Vendimet partiake për shkarkimin e Zgurit, kanë thyer çdo ligj. Ndërprerja e mandatit, KQZ dhe Kuvendi

600
Nisma për shkarkimin e Zgurit, Kume: Vendimet partiake, kanë thyer çdo ligj
Debati për largimin ose jo nga kreu i KQZ, i Klement Zgurit, është tërësisht politik dhe nuk i referohet ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Të paktën kështu e argumenton, ish-kryetari i këtij komisioni, Kristaq Kume për gazetën “Telegraf”. Sipas tij, nëse nuk ndryshohet ligji për mënyrën e emërimit të administratës zgjedhore, parregullsitë do të vazhdojnë gjatë. Kume thotë, se vendosja e Zgurit, nisi me parregullsi dhe vetëm mbi bazën e marrëveshjes, duke shkelur çdo ligj, dhe kështu pritet të përfundojë, nga Partia Socialiste. 
Mazhoranca ka ndërmarrë një nismë për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri. Ndërkohë PD-ja është shprehur, se nuk do ta lejojë një veprim të tillë, të cilin ajo e konsideron shkelje. A mendoni se opozita do të arrijë të pengojë mazhorancën për të shkarkuar Zgurin?
Nëse i referohemi rrugës së parashikuar në Kodin Zgjedhor, për ndërprerjen e mandatit të një anëtari të KQZ-së, në të thuhet se procedura fillon me një vendimmarrje të KQZ-së. Pra në rastet kur anëtari i KQZ-së dhe kryetari, është në kushtet e parashikuara në Kodin Zgjedhor, ka konsumuar një nga kushtet e parashikuara, procedura fillon me mbledhje dhe më pas me marrjen e një vendimi të KQZ-së. Ky vendim i kalohet më pas Kuvendit të Shqipërisë.

Po në kushtet aktuale, kur e majta kërkon ndërprerjen e mandatit pa marrë marrë vendim KQZ-ja, a mundet të kemi shkarkim nga Kuvendi?
Në kushtet aktuale me përbërjen që ka KQZ, referuar strukturës politike të tij, nëse do ta quajmë të tillë, ku ka vetëm tre anëtarë të propozuar nga mazhoranca aktuale , ky komision e ka të pamundur që ta realizojë këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor. KQZ mund të mblidhet, por nuk mund të vendos dot.

Që do të thotë?
Në këto kushte mund të jetë pastaj Kuvendi i Shqipërisë, kryesisht, ai që do ta trajtojë këtë problem dhe t’i japë zgjidhje duke anashkaluar në mënyrë të ndërgjegjshme këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor.

Pra, ju thoni se kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit?
Sigurisht, kemi të bëjmë me një shkelje, të Kodit Zgjedhor, ligj të cilin Kuvendi nuk e zbaton. Ndërkohë mos harrojmë se ajo çfarë ka ndodhur në KQZ pas 18 majit, nuk ishte e mbështetur në Kodin Zgjedhor. Pra, partitë politike, vendosën dhe zbatuan marrëveshjen, pa marrë fare në konsideratë çfarë thotë kodi. Në të thuhet se, struktura e KQZ është e përbërë, tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita, dhe thuhet se zëvendësi i kryetarit të KQZ duhet të zgjidhet nga partitë e opozitës. Ata nuk pyetën për këtë gjë, por nënkryetari u zgjodh nga mazhoranca. Pra Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë proces zgjedhor dhe me ndryshimet e fundit, ka bërë gjithçka në funksion të marrëveshjes politike. Për sa kohë që kjo marrëveshje nuk është duke u respektuar nga palët, pritshmëria ime është se ata do veprojnë siç vepruan kur bënë ndryshimin. 

Çfarë duhet të kuptojmë me këtë?
Mund të ndodhemi përpara vendimmarrjes së parlamentit, që do t’i ndërpres mandatin Zgurit dhe pas kësaj, Parlamenti do njoftojë vakancën për kryetar dhe mazhoranca aktuale do të zgjedh një anëtarë tjetër. Kjo do t’i duhet për të baraspeshuar balancën politike në këtë komision. Pra, është vështirë të kërkojmë, sjellje në zbatim të ligjit, për sa kohë deri sot sjellja ka qenë në zbatim të marrëveshjes së 18 majit dhe interesit politik.

Çfarë duhet të ndryshojë, për të mos arritur deri në këto lojëra politike?
E ritheksoj dhe një herë nevojën për të trajtuar dhe ndryshuar parimin, sipas të cilit ndërtohet administrata zgjedhore. Sa kohë, që do jenë partitë politike ato që do kenë të drejtën për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së, nuk ka pse çuditemi për sjellje të tyre, të cilat në rastin më të mirë, mund të jenë në dëm dhe në anashkalim të ligjit, siç pritet të ndodhë. 
Ku qëndron paligjshmëria?
Paligjshmëria qëndron në faktin, që Kodi Zgjedhor ka parashikuar në nenin 16 të tij që zëvendëskryetari i KQZ-së, duhet të zgjidhet nga radhët e opozitës. Por ata nuk e zgjodhën nga opozita, por nga pozita. Ligji thotë se kryetari nuk vjen si propozim i partive politike, por si qytetar që plotëson kushtet. Dhe për Zgurin,pavarësisht marrëveshjes, ata e bënë këtë gjë. Pra, shpallën vakancën dhe Zguri kandidoi në listë me të tjerët dhe u zgjodh. Pra, pavarësisht se si ishte marrëveshja, Zguri aty nuk është si përfaqësues i një force politike, por sepse ai u zgjodh sipas kushteve të parashikuara, pra pas hapjes së vakancës. Dhe në këto kushte, zëvendëskryetari, do të duhej të ishte zgjedhur nga opozita. Por ata iu përmbajtën marrëveshjes dhe zgjodhën Denar Bibën. Pra bënë një rotacion, duke zbatuar marrëveshjen. Pra, shkarkimi bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së. Pra, Kuvendin e vë në lëvizje KQZ-ja, duke iu referuar ligjit përkatës. 

Ju thatë më lart, se një veprim i tillë është në paligjshmëri të plotë. Çfarë pritet?
PD-ja më pas e çon në Kushtetuese. Sot mazhoranca ka në KQZ tre vota. Do t’i ndërpresë mandatin Klement Zgurit si anëtar, dhe si kryetar ai ikën. Do shpallë vakancën për kryetar dhe do zgjedhë një. Pas kësaj, do thonë, kemi dhe një vend bosh të anëtarit që duhet ta plotësojmë. Mazhoranca do të përpiqet që të ruajë dominancën. Kjo bëhet duke kaluar një nga anëtarët e sotëm kryetar, hapet vendi bosh i anëtarit dhe vjen një nga mazhoranca. Ata ranë dakord që në 18 maj dhe zbatuan marrëveshjen duke shkelur ligjin dhe Kodin Zgjedhor, tani do të bëjnë të njëjtën gjë, por jo të dy bashkë, por vetëm njëra forcë politike. Kjo nuk është fare normale, por nuk është e çuditshme në Shqipëri. Shkarkime të anëtarëve të KQZ-së për interesa politike kanë ndodhur edhe më parë. Ata kanë ndryshuar dhe kushtetutën.
Sigal