Realiteti, rilindin radhët e stërzgjatura në këto zyra për një vërtetim papunësie

    565
    Sigal

    Ndërsa qeveria pret shiritat e inaugurimit të zyrave të reja të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe i pagëzon ato fabrika të prodhimit të vendeve të punës

    Të vetmet shirita që priten, pas 23 qershorit, janë inaugurimet e zyrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. PS-ja kur ishte në opozitë akuzonte kryeministrin Berisha se por inauguronte çdo kilometër gjatësi rrugë, si korridore të reja ndërtimi të rrugëve kombëtare dhe në fakt, në këto 18 muaj qeverisjeje, kryeministri Rama nuk ka prerë asnjë shirit inaugurimi të rrugëve. Pasi, në të vërtetë, jo se u kursyen shiritat, por ende asnjë rrugë nuk përfundon së ndërtuari.

    Shirita inaugurimi për zyra, jo më për rrugë

    Në fakt, asnjë qeveri nuk mund t’i shpëtojë mendësisë së suksesit të punës së saj, që matet me prerje shiritash inaugurimi, ndaj edhe kjo qeveri e tanishme, s’mund të bëjë përjashtim. Veçse ndryshoi dekorin e inaugurimit. Prioritet politiko-ekonomik i qeverisë u dha në inaugurime zyrash të punësimit, jo se ato mungonin, por se shiritat e inaugurimit duhen prerë edhe kur bëhen restaurime, sikurse suva e re, bojë tjetër, e ndërrim abazhurësh dhe dizajn të brendshëm mobilimi të zyrave. Konkretisht, dje vetë kryeministri, por edhe ministri që nuk mungon në asnjë inaugurim, Veliaj (thonë që pas tragjedisë së vdekjes së një fëmije nga të ftohtit, në shenjë zie, ministria e Veliaj, nga ajo e “Mirëqenies”, do të cilësohet ndryshe, por akoma nuk ka përfunduar projekti), inauguruan zyrën e restauruar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Laç. Themi e restauruar, pasi qytetari Sokrat Turtulli, sa mori haberin e inaugurimit, u gëzua duke u shprehur në Facebook-un e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genc Kojdheli, se “ shpëtoi dhe Laçi më në fund, hahahhahaha”, ndërsa Kojdheli i përgjigjet: “Ndoshta s’ka shpëtuar Sokrat, por po të postoj edhe fotot e zyrës së vjetër, që të kesh mundësi të vlerësosh diferencën!”

    “Qytetarët duan muaj të tërë për të marrë një vërtetim …papunësie”

    Në zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, të Qarkut të Tiranës, janë rikthyer radhët e stërzgjatura të qytetarëve, të cilët presin t’u kryhet qoftë edhe një shërbim i vockël, sikurse të marrin një vërtetin papunësie, që u duhet për të marrë kompensimin që ministri Veliaj u premtoi për energjinë elektrike, apo edhe rinovimin e dokumentit për shërbim shëndetësor, apo rinovimin e librezës së papunësisë. Ka muaj të tërë kjo gjendje, por ministri Veliaj është i zënë me inaugurime zyrash të reja dhe me daljen e fotove pas çdo ndihme kilogrami sheqeri e lavatriçeje që shpërndahen, që të përmirësojë situatën.

    Zyra të formalitetit të punësimit

     Pavarësisht statistikave që publikon ministri Veliaj, për mijëra të punësuar nga këto zyra, faktikisht, qytetarët kanë perceptim të kundërt të realitetit, pasi nuk shpresojnë që të punësohen nga këto zyra. Ja si shprehen vetë qytetarët, pasi Genc Kojdheli shkroi në Facebook-un e tij: “Zyra e Laçit gjatë vitit 2014, vetëm përmes fondit të nxitjes së punësimit, ka punësuar rreth 100 individë, teksa qindra të tjerë janë ndërmjetësuar përgjatë vitit!”

    Sokrat Turtulli: “Pse, zyrat thua i kanë pasur fajet që s’ka punë? Ato zyra janë thjeshtë për të punësuar ata që do punojnë aty, pasi asnjë funksion nuk kanë tjetër”.

    Jakup Gjoça: “Por a mund të na përmendni një investitor të huaj, që ka hapur një punë në Shqipëri, meqë kemi krijuar kushte të favorshme për të zhvilluar biznes? Nuk kam parasysh ato firma që kanë marrë me koncesion minierat, apo hidrocentralet e gatshme dhe i shfrytëzojnë.”. Pa përgjigje nga zoti Kojdheli, kjo pyetje.

    Genti Osmani: “Unë nuk besoj se do funksionojë kjo zyrë, sepse motra ime ka dërguar CV për punësim në Drejtorinë Arsimore para dy vitesh dhe ende dosja e saj, për t’u futur në punën ku ka qenë mësuese. Mendoj që këto zyra janë fiktive në atë vend, sepse futen vetëm kushërinjtë”.

    Genci Kojdheli: “Genti, zyrat e punës NUK ndërmjetësojnë për punë në shtet! Ne vetëm shpallim vende pune në administrate publikë! Politikat e rekrutimit i ndjek respektivisht DAP ose institucioni respektiv, në rastin e motrës tende, Drejtoria Arsimore!”

    Genti Osmani: “ Atëherë nënkupton që drejtoria arsimore ka dështuar, sepse unë kam rast konkret dhe di si funksionon aty, më beso. Ka 2 vjet që e ka dërguar CV dhe ka qenë mësuese dhe me standard e kap por ja, lek ose mik duhen në terma konkret”.

    Genci Kojdheli: “Genti, më fole për mosfunksionimin e zyrës dhe e kishe gabim informacionin! Se ç’ndodh në Drejtorinë Rajonale Arsimore, të ftoj ta ndjekësh me ministrinë e Arsimit!”

    Genti Osmani: “ok Genci Kojdheli, por gjithsesi nuk besoj se aty do ketë ndonjë ndryshim dhe nga ministria e Arsimit, sepse i tillë është ngritur si strukturë”.

    Petraq Barjami