Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i hoqi mandatin e deputetit Ilir Beqajt

1268
Sigal

Ekskluzive në ‘Telegraf’. Vendimi i Kushtetueses i tetorit 2011 që i hoqi Ilir Beqajt mandatin e deputetit, pasi përfitoi fonde publike për biznesin e tij

Ministri aktual Ilir Beqaj, jo shumë kohë më parë, përkatësisht në kuvendin e shkuar nuk mundi ta gëzoj mandatin e deputetit, pasi me vendimin nr. 44, datë 07.10.2011, Gjykata Kushtetuese

Vendimi nr. 44, datë 07.10.2011 ia hoqi mandatin, pasi në kundërshtim me ligjin, përfitoi fonde publike për biznesin e tij… Gazeta ‘Telegraf’ ka mundur të siguroj vendimin e plotë të cilin po e japim në vazhdim…

Vendimi nr. 44, datë 07.10.2011

 (V – 44/11)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Sadushi, Sokol Berberi, Altina Xhoxhaj, Admir Thanza, anëtarë, me sekretare Blerina Çinari, në datë­­­­­­­­­ 23.12.2010, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen nr. 41/26 Akti që i përket:

KËRKUES:-KUVENDI I SHQIPËRISË, përfaqësuar nga Lulzim Lelçaj dhe Jonida Dervishi, me autorizim.

SUBJEKT I INTERESUAR:

ILIR BEQJA, përfaqësuar nga avokatët Genc Çifligu dhe Eno Bushi, me prokurë.

OBJEKTI:-Konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zotit Ilir Beqja.

BAZA LIGJORE:-Neni 70, paragrafi 3 dhe 4, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

GJYKATA  KUSHTETUESE, pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Admir Thanza; kërkuesin që u shpreh për pranimin e kërkesës; subjektin e interesuar që u shpreh për rrëzimin e saj dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N: I

1. Në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me vendimin nr.602, datë 1.8.2009, ka shpallur kandidatët fitues për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Midis fituesve ka qenë edhe Ilir Beqja, i cili është shpallur deputet në Qarkun e Shkodrës. Ai ka bërë betimin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë me datë 25.2.2010.

2. Deputeti Ilir Beqja është ortak me 51% të aksioneve në shoqërinë “Intech+” shpk. Ky fakt vërtetohet nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR), e cila ka lëshuar një vërtetim që i është bashkëngjitur dokumentacionit të paraqitur prej kërkuesit. Shoqëria “Intech+” shpk ka marrë pjesë në tenderin e shpallur nga Bashkia Durrës në datën 22.10.2009 për informatizimin e kësaj Bashkie dhe është shpallur fituese e tenderit. Shuma e tenderuar për këtë qëllim ka qenë 24.240.000 lekë, e cila i është paguar Shoqërisë “Intech+” pjesërisht në datën 17.2.2010 dhe pjesërisht në datën 21.5.2010.

3. Një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë inicioi procedurën për deklarimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja, për shkak se ai kishte përfituar të ardhura nga fondet publike gjatë kohës që ishte deputet. Për këtë qëllim, deputetët inicues vunë në lëvizje Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili zhvilloi një seancë dëgjimore në prani të deputetit Ilir Beqja. Në përfundim të seancës Këshilli vendosi miratimin e projekt-vendimit: “Për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë me mandatin e deputetit Ilir Beqja”. Në datën 21.10.2010, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi projektvendimin me shumicë votash.

4. Kërkuesi pretendon se deputeti Ilir Beqja, në kundërshtim me nenin 70/3 të Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga buxheti i pushtetit vendor nëpërmjet një aktiviteti privat të ushtruar gjatë periudhës që ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht ditës së betimit, deputeti Ilir Beqja ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë, pasi Kushtetuta e lidh papajtueshmërinë me marrjen e mandatit jo me ushtrimin e tij. Për këtë arsye, bazuar në nenin 70/4 të Kushtetutës, ai kërkon konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja nga Gjykata Kushtetuese.

