Veliaj: Nuk shkatërrojmë katet pa leje, i përdorim si banesa sociale

414
TIRANË – Katet e ndërtuara pa leje në pallate, nuk do të prishen por do të vihen në shërbim të shtresave në nevojë. Këtë premtim bëri kandidati i së majtës për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj gjatë një takimi me banorët e zonës së “Don Boskos”, ku shpalosi programin e tij për shërbimet sociale.
Por çfarë parashikon konkretisht ky zotim?
Veliaj tha se është duke punuar me Ministrinë e Zhvillimit Urban që në vend të shkatërrimit, katet e ndërtuara pa leje nga Bashkia, të përdoren për banesa sociale, kjo përmes krimijit të një fondi të Bashkisë për këto banesa.
“Hartimi i një politike të mirëfilltë për strehimin social. Ne nuk mund ta zgjidhim këtë vetëm me 385 shpërndarje të apartamenteve sociale. Na duhet një plan i mirëfilltë social. Kemi filluar punën me Ministrinë e Zhvillimit Urban, ne kemi pafund ndërtime të cilat nëse kërkojnë lejen e shfrytëzimit për katet që kanë bërë pa leje, patjetër që në vend të gjobës dhe shkatërrimit, katet që janë bërë pa leje mund të përdoren për banesa sociale. Ne sot kemi të gjithë mundësinë që në bashkinë e re ta kushtëzojmë lejen e ndërtimit me X numër banesash sociale në atë bllok apartamentesh. Është mëse njerëzore, e bëjnë shumë më të zhvilluar dhe për çdo ndërtues se sa të paguajë haraçin tek shkëlzenët dhe familjarët e SHQUP-it më mirë t’ia paguajë shoqërisë dhe atë që do të paguajë korrupsion në katër vite le ta paguajë në formë banesash sociale për të krijuar një fond të bashkisë për banesat sociale”, tha Veliaj.
Veliaj: Ne 100 ditëshin e parë shpërndajmë 385 banesat sociale
Veliaj u zotua se nëse do të mund të fitojë garën elektorale të 21 qershorit për Tiranën,në 100 ditëshin e parë, do të shpërndajë 385 banesat sociale të përfunduara të cilat mbeten të bllokuara prej 4 vitesh.
“Ne kemi njerëz që flenë në rrugë, ndërkohë që bashkia ka apartamente që flenë bosh. Kjo është një arsye që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak, do të fillojmë me shpërndarjen e banesave sociale”, tha Veliaj. 
Ja kontrata me 7 pika për kujdesin social
Programi parashikon tre mensa sociale me ushqim flas për shtresat në nevojë dhe 5 qendra ditore për të moshuarit, mes 7 pikave te kontratës që Veliaj prezantoi për kujdesin social. Veliaj deklaroi se ka një program riintegrimi social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë Ndihmë Ekonomike, si dhe do të bëhet garantimi i aksesit në institucionet publike në Tiranë për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Sipas tij, ka edhe një program të posaçëm për Mbrojtjen dhe Kujdesin për Fëmijët në Situatë Rruge, por edhe hartimin e një politike të mirëfilltë për strehimin social.
“Rrugët e kryeqytetit janë të mbushura me fëmijë që lypin ose punojnë, edhe pse kjo është në shkelje e të drejtave të tyre. Edhe ata fëmijë që janë hequr nga rruga, janë hequr nga MMSR, një nismë së cilës Bashkia nuk iu bashkua”, tha Veliaj.
Ai përmendi edhe projektin e shkollave si qendër komunitare, duke theksuar se ky projekt synon mbajtjen e shkollave hapur edhe pas mësimit, duke u shërbyer jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit me aktivitete post-kurrikulare, aktivitete ekstra-kurrikulare dhe aktivitete komunitare.
Pikat e programit të kujdesit social:
1. 3 mensa sociale për të ofruar ushqim falas për shtresat në nevojë, në partneritete publike private;
2. 5 qendra ditore për të moshuarit.
3. Program Riintegrimi Social përmes të cilit do t’u ofrohet punë në shërbim të komunitetit qytetarëve që përfitojnë Ndihmë Ekonomike;
4. Garantim i aksesit në institucionet publike në Tiranë për Personat me Aftësi të Kufizuar;
5. Program i posaçem për Mbrojtjen dhe Kujdesin për Fëmijët në Situatë Rruge;
6. Shpërndarje brenda 100 ditëve e të gjitha banesave sociale;
7. Hartim i një politike të mirëfilltë për strehimin social.
Pavarësisht shiut, Veliaj nuk e ndërpreu takimin me elektoratin, por se ju desh të përmbledhë programin e tij për këtë kategori të shoqërisë, edhe pse gjatë gjithë prezantimit qëndroi pa çadër.
Veliaj u shoqërua në këtë takim nga ministri i sapoemëruar i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, ku teksa i uroi suksese tha se në ministrinë që do drejtojë do të gjejë një ekip me pasion.
Blendi Klosi, deputet i Partisë Socialiste, u emërua ministër pas dorëheqjes së Veliajt i cili u zgjodh si kandidat i koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. 
Sigal