Vendimi i KLGJ/ Analisti Sejamini: Euralius, shërbëtore e qeverisë

385
Sigal

Ditën e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendim që të kërkojë një mendim nga Euralius dhe OPDAT në lidhje me mandatin e Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Edhe pse mandati i tij ka mbaruar gjashtë vite më parë, Dvorani mbetet në detyrë edhe sot.

Analisti Neritan Sejamini komentoi këtë vendim për Syri Tv. Ai tha Euralius është një shërbëtore e qeverisë.

“Unë nuk jam jurist. Nuk mund të interpretoj këtë rast, por me aq sa kam lexuar, ai (Dvorani) duhet të largohet. Nuk ka rast në botë që mbaron mandati dhe qëndron në detyrë edhe 6 vite të tjera. Është rekord botëror. Edhe mënyra se si po e trajton KLGJ është heqje dorë nga funksioni i saj. I është drejtuar kanaleve politike dhe jo atyre ligjore për një vendim që nuk e merr dot. Është dëshpëruese të shohësh se cili është rezultati i reformës në drejtësi, kaq shumë të propaganduar,” tha Sejamini.

Për analistin është skandaloz fakti që KLGJ i drejtohet organeve jokushtetuese për vendimin.

“Sot KLGJ, me vendimin që ka marrë, iu drejtua organeve jokushtetuese, duke autorizuar një opinion që nuk kanë lidhje fare me strukturën shtetërore dhe nuk kanë status të japin opinione”, u shpreh Sejamini.

“KLGJ, në mënyrë skandaloze, në vend t’i drejtohet Gjykates Kushtetuese për interpretim, do t’u drejtohet partnerëve ndërkombëtare, d.m.th ca punonjësve privatë të EURALIUS-it që janë shërbëtorë të bindur të qeverisë. KLGJ po sillet jo si institucion drejtësie, por si institucion politik. Modeli Arta Marku bis për të mbajtur Dvoranin,” shkroi më herët në FB Sejamini.