5. Subjekti i interesuar, deputeti Ilir Beqja, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, në seancën e zhvilluar para kësaj Gjykate, ndër të tjera, deklaroi se:

5.1 Vendimi nr.65, datë 21.10.2010 i Kuvendit është i pavlefshëm, pasi është marrë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. Votimi është i bërë i hapur, gjë që bie ndesh me parimin e votimit të fshehtë për çështjet që lidhen me personat. Përveç kësaj, pavlefshmëria e vendimit qëndron edhe tek fakti se ai nuk ka marrë numrin e duhur të votave të anëtarëve të Kuvendit, duke mos plotësuar shumicën e kërkuar nga neni 78/1 të Kushtetutës, pra kuorumin prej të paktën 71 anëtarë të Kuvendit. Bazuar në nenin 61/1 të Rregullores së Kuvendit, ky vendim është absolutisht i pavlefshëm dhe si i tillë nuk ka prodhuar asnjë pasojë juridike.

5.2 Ai nuk është në kushte papajtueshmërie, sepse mandati i tij quhet i filluar në ditën kur ai ka bërë betimin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe jo në ditën e shpalljes deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Duke qenë se detyrimet e kontratës së lidhur me Bashkinë Durrës janë kryer para kësaj date, ai nuk ndodhet në kushte papajtueshmërie me mandatin e deputetit.

II-Lidhur me vlefshmërinë e procesit të votimit të vendimit nr.65, datë 21.10.2010 të Kuvendit të Shqipërisë

6. Përfaqësuesi i subjektit të interesuar, Ilir Beqja, pretendoi se kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi vendimi i Kuvendit nr.65, datë 21.10.2010, me anë të të cilit është vendosur dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja, është i pavlefshëm. Pretendimi për pavlefshmëri bazohet në dy shkaqe: i pari i referohet procesit të votimit të hapur dhe jo të fshehtë, i dyti ka të bëjë me mosarritjen e kuorumit të përcaktuar nga Kushtetuta për miratimin e vendimit objekt shqyrtimi. Sipas subjektit të interesuar, në sallën e Kuvendit kanë qenë prezent 140 deputetë, ndërsa në votim kanë marrë pjesë 139 deputetë. Kanë votuar pro vendimit 70 deputetë, kundër vendimit 67 deputetë dhe kanë abstenuar 2. Shkaku që vota e një deputeti mungon, sipas subjektit të interesuar, ka qenë se vota e tij nuk është numëruar qëllimisht. Për këtë arsye, rezulton që numri i votave pro të jetë më i vogël se ai i kërkuar, pra në vend të 71 deputetë që duhet të votonin pro vendimit kanë votuar vetëm 70. Ky numër nuk përbën shumicën e deputetëve të pranishëm sipas nenit 78/1 të Kushtetutës dhe vendimit interpretues nr.29/2009 të kësaj Gjykate. Për këto arsye, ai pretendon se vendimi për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Ilir Beqja është i pavlefshëm.

7. Gjykata Kushtetuese (Gjykata) vlerëson se pretendimi i subjektit të interesuar është i pabazuar dhe nuk duhet pranuar. Lidhur me shkakun e parë për pavlefshmërinë e votimit, pra të votimit të hapur ose të fshehtë, Gjykata vëren se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Rregullorja e Kuvendit nuk parashikojnë mënyrën e votimit për raportin e 1/10 së anëtarëve të Kuvendit, kur vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Megjithatë, parimisht, sa i takon mënyrës së votimit në Kuvend, Gjykata vlerëson se vota e deputetëve nuk është e detyrueshme të jetë e fshehtë në të gjitha rastet, pasi deputetët janë pjesë e një organi ku formohet vullneti politik. Deputetët nuk kanë detyrim që, gjatë veprimtarisë së tyre, të jenë të paanshëm ose të pavarur politikisht, pasi ata nuk janë nëpunës publikë, gjyqtarë ose funksionarë të tillë nga të cilët pritet vendimmarrje e paanshme politike. Deputetët janë funksionarë të mandatuar politikisht dhe zgjedhësit presin prej tyre të sillen si të tillë duke respektuar parimet kushtetuese në një demokraci parlamentare.

8. Nisur nga ky fakt, Gjykata vlerëson se mënyra se si duhet votuar (hapur apo fshehtë), në rastet kur nuk është përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit mund të vendoset nga vetë deputetët, sipas rastit dhe çështjes, duke iu referuar edhe praktikave të mëparshme të ngjashme, nëse ka. Pranohet se në praktikën e parlamenteve operohet kryesisht me votim të fshehtë kur vendoset për persona (kryesisht në procese të emërimit dhe shkarkimit të tyre), për shkak se votimi i hapur mund të sjellë një paragjykim të personit që voton ose votohet dhe do të mund të ndikonte në sjelljen e deputetit ose shprehjen e vullnetit të tij politik, në rast se do të votonte në mënyrë të hapur.

