Veliaj në njësinë nr.4: “Zgjidhje për 362 problemet e zonës, për këto flasin familjet në tavolinë”

372
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi pasditen e sotme programin e detajuar për Njësinë 4, ku premtoi zgjidhjen për 362 problemet e identifikuara në këtë zonë. Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e zonës së Oxhakut, kandidati i majtë solli në vëmendje se njësia 4 ka probleme me rrugët e degraduara, infrastrukturën e rrënuar, higjienën, shërbimet sociale të dobëta dhe mungesën e gjelbërimit.
“Këta e urrejnë programin tonë, këta e urrejnë faktin që ne vijmë në çdo lagje dhe flasim me çdo njeri për nevojat konkrete që ka lagja. Jam i bindur se në tavolinën e tyre të bukës këta flasin nëse do e kthejë apo jo kalin Zeni. Saliu ndoshta thotë pse Edi Rama dhe Erioni na e prishën pallatin te diga e Liqenit. Por, unë e di se qytetarët e Tiranës, te tavolina e tyre e bukës, flasin për problemet të cilat i shqetësojnë, për kopshtet, shkollat, pusetat e munguara, rrugët pa ndriçim”, deklaroi Veliaj.
Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës theksoi se të djathtët janë jashtë realitetit dhe nuk kanë përgjigje për asnjë nga shqetësimet e banorëve. “Ne u themi cili është plani juaj për shkollat? Ata thonë: s’kemi plan për shkollat se po të kishim do i kishim bërë në këto 4 vjet. Por, meqë s’kemi plan për shkollat, ejani t’ju tregojmë një barsaletë si lindi gruaja e filanit. Ne u themi: cili është plani juaj për ndriçimin, për pusetat? Ata thonë s’kemi plan se do t’i kishim bërë në këto 4 vjet, por po ju shajmë ju me libër shtëpie”, theksoi Veliaj. Ai tha se refuzon këtë politikë dhe se qëllimi i tij është që të ketë një plan për çdo lagje në çdo njësi të Tiranës.
Duke sjellë në vëmendjen shqetësimet e banorëve, Veliaj deklaroi se problemet më të mëdha në Njësinë 4 janë problemet që kanë të bëjnë me infrastrukturën. “Ne kemi identifikuar 18 hapësira parkimi abuzive. Me votën e 21 qershorit ne lirojmë 18 hapësira parkimi abuzive. Kemi në hartë 12 hapësira publike që janë uzurpuar për çështje të tjera. Nëse do votoni drejtimin e duhur në datë 21 qershor, me votën tuaj do çlironi hapësirat dhe do t’ia ktheni fëmijëve tuaj”, premtoi Veliaj. Ndërsa foli për çështje të infrastrukturës, ai shprehu shqetësimin për situatën e krijuar për furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm. Sipas tij, zona ka 5 probleme me ujësjellësin dhe kanalizimet në hapësira publike.
Ndërsa analizoi problematikat në objektet arsimore të Njësisë nr. 4, kandidati i majtë premtoi rehabilitimin e tyre dhe ndërtimin e objekteve të reja. “Me votën e 21 qershorit do të rehabilitojmë çerdhet Nr. 19 dhe Nr. 48, të cilat janë të mbipopulluara dhe kanë nevojë emergjente për ndërhyrje. Popullsia në këtë zonë është rritur, ndaj kemi marrë vendimin që të ndërtojmë një çerdhe të re për Njësinë 4. Kemi nevojë imediate për të ndërhyrë në disa kopshte. Do rikonstruktojmë kopshtin Nr. 25 në Allias dhe atë nr. 55 në Kinostudio, i cili gjithashtu ka nevojë për një rehabilitim”, deklaroi Veliaj.
Një tjetër angazhim i tij në krye të Bashkisë së Tiranës do të jetë çlirimi i hapësirave publike dhe vendosja e tyre në shërbim të komunitetit. Kandidati i majtë tha se stafi i tij prej 80 urbanistësh ka identifikuar 13 hapësira të pashfrytëzuara që do të kthehen në lulishte dhe në parqe për Njësinë 4. “Me ministren Mirela Kumbaro kemi marrë një vendim historik për të hequr rrethimin e Ministrisë së Kulturës dhe për të kthyer hapësirat në shërbim të publikut. Ministria e Kulturës do të heqë të gjithë gardhet e Kinostudios, që e gjithë ajo hapësirë të jetë në funksion të qytetit dhe banorëve”, deklaroi Veliaj.
Për kandidatin e majtë, problemi më i madh i Njësisë 4 është situata katastrofike e rrugëve. Ai theksoi se janë raportuar 164 rrugë të amortizuara që janë të shqepur si në kohën e luftës. “Me votën e 21 qershorit rregullojmë këto rrugë. Për këdo që është nënë apo prind, që duhet të shtyjë karrocën e fëmijëve, për këdo që është me aftësi të kufizuar dhe ecën me karrige me rrota, e kupton fare e mirë që i kemi rënë në kokë kur kemi identifikuar 24 trotuare të dëmtuara. Për këdo që ecën në Tiranë është ferr ecja në trotuar, ndaj duhet zgjidhur me votë në 21 qershor”, deklaroi Veliaj.
Gjithashtu, ai premtoi ndërhyrjen për pusetat që mungojnë, 30 rrugët e pandriçuara të kësaj njësie dhe pastrimin e Tiranës nga pisllëku. Më tej, kandidati i majtë deklaroi se në Njësinë 4 ka 8 tregje që janë totalisht jashtë standardit. Sipas tij, kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. “Normal që këta nuk e kuptojnë se kur je shumë i zënë për të ndërtuar katin e 13 dhe të gjitha ushqimet të vijnë nga Hollanda, ti s’do t’ia dish sepse nuk jeton në Shqipëri. Tregjet do të pajisen me inspektorë tregjesh dhe me banaqe”, tha Veliaj, duke theksuar se ky është një lajm i mirë për qytetarët dhe për tregtarët.
Krahas projekteve lokale, ai përmendi ndërmarrjen e disa projekteve të mëdha në Bashkinë e Tiranës që do të kenë impakt në Njësinë 4. Për Veliajn, ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të sjellë rritjen e vlerës së pronës dhe të investimeve për banorët e kësaj njësie pasi do të jetë hyrja dhe dalja e re e kryeqytetit. Ai përmendi projektin e Unazave të Tiranës si mundësi fantastike që asnjë trafik i panevojshëm të mos kalojë përmes lagjeve dhe Bulevardit të ri të Tiranës që do të prekë pjesën jugore të Njësisë 4.
Veliaj kritikoi kryetarin aktual Lulzim Basha për gjendjen e krijuar këto katër vite në kryeqytet. “I ka kapur keq paniku i humbjes sa që e dinë se fitorja do jetë edhe më e thellë se në 2013. I kanë filluar dhimbjet e humbjes që tani dhe nuk kanë pikën e burrnisë dhe as pranojnë të dalin në debat, as pranojnë të ballafaqojnë programet dhe as pranojnë të vijnë në Tiranë. Bëjnë vetëm një gjë: merren o me gratë tona, o me familjet tona, o tregojnë barsoleta për gratë, o shpifin për gratë. Çfarë burrash janë këta, që s’kanë pikën e burrnisë, as të ballafaqohen?! Tregojnë tërë kohën barsoleta dhe shpifjet për gratë e Tiranës, por nga gratë e Tiranës do humbasin 24 me 0”, deklaroi Veliaj.
Sigal