Atë Nikolla Marku: Anastas Janullatos po e vë Kishën Shqiptare në shërbim të interesave shoviniste greke

538
Sigal

Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare “Shën Maria”, Elbasan: Letër e hapur, drejtuar Atit të Shenjtë Papa Franceskut dhe Ambasadorit të SHBA-së, zotit Donald LU

Kisha Shën Maria, Elbasan, i është drejtuar Atit të Shenjtë, Papa Francesku, si dhe ambasadorit të ri të SHBA-së zotit Donald Lu. “Vlerësojmë vizitën dhe bekimin, së bashku me meshën e Atit të shenjtë Papa Francesku në Shqipëri. Kërkojmë një takim hyjnor dhe teologjik me Papa Franceskun për të biseduar drejtpërdrejtë mbi besimin, paqen dhe rrezikun e terrorizmit mbi kombin shqiptar, por edhe Ballkanin dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e kreut të Kishës Ortodokse “Shën Maria” në Elbasan, Atë Nikolla Marku. Ndërsa Ambasadorit të nderuar të SHBA-së në Shqipëri, zotit Donald LU, Atë Nikolla Marku i kërkon një takim të drejtpërdrejtë, “sepse zotëria e flet gjuhën shqipe. Ne thjeshtë kërkojmë që ta sqarojmë mbi problemet e kreut të Kishës Ortodokse Greke në Shqipëri, që përfaqësohet në mënyrë të paligjshme në Shqipëri me Anastas Janullatos”.

LETËR E HAPUR DREJTUAR AMBASADORIT TË SHBA-së ZOTIT DONALD LU

 Zoti ambasador!

Ju shpreh respektin dhe mirënjohjen për kontributin dhe vlerësimin pozitiv ndaj vendit tim, por dhe ndaj besimtarëve ortodoks shqiptar. Respekti juaj ndaj besimtarëve ortodoks shqiptar kulmoi me vizitën tuaj në kishën tonë para pak kohësh.

Kërkojmë bekimin e Zotit që si Ju dhe kombi shqiptar, të realizojmë aspiratat e përbashkëta për një rajon Ballkani në zhvillim dhe paqe të përhershme. Ne jemi të bindur se Ju me diplomacinë Tuaj, do të jeni në mbështetje të kombit shqiptar i cili ka probleme jo pak, që nga klasa politike e deri tek sovraniteti ekonomik dhe pavarësia reale përballë korrenteve politike europiane. Po gjithashtu, ne shpresojmë në mirëkuptimin Tuaj dhe për problemet fetare dhe, kryesisht, ato të Autoqefalisë së vërtetë Ortodokse Shqiptare. Probleme që vazhdojnë të jenë në dëm të identitetit dhe historisë ortodokse shqiptare. Në shenjë respekti dhe mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për ambasadorët e saj që në kohë të hershme, ambasadorë të cilët vazhdimisht kanë dëshiruar përparimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar, ne e ndiejmë si obligim t’Ju paraqesim një informacion të shkurtër rreth konfliktit parimor të lindur që me ardhjen në krye të kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në mënyrë të paligjshme të shtetasit grek Anastas Janullatos, si Kryepeshkop i kësaj kishe. Jemi të detyruar të bëjmë një shpjegim të këtij konflikti, si në aspektin teologjik, ashtu dhe në atë ligjor, për të mos i lënë hapësirë interpretimeve të pavërteta dhe trillimeve, që dalin vazhdimisht nga struktura antishqiptare apo vorio epirote në Greqi, kundër identitetit dhe historisë Ortodokse Shqiptare.

Ortodoksia Shqiptare, në historinë e saj, ndryshon shumë përsa i përket Ortodoksisë Lindore.