9. Në çështjen në shqyrtim, subjekti i interesuar pretendon se meqë votimi për miratimin e vendimit të Kuvendit kishte të bënte me një deputet konkret, si rrjedhojë votimi duhej të ishte bërë i fshehtë. Gjykata thekson se, në çështjen konkrete, anëtarët e Kuvendit nuk votuan për heqjen ose për pavlefshmërinë e mandatit të deputetit Ilir Beqja, por votuan për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar ose jo papajtueshmërinë e mandatit të tij. Rezultati i votimit në Kuvend nuk solli shpalljen e papajtueshmërisë ose përfundimin e mandatit të deputetit, por vetëm vënien në lëvizje të Gjykatës, siç parashikohet në nenin 70/4 të Kushtetutës. Është kjo Gjykatë që vendos nëse ka shkaqe për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

10. Gjykata sjell në vëmendje vendimin e saj të mëparshëm, ku është shprehur se “…Kuvendi është organi që me rregullore interpreton jo vetëm normat kushtetuese por edhe normat e tjera të rregullores së tij në praktikën e rasteve konkrete. Në vendimin nr.75, dt.19.4.2002, Gjykata ka nënvizuar se pavarësisht nga rregullimi në Kushtetutë apo në ligj i procedurave të shkarkimit të gjyqtarit apo prokurorit, një gjë e tillë nuk e pengon Kuvendin të adaptojë rregulla të veçanta për çdo rast konkret apo për të gjitha rastet në tërësi…kur Kuvendi bën vetë interpretim të normave që nuk janë parashikuar nga Kushtetuta, por i takojnë interpretimeve e diskrecionit të vetë organit, Gjykata nuk mund të arrijë në konkluzione se votimi i hapur i Kuvendit në këtë çështje përbën element të një procesi të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues.” (Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr.21/2008). Për këto arsye, Gjykata vlerëson se mënyra e votimit të hapur nuk e bën të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për këtë çështje.

11. Sa i takon argumentit të dytë lidhur me pavlefshmërinë e vendimit të Kuvendit nr.65, dt.21.10.2010, pra të mosarritjes së shumicës së kërkuar për miratimin e tij, Gjykata çmon se ky pretendim nuk është i bazuar. Neni 78 i Kushtetutës parashikon se “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar.” Në mbështetje të kësaj dispozite është miratuar neni 55/1 i Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit “ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat konsiderohen të miratuara nga Kuvendi, kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë parashikohet shumicë e cilësuar për miratimin e tyre”. Koncepti i shumicës së votave lidhet, në kuptimin primar të saj, me votimin pro ose kundër të gjysmës së votave të anëtarëve të organit që voton plus një votë. Ndryshe kjo njihet edhe me shprehjen shumicë e thjeshtë. Për të arritur këtë shumicë duhet të llogaritet paraprakisht kuorumi i domosdoshëm që kërkohet të votojë dhe më pas të verifikohet numri i të pranishmëve në procesin e votimit. Me qëllim plotësimin e kuorumit të domosdoshëm llogariten edhe abstenimet, megjithëse nuk ndikojnë në rezultatin e votimit.

12. Gjykata, në një vendim interpretues të saj, ka arritur në përfundimin se numri i anëtarëve të pranishëm për zhvillimin e procedurave vendimmarrëse është të paktën gjysma plus një e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pra 71 deputetë. Rritja e  pranisë në procesin e votimit mbi kuorumin e domosdoshëm sjell rritje të numrit të anëtarëve që votojnë. Vendimi i Kuvendit konsiderohet i miratuar kur për të kanë votuar pro jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve që janë të pranishëm (Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr.29/2009).

