Balluku, krahas kërcënimeve me polici dhe humbje të vendit të punës, ironizoi punonjësit e “Albcontrol” për nivelin e tyre të pagave.
“A duhet marrë peng vendi për ta pasur rrogën 4400 dollarë”, tha Balluku, e cila shtoi se paga e kontrollorëve është ulur në 2490 dollarë, për shkak të efekteve të pandemisë.
Ministrja nuk e përmendi faktin se pagat e punonjësve të “Albcontrol” miratohen nga Bordi, pjesë e të cilës është edhe vetë Balluku.
Ajo zgjodhi të përdorte shifrat e pagës së kontrollorëve, për të hedhur në publik shashkën që grevistët ankohen për rrogat, megjithëse e kanë shumë herë më të lartë se sa mesatarja e të punësuarve në Shqipëri.
Por, ministrja Balluku, prej vitesh, ka qenë përfituese e drejtëpërdrejtë e pagave marramendëse nga “Albcontrol”, kur e drejtoi këtë institucion prej vitit 2013 deri në vitin 2018 sipas boldnews.Referuar të dhënave të deklaratave të pasurisë, Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së “Albcontrol” ka marrë nga 60 milionë lekë të vjetra deri në 77 milionë lekë të vjetra në vit, me një pagë mesatare mbi 6 milionë lekë të vjetra në muaj.
Më konkretisht, në vitin 2014, Belinda Balluku, në cilësinë e drejtoreshës së “Albcontrol” është paguar me një pagë vjetore në vlerë rreth 63 milionë lekë të vjetra.
Kjo shifër është ndër më të ultat në pagën e Ballukut në “Albcontrol”.
Një vit më pas, në 2015, Belinda Balluku arkëton, vetëm nga paga, rreth 67 milionë lekë të vjetra.
Në 2016, të ardhurat e Ballukut kapin shifër stratosferike për një zyrtar shteti-plot 77 milionë lekë të vjetra.
Në dy vitet e mëpasme, në 2017 dhe 2018, Belinda Balluku është paguar respektivisht me 63 milionë dhe 66 milionë lekë të vjetra.Dhe më e çuditshmja vjen më pas. Balluku vendos të largohet nga rroga e majme, për t’u mjaftuar vetëm me pagën rreth 16 milionë lekë të vjetra në vit si Ministre e Infrastrukturës.
Si ka mundësi që të lëshonte një pagë mesatare 70 milionë lekë në vit, për një tjetër rreth 5 herë më të ulët?
Ndoshta, është ndjerë keq që u ka marrë shuma gjigande shqiptarëve apo ndoshta ka pëlqyer të provojë postin e ministrit, megjithëse kjo do t’i sillte ulje drastike në të ardhurat zyrtare.