Ortodoksia Shqiptare nuk është përzier në lojëra politike që i kanë dhënë zhvillime negative njerëzimit. Në statutin e vitit 1936 të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, statut i miratuar nga Mbreti  i Shqiptarëve Zogu-I dhe punuar me mjeshtëri nga At Fan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kici, të cilët kanë qenë drejtues të saj si Kryepeshkopë, në Nenin 16 përcaktohet qartë se: “Kryepeshkopi duhet të jetë prej gjaku dhe gjuhe shqiptar”. Statut i njohur dhe nga Patriarkana e Stambollit. Ky statut është i pandryshueshëm edhe sot, sepse është i shenjte dhe i përjetshëm. Influenca e politikës greke, pjesërisht në klasën politike shqiptare, ka bërë që ky person të jetë në krye si Kryepeshkop. Ne jemi të shqetësuar për këtë njeri, sepse nuk kryen në të vërtetë misionin e tij fetar, por përpiqet që disa pakica të kombësive të tjera, t’i quajë grekë. Ne kemi të dhëna se ky person bashkëpunon dhe me financime me grupe që kërkojnë territore të Shqipërisë në Jug, duke përdorur misionin fetar. Çdo tentativë, për ta larguar këtë person ka dështuar për shkak të ndërhyrjes së shtetit grek në Këshillin e Europës, duke akuzuar Shqipërinë e brishtë për cenim standardesh ndërkombëtare. Në disa raste, shteti grek ka persekutuar emigrantët shqiptarë. Anastas Janullatos, kërkon me çdo kusht që ortodoksëve shqiptarë t’u implementohet një dogmë fetare me shenjtorë grekë, rusë, serb etj. Qëllimi i tij është që ortodoksët shqiptarë ta ndiejnë veten ndryshe nga shqiptarët e besimeve të tjera dhe të vihen në shërbim të mendësive ortodokse greke. Ne, ortodoksët shqiptarë, nuk jemi pjesë e boshtit politiko-fetar, Athinë-Moskë-Beograd, bosht i cili vazhdimisht është kundër interesave të drejta dhe zhvilluese të Perëndimit.

Anastas Janullatos kërkon të ndryshojë strukturën kishtare ose administrative, gjë që e ka bërë në disa kisha. Arkitektura e ndërtimit të kishave është e stilit helen, me fonde që asnjëherë nuk bëhen transparente. Gradualisht, po largohet nga liturgjia shqiptare dhe po përdor atë greke.

Krijimi i Sinodit të Shenjtë, me pjesëmarrje dhe të personave me nënshtetësi greke, është një shkelje tjetër e statutit të shenjtë dhe të përjetshëm. Autoqefalia Shqiptare, ndarjen nga kisha greke e ka paguar me gjak martirësh, të cilët e shihnin të vërtetën dhe zhvillimin në Perëndim. Fatkeqësisht, dobësitë e tranzicionit shqiptar, si dhe nevojat e shqiptarëve për një punësim apo qëndrim jashtë shtetit, i shfrytëzon Anastas Janullatos, duke u kërkuar të ndryshojnë emrin dhe besimin. Kjo arrihet me ndihmën e shtetit grek dhe papërgjegjësinë e disa qeveritarëve shqiptarë. Ky është një realitet i hidhur për ne, por më mirë e vërteta se zhgënjimi në fund. Në këtë konflikt, ne jemi udhëhequr nga edukata dhe shpirti kristian me mënyrën paqësore dhe dashurinë. Kundërshtimi ynë ndaj Janullatosit buron nga e drejta dhe vërtetësia nën dritën e Zotit, për të drejtën teologjike dhe ligjore, në atë që kërkojmë për ortodoksët shqiptarë dhe për kombin shqiptar në Ballkan. Tashmë është e qartë vepra e tyre në dëm të Shqipërisë:

– Veprimet politike brenda kishës së Janullatos dhe shërbëtorëve të tij.

– Veprimet me eshtrat e ushtarëve pushtues grek, duke shtuar numrin në mënyrë artificiale, për t’u quajtur dëshmorë të Vorio Epirit.

– Ndërrimin e emrave shqiptarë në grekë.

– Financimet me bekim të Janullatosit për të pushtuar jetën ekonomike, politike e fetare të Shqipërisë.

– Fjalimet e Janullatosit në organizma ndërkombëtare, për gjoja mungesë të drejtash të ndryshme në Shqipëri.

– Qëndrimet e shtetasit greko-amerikan Nikola Geixh, në dëm të territorit dhe identitetit shqiptar.

– Thirrjet e konsullit grek në Korçë për deklarim të rremë të kombësisë dhe fesë.

– Fushata e Vangjel Dules dhe organizatës “Omonia”, pro regjistrimit falsifikues të popullsisë.

– Faqet në internet të Vasil Bollanos për autonomi të Himarës si dhe marrja pjesë në mbledhje të pseudo qeveria e Vorio Epirit etj..