13. Vendimi nr.65, dt.21.10.2010 i Kuvendit, sipas interpretimit të mësipërm të Gjykatës, në kushtet kur votojnë të gjithë deputetët e pranishëm, duhet të votohej me 71 vota pro. Në rastin konkret, është votuar fillimisht për praninë e deputetëve në sallë me qëllim përcaktimin e kuorumit të domosdoshëm për votimin e kërkesës së grupit të deputetëve. Sipas tabulateve të Kuvendit të Shqipërisë, rezulton se lidhur me praninë në sallë kanë votuar 137 deputetë. Pas verifikimit të pranisë së deputetëve në sallë, në një interval kohor prej disa minutash, është votuar për kërkesën e një grupi deputetësh të Kuvendit për dërgimin e çështjes Gjykatës Kushtetuese. Sipas tabulateve të këtij votimi, rezulton të kenë votuar 139 deputetë. Nga këta, 70 deputetë kanë votuar pro, 67 deputetë kundër dhe 2 kanë abstenuar. Nga procesverbali i votimit rezulton se 3 deputetë (P.Stërkaj, D.Tahiri dhe F.Tushe) nuk kanë votuar për praninë në sallë por kanë votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve. Ndërsa një deputet (F.Toçi), megjithëse ka votuar për praninë e tij në sallë, nuk ka votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve. Kjo ka sjellë që numri i deputetëve sipas votimit për praninë të mos përputhet me numrin e deputetëve që kanë votuar lidhur me kërkesën. Për sa më sipër, Gjykata konfirmon qëndrimin e saj të mëparshëm se për përcaktimin e kuorumit në një proces votimi duhet t’i referohemi vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar dhe jo numrit të përgjithshëm të deputetëve që ndodhen në sallë dhe që nuk votojnë (Vendim i Gjykatës Kushtetuese nr. 29/2009).

14. Gjykata çmon se një deputet që nuk shpreh vullnet me votën e tij dhe si rrjedhojë nuk ndikon në procesin e votimit në Kuvend nuk duhet të llogaritet në konceptin “shumicë e të pranishmëve” për efekt të kuorumit të votimit. Nëse do të pranonim të kundërtën, atëherë do të prodhohej një rritje artificiale dhe e pajustifikuar e kuorumit, gjë e cila nuk është në përputhje me qëllimin e ligjvënësit.

15. Sa i takon pretendimit të subjektit të interesuar se deputeti F.Toçi ka votuar lidhur me kërkesën e grupit të deputetëve, por vota e tij nuk është llogaritur qëllimisht, Gjykata vlerëson se në seancë nuk u soll asnjë provë që të vërtetojë këtë pretendim.

16. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se vendimi i Kuvendit për dërgimin e çështjes para saj për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zotit Ilir Beqja është votuar rregullisht dhe ka marrë shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që kanë votuar.

III-A. Lidhur me momentin e fillimit dhe të mbarimit të mandatit të deputetit sipas nenit 71/1 të Kushtetutës.

17. Doktrina mbizotëruese e përkufizon mandatin parlamentar si një akt të kalimit të sovranitetit nga populli tek përfaqësuesit e tij. Përfaqësimi, në kontekstin e mandatit parlamentar, nënkupton delegimin e të drejtës nga shumë persona tek një person i vetëm për të vendosur mbi çështje që lidhen me qeverisjen e vendit. Çdo qytetar konsiderohet si mbajtës i një copëze të barabartë të sovranitetit, i cili, i marrë në shumën totale të tij, bën të mundur marrjen e vendimeve nga mbajtësi i sovranitetit që është populli, nëpërmjet përfaqësimit të tij nga deputeti.

18. Në një sistem ku sundon sovraniteti popullor dhe parimi i demokracisë indirekte qeverisja realizohet nëpërmjet vullnetit të shumicës në parlament. Parlamentarët, nëpërmjet mandatit të marrë nga zgjedhësit, ushtrojnë sovranitetin kombëtar. Mandati parlamentar, në parim, është i përgjithshëm, domethënë parlamentarët përfaqësojnë kombin si të tërë dhe jo një grup votuesish, gjithashtu ai është dhe përfaqësues, që do të thotëse deputetët nuk janë të lidhur pas ndonjë urdhri apo dëshire që vjen nga elektorati. Parlamentarët gëzojnë pavarësi të plotë përballë elektoratit por edhe ndaj grupimit politik ku ata bëjnë pjesë. Ata mund të largohen apo bashkohen sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre. Për këtë arsye, pranohet se mandati parlamentar në një demokraci është i parevokueshëm.

