Veliaj merr 50 mln euro kredi, socialistët: Projektin do e bëjmë më vonë

224
Sigal

Bashkia e Tiranës do të marrë 50 milionë euro kredi nga banka Gjermane, KFV, për projektin ‘Transporti i Qëndrueshëm në Tiranë’. Deputet e opozitës në Kuvend, gjatë miratimit të kësaj marrëveshje në komisionin e ekonomisë, deklaruan se marrëveshja po miratohet pa pasur studim fizibiliteti dhe projekt. Dyshime ka edhe mbi mënyrën se si do të përdoren paratë nga bashkia e Tiranës si dhe nëse do të ketë rritje të çmimit të biletave të transportit urban për shlyerjen e kësaj kredie.

Deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të ekonomisