Vendimi që lë pa bukë fukarenjtë

586
Sigal

Fryhet organikat e shtetit me qindra të punësuar sezonalë, deri në fushatën elektorale

Shtohen listat e të papunëve, ndërkohë që hiqen qindra familje nga ndihma ekonomike
Jakup B. GJOÇA

Qeveria e Rilindjes është në krizë financiare, pas dhënies së 2.400 koncesioneve dhe tenderëve publikë, shumica e tyre me kërkesë të pakërkuar, por që kanë një faturë financiare më shumë sesa 2,6 miliardë euro. Qeveria, nëpërmjet kontratave që ka nënshkruar për këto koncesione, ka bërë që buxheti i Shtetit, të paguajnë çdo vit më shumë se 150 milionë euro, për 10 – 20 vitet e ardhshme. Kjo “sakrificë” financiare në buxhetin e shtetit, nuk mund të plotësohet dot me të ardhurat nga tatimet e as nga doganat, prandaj qeveria detyrohet që të shtrëngojë “rripin” familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, duke përjashtuar qindra prej tyre nëpërmjet VKM-së së djeshme, me ashpërsimin e kritereve më të rrepta për ato që deri dje përfitonin ndihmën ekonomike. Pra, nuk është ligji ai që përcakton, se cilët familje dhe individë do të përfitojnë ndihmë ekonomike, por VKM-ja e qeverisë, që mund të merren në çdo kohë dhe sipas rasteve dhe interesave politike të qeverisë. Dhe në fushatë elektorale, qeveria hap thesin për të joshur votuesit, por edhe pret me gërshërë, ato familje që janë të “pabindura” për t’i bindur të votojnë kandidatët e qeverisë për kryebashkiakë.

VKM-ja e djeshme: Kritere më të rrepta për marrjen e ndihmës ekonomike

Edhe pse ndihma ekonomike që jep shteti ynë për familjet dhe individët në nevojë është më e pakta në vlerë, në krahasim me vendet e Rajonit, sërish, qeveria gjykon se ajo është barrë e rëndë financiare për buxhetin e shtetit. Dje, qeveria me VKM, ka vendosur kritere shumë më të rrepta për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet dhe individët në nevojë, duke përjashtuar nga skema e dhënies ekonomike, të gjithë familjen, nëse një anëtar i saj punësohet, pa shpjeguar, rastet konkrete. P.sh., VKM-ja nuk përcakton, sa duhet të jetë numri i pjesëtarëve në familjen që merr ndihma ekonomike, sa duhet të jetë rroga e të punësuarit, që familjes duhet t’i presë ndihmën ekonomike. Marrim një shembull: Nëse një familje me 7 pjesëtarë, të gjithë janë të papunë, ose 1-2 pjesëtarë janë me pensione minimale dhe, ndërkohë, një pjesëtar tjetër i familjes punësohet me rrogë minimale, përse qeveria me VKM duhet t’i ndërpresë të gjithë ndihmën ekonomike familjes?

Ndihma ekonomike, lëmoshë dhe në këmbim të votave

Edhe 3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet vendore dhe qeveria me qëllim elektoral nxjerr tani VKM që të përcaktojë edhe një herë, se cilat familje do të marrin ndihmë ekonomike. Së pari, VKM nuk ka kritere, nuk ka shifra konkrete, që të përcaktojë sa duhet të jetë kufiri minimal i jetesës së një familjeje, apo të ardhurat vjetore të një individi, që të ketë të drejtën të marrë ndihmë ekonomike. Nuk ka shumë të përcaktuar me ligj sa është kufiri minimal i jetesës. Qeveria, duke përfituar nga ky boshllëk ligjor, përcakton ajo me kritere si të dojë, derisa as në VKM nuk përcaktohen shifra konkrete, se cilët individë, familje do të përfitojnë ndihmë ekonomike. Janë publikuar denoncime edhe nga kryebashkiakë, të cilët akuzojnë qeverinë se diskriminon qytetarët e bashkive, që nuk janë fituar nga kandidatët që ka mbështetur qeveria, duke mos u dhënë atyre ndihmën ekonomike. Duke mos pasur kufi minimal të të ardhurave, të përcaktuar me ligj, qeveria është ajo që i vendos shifrat, sipas interesave të çastit, e në rastin konkret, ndihma ekonomike do t’u jepet atyre familjeve, që “betohen” se do të votojnë kandidatët e propozuar nga qeveria për kryebashkiakë, dhe për të joshur votën e elektoratit, përcaktohet, paskëtaj, edhe shuma e ndihmës ekonomike.

Ja cilët përjashton VKM nga ndihma ekonomike:

  1. Në vendimin nr.955, datë 7.12.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: 1. Në kreun I, pas pikës 4.1.4 shtohet pika 4.1.5, me këtë përmbajtje:

“4.1.5. Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë në moshë aktive pune që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, krahas dokumentacionit të përcaktuar në pikën 4.1, paraqesin edhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni arsimor, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar një herë brenda një viti shkollor.”.

  1. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa: a) Në pikën 9, bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:
  2. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional;”.

  1. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës, apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.”.

  1. b) Pas pikës 9, shtohen pikat 9/1, 9/2 dhe 9/2.1, me këtë përmbajtje:

“9/1. Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë njëvjeçare, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:

  1. a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.146/2015, “Për punëkërkuesit”;
  2. b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit.

9/2. Drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror verifikojnë në familjet me anëtarë në moshë aktive pune dhe hartojnë çdo muaj listën e personave në moshë aktive pune, për t’ia përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Mijëra vetë punësohen përkohësisht, deri sa të mbarojnë zgjedhjet vendore

Çuditërisht, shumë rastësi ndodhin, që 2 -3 muaj para datës së zgjedhjeve, qeveria ka paralajmëruar që do bëjë për herë të parë në 5 vitet që qeveris, rritje rroge, jo më shumë se 7 %, në raste të veçanta deri në 20 % (ndërkohë, që çdo vit janë rritur rrogat e deputetëve, shpërblimet, dietat, pensionet e tyre, etj). Por, po kaq “rastësi” ndodh që qeveria të hap tenderët e punësimeve sezonale të vendeve të punës në administratë, ndërkohë, që realisht, në kohë tjetër, shkurtohen vendet e punës në administratën publike me kohë të plotë, sipas kërkesave, presioneve të FMN dhe BB, për shkak të shkurtimeve të fondeve publike, për të pakësuar borxhin publik. Punësimet e përkohshme në administratën zgjedhore në prag të zgjedhjeve lokale, bëhen vetëm për qëllime elektorale. Do punësohen militantët partiakë, për t’i shpërblyer për votat që duhet t’i japin kandidatit që mbështet qeveria në zgjedhjet lokale. Sa të mbarojnë zgjedhjet, qeveria i flak sërish në rrugë, në bazë të kontratës së punësimit të përkohshëm, dhe i lë me shpresë njerëzit, deri ën ardhjen e fushatës tjetër elektorale. Nëse qeveria punëson 1.700 punonjës me kohë të përkohshëm në administratën publike, në prag të fushatës elektorale, secili nga këta punonjës ka në familje të paktën 3-4 pjesëtarë, të cilët, natyrisht do të deshifrohen edhe në sasi votash të “mirënjohjes” për punësim. Po të shtosh këtu edhe pjesëtarë të afërm të fisit, miq, shokë, atëherë rritet në progresion gjeometrik edhe numri i votave të “mirënjohjes” të të punësuarve të përkohshëm për kandidatin e qeverisë, që do votojnë . Po të shtojmë edhe 500 të punësuarit, që nga janari, atëherë, vetëm me punësimet në prag fushate elektorale, qeveria mund të përfitojnë për kandidatët e saj më shumë se 10 % të votave të elektoratit. Njerëzit punësohen, edhe pse përkohësisht, qeveria përfiton votat e tyre dhe të gjithë jetojnë të gëzuar…!

VKM-ja e djeshme: 1.700 të punësuar të përkohshëm

  1. Në vendimin nr.16, datë 16.1.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
  2. a) Në pikën 1, të vendimit, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 693 punonjës;
    b) Në lidhjen nr.1, përmendur në pikën 1, të vendimit, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
    Shtohet ndarja “Gr.11, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, ndarja “Sistemi i Prokurorisë” dhe ndarja “Sistemi i Gjyqësorit”, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
    ii. Në ndarjet: “Gr.06, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”; “Gr.10, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”; “G.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”; “Gr.16, Ministria e Brendshme”; “Gr.63, Kolegji i Posaçëm i Apelimit”; “Gr.63, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit”; dhe “Gr. 87, Institucione të tjera qeveritare” shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
    2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet sipas lidhjes nr.1, të pikës 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.

VKM-ja për punësimin e 495 nëpunësve për vitin 2019, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil

  1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2019, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, të jetë, gjithsej, 495 veta, i ndarë sipas kategorive të mëposhtme: a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 8;
    b) Për kategorinë e mesme drejtuese 62;
    c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;
    ç) Për kategorinë ekzekutive 235.
    2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon: Shkenca juridike; Audit i brendshëm; Shkenca ekonomike; Shkenca ekonomike/juridike; Shkenca shoqërore; Shkenca sociale; Histori-filologji; Shkenca mjekësore; Veterinari; Agronomi; Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to; Kimi; Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme; Shkenca inxhinierike; Arkitekturë; Arkeologji dhe restaurime; Artet e bukura; Gjeodezi; Shkenca ekzakte; Shkenca edukimi; Mësuesi; Arsim i lartë ushtarak/policor; Arsim i lartë. . Institucionet e administratës shtetërore ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2019 janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Shpërblimet e shpronësimeve në këmbim të votës

Edhe shpërblimet bëhen marketingu i fushatës elektorale. Dje qeveria mori vendim me VKM që të shpërblejë me vlerën 100 % disa shpronësime që do të bëhen në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ndërkohë, që ka më shumë se 1 vit, që qeveria refuzon qindra familje të shpërblejë me vlerën 100 % të banesave dhe shtëpive që do të prishen për ndërtime me interes publik, në ato zona elektorale, ku nuk e ka të garantuar votën e tyre në favor të saj.

Ja shpronësimet në Don Bosko që do kompensohen në vlerë të plotë

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës që lidh rrugën ‘Don Bosko’ me rrugën ‘Egnatia’, Tiranë”.
    2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
    3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me vlerë të përgjithshme prej 3 496 528 (tre milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekësh.
    4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall”, prej 3 496 528 (tre milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Tiranë.

Shpronësimet në Vlorë, në zonën elektorale të kryeministrit

Kryeministri Rama nuk e harron elektoratin e tij, e ca më tepër në fushatë elektorale. Qeveria u përkujdes dje me anë të VKM, që të “ëmbëlsojë” elektoratin e vet, duke i dhënë dëmshpërblim për shpronësimet, duke bërë rikualifikime urbane në territorin e bashkisë Vlorë, (mund të kuptohet edhe shtesë shpërblimi). Në vendimin nr.356, datë 19.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në tabelën me listën e pasurive që preken nga projekti “Rikualifikim urban në territorin e Bashkisë Vlorë, faza I”, shtohet numri rendor 18 (tetëmbëdhjetë), sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlera shtesë, prej 3 952 337.5 (tre milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy mijë e treqind e tridhjetë e shtatë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.