e qarkut tonë të kenë standarde më të mira jetese, të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë!” Familjet e thjeshta nuk mund të ushqehen me propaganda dhe premtime një herë në katër vite. Njerëzit duan PUNË, PUNË, PUNË dhe mbështetje. Ky është misioni im të cilin do e përmbush plotësisht.

-Faleminderit!