19. Gjykata vlerëson se koncepti i mandatit parlamentar përmban detyrimin e përfaqësimit real të zgjedhësve. Populli merr pjesë në vendimmarrjen parlamentare nëpërmjet tërësisë së anëtarëve të tij dhe për këtë qëllim duhet të garantohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në vendimmarrje sipas kuadrit kushtetues të parashikuar për sistemin demokratik-parlamentar. Nga parimi i demokracisë përfaqësuese rrjedh detyrimi i deputetit që mandatin e besuar nga zgjedhësit ta ushtrojë realisht. Vetëm duke qenë plotësisht efektiv, pra i përfaqësuar tërësisht me të gjithë anëtarët e tij, parlamenti mund të realizojë funksionin e tij demokratik.

20. Nga parimi i mandatit përfaqësues dhe të pavarur nga urdhrat dhe ndikime të tjera rrjedhin disa pasoja juridike të tilla si: mos detyrimi i deputetit për të qenë apo mbetur pjesë e një grupi parlamentar të caktuar, mos revokimi i mandatit nga zgjedhësit apo partia politike etj. Mandati i deputetit duhet të kuptohet së pari si një akt përfaqësimi individual që lidhet me deputetin si individ dhe më pas me partinë politike ku ai bën pjesë. Si i tillë, deputeti ushtron në pavarësi të plotë mandatin e tij duke vendosur në bazë të veprimtarisë së tij interesin e të përfaqësuarve. Këtë ai e bën duke marrë vendime me vullnet dhe bindje të plotë, të cilat jo gjithmonë korrespondojnë me vullnetin e zgjedhësve që ai përfaqëson ose të grupimit politik ku bën pjesë.

21. Megjithëse kushtetutat e vendeve demokratike përcaktojnë se deputeti është përfaqësues i të gjithë popullit, i njohur ndryshe si parimi i ndalimit të mandatit detyrues, është logjike që ai nuk mund ta ushtrojë funksionin e tij i vetëm por në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të parlamentit me qëllim funksionimin sa më normal të këtij të fundit. Nëse një deputet, për arsye të ndryshme, ndalohet ose pengohet të ushtrojë funksionin e tij si pjesë e parlamentit, atëherë cenohet parimi i përfaqësimit si dhe raporti shumicë/pakicë i vendosur nga vullneti i zgjedhësve dhe që duhet të gjejë patjetër pasqyrim në parlament gjatë gjithë legjislaturës. Në një situatë të tillë deputeti nuk do të ishte në gjendje të sillte në parlament, aty ku formohet dhe shprehet vullneti politik i zgjedhësve, përvojën, bindjet dhe aftësitë e tij me qëllim qeverisjen sa më të mirë të vendit. Në raste të tilla duhet të gjejë zbatim parimi se çdo deputet është i rëndësishëm individualisht dhe si i tillë përbën një element të pandashëm nga tërësia e parlamentit.

22. Në këtë vështrim të përgjithshëm të mandatit parlamentar duhet parë edhe marrëdhënia e deputetit si individ me organin përfaqësues si i tërë. Deputeti është mbajtës i mandatit të lirë, i besimit të shprehur të zgjedhësit me anë të votës për ta përfaqësuar atë gjatë gjithë periudhës që zgjat legjislatura. Pra, në radhë të parë, mandati që i jepet deputetit ka si qëllim kryesor funksionimin sa më të mirë të parlamentit dhe jo drejtpërdrejt garantimin e deputetit si individ. Për këtë arsye, megjithëse mandati i deputetit, në pamje të parë, mund të konsiderohet si individual, ai nuk mund të kuptohet i shkëputur nga mandati i Kuvendit. Aspekti individual i mandatit parlamentar qëndron tek fakti se deputeti, me qëllim që të ushtrojë mandatin e përfaqësimit në mënyrë sa më korrekte dhe pa pengesa (për shkaqe politike ose jo) “vishet” me një mburojë ndaj ndërhyrjeve të paligjshme të pushteteve të tjera ose të vetë zgjedhësve. Nga ana tjetër, aspekti kolektiv i mandatit parlamentar i referohet mbrojtjes së vetë organit ligjvënës si i tërë dhe jo deputetëve të veçantë, si pjesë të tij. Deputetët përfitojnë nga kjo mbrojtje për aq kohë sa janë pjesë e organit ligjvënës dhe në ato raste dhe sipas kushteve që parashikon shprehimisht kushtetuta e një vendi.

 (Vijon nesër)