Ju bëjmë me dije se plani grek është të tjetërsojë identitetin shqiptar në tre drejtime si: feja, gjuha, kombësia. Mbas këtij tjetërsimi, ata do kërkojnë referendum për shkëputje nga trualli i atdheut. Denoncojmë si ndërhyrje në punët e brendshme, por dhe në Kushtetutën e KOAKSH veprimet e nënshtetasit grek Anastas Janullatos, i cili përpiqet të ndryshojë disa ligje të statutit apo kushtetutës kishtare, me qëllim që t’i përshtatë sipas interesit të tij personal e helenizimit përfundimtar të kësaj kishe. Statuti i kishës është i përjetshëm dhe i fundit, i miratuar dhe nga Patriarkana e Stambollit, statut që nuk lejon asnjë Kryepeshkop pa gjak shqiptari, gjuhën shqipe, si dhe nënshtetësinë shqiptare. Ne i jemi drejtuar edhe ambasadës greke në Shqipëri, duke i bërë të ditur se, nënshtetasi i saj është i padëshirueshëm dhe merret me punë që i përkasin shovinizmit fantazist grek. Anastas Janullatos, ky gjeneral dhe drejtues shpirtëror i partisë raciste dhe antiamerikane “Agimi i artë” në Greqi, duhet të largohet nga Shqipëria. Shpeshherë, shteti shqiptar është përkulur përpara nacionalizmit dhe shovinizmit grek. Zoti ambasador, Anastas Janullatos bashkëpunon me kishën serbe dhe atë ruse, në dëm të shqiptarëve që jetojnë në atdheun e tyre si stërnipër të pellazgëve. Jo rrallëherë, Janullatos përhap ndjenjë antiamerikane në mes të besimtarëve. Pavarësisht nga puna e tij në dëm të shqiptarëve, ne nuk do të lejojmë që lidhja shpirtërore midis kombit shqiptar dhe popullit amerikan të cenohet nga mosmirënjohës dhe shovinistë grekë. Vlerësojmë vizitën tuaj në kishën e vërtetë ortodokse shqiptare dhe gjithmonë do të jeni i mirëpritur si mik dhe mbështetës i kombit shqiptar. Është kënaqësi dhe respekt për mua t’Ju takoj Juve personalisht në ambasadën tuaj, për të trajtuar disa probleme kardinale që na shqetësojnë si besim dhe me gjerë, në lidhje me sigurinë e Ballkanit dhe të paqes në përgjithësi, përhapja e terrorizmit po na shqetëson të gjithëve. Gjuha shqipe, që ju e flisni mjaft mirë, do të më ndihmonte të shprehem drejtë në takimin konfidencial me ju. Besoj se me ndihmën e Zotit, ky takim do të realizohet! Zoti bekoftë punën tuaj dhe Shtetet e Bashkuara!

DREJTUAR ATIT TË SHENJTË PAPA FRANCESKU, KREU I KATOLICIZMIT NË MBARË BOTËN

 Gjatë vizitës në Shqipëri, Ju, Papa Francesku, na surprizuat dhe habitët në kuptimin më shenjtëror, duke dhënë konkluzione, këshilla dhe fjalime plot dashuri dhe mirësi. Thelbin e këtyre shprehjeve, plot dashuri për kombin shqiptar, të përmbyllura me meshën bekuese ndaj atdheut tonë, nuk do t’i harrojmë absolutisht kurrë, sepse gjithçka që bëtë Ju në Shqipëri, është e ngjashme me mesazhet e Shën Palit, të cilat janë të përjetshme. Po citoj disa më kuptimplotat, duke i zgjeruar në përmbajtje:

“Shqiponjat fluturojnë lartë, por kthehen në folenë e tyre”. Askush nuk na ka vlerësuar në këtë mënyrë të drejtpërdrejtë për identitetin tonë, që nga personalitete fetare dhe aq më pak politikanë. Ne e dimë se shqiponja është simboli ynë kombëtar i identitetit. Po gjithashtu, simbolikisht në forma të ndryshme ne jemi quajtur “vendi i shqiponjave”. Besoj se, kuptimi më i thellë është se çfarëdo që bëni dhe kudo ku shkoni, mos harroni se jeni shqiponja që ktheheni në fole. Pra, ne jemi vetvetja dhe ekzistojmë që nga pellazgët. Kthimi në fole është kthimi tek besimi dhe vlerat tona si komb i hershëm dhe europian.

“Ju jeni një komb i vjetër, me histori martirësh që keni vuajtur në shekuj”. Pothuaj askush s’ka njohur meritat dhe vlerat në dobi të njerëzimit që ne kemi si komb, sidomos për periudhën e Skënderbeut si kalorës i krishtërimit dhe qëndresa ndaj diktaturës komuniste.

“Ju jeni populli me moshën më të re në Europë, ju keni mundësi të rrisni besimin në Zot dhe mirëqenien tuaj, sepse jeni e ardhmja”. Sa here jemi helmuar vetëm me lajme të hidhura ndaj rinisë sonë, apo ndaj fëmijëve tanë? Pothuaj po mbyteshim në një det dëshpërimi, por ja tek janë këto fjalë plot dashuri dhe bekim nga Papa Francesku.

“I thoni jo parasë”. Patjetër që behet fjalë për korrupsionin, ne e dimë mirë se korrupsioni lind tek shtresat e larta të pushtetit dhe nga varfëria. Papa Francesku i foli drejtpërdrejtë duke e mbyllur me porosinë hyjnore “mos mëkato më!”.

“Ruajeni harmoninë fetare, bashkëpunoni me njëri-tjetrin, pavarësisht se si lutemi, por pa hipokrizi”. Dua të ndalem pikërisht tek fjala “hipokrizi”. Jam i bindur se ndonjë individ e përdor hipokrizinë dhe Papa Francesku është në dijeni.

“Ju jeni një vend europian, punoni për popullin dhe atdheun tuaj”. Me këtë thënie, të dukej se Papa ishte shqiptar.

“Unë ju bekoj ju”. Një meshë botërore, por veçanërisht për kombin tonë, së bashku me krerët e besimeve fetare. Një mrekulli! Mrekullia më e madhe ishte pjesëmarrja e jashtëzakonshme nga të gjitha besimet fetare, por dhe nga rinia e jashtëzakonshme. Ishte hera e parë që mediat i bënë një reklamim dhe mirëseardhje për të sensibilizuar çdo shqiptar në mënyrën më pozitive dhe plot dashuri për vizitën e Papa Franceskut. Askush nuk na ka trajtuar me aq dashuri, respekt dhe vlerësim të vuajtjeve tona si komb, deri në një meshë në zemër të Shqipërisë, meshë që u ndoq nga miliarda katolikë në të gjithë globin. Katolikët e globit mësuan nga Papa Françesku se është edhe Shqipëria tokë dhe komb martirësh të besimit në Zot. E them dhe shkruaj me bindje të plotë se, mrekullia e Papës Francesk ishte treqind mijëshe në njerëz, por dhe më tepër, po të shtosh dhe njerëzit që e ndoqën në televizione. Zoti na dha paqe dhe lumturi atë ditë të bekuar, kur Ju, Papa Francesku, ishit në mes të Kombit Shqiptar dhe në zemrat e çdo katoliku në të gjithë globin. Në shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, vërejtëm se kishte një pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve ortodokse botërore por, me keqardhje një pjesë nga ata klerikë dëshirojnë të na njohin të pavarur si kishë nëpërmjet portave të Athinës dhe helenizmit ortodoks grek. Është një dëshirë shekullore që të mos ketë kishë ortodokse të kombit shqiptar, për arsye të shovinizmit grek mbi Shqipërinë. Ky shovinizëm përdor ndërhyrje greke nëpërmjet besimit ortodoks, me të dërguar e klerikëve grekë në Shqipëri, me në krye Anastas Janullatos. Për mua, personalisht, do të ishte një privilegj të vizitoj Vatikanin dhe Ju personalisht, për të biseduar për probleme kardinale që më shqetësojnë personalisht në lidhje me mbarëvajtjen e besimit ortodoks në Shqipëri. I lutem Zotit dhe shpresoj se një ditë do të mund t’iu takoj.

Zoti bekoftë shpirtin dhe jetën Tuaj në misionin hyjnor që drejtoni! Amin!

Bllofi presidencial i Anastas Janullatosit

 Propozimi për president të shtetit grek, ofruar zotit Anastas Janullatosit nga dyshja Cipras-Geixh, ishte aspak serioz, por një blof për të mbajtur Janullatosin si figurë në lartësinë e duhur, për shkak të misionit të tij në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Ky propozim ishte një shantazh i pastër diplomatiko-fetar ndaj shtetit shqiptar dhe besimit ortodoks shekullor shqiptar. Një treshe adoleshentësh, Cipras-Geixh-Janullatos! Besimtarët ortodoks dhe shteti shqiptar nuk duhet të bien pre e shantazhit dhe presionit diplomatik me orientim Vorio-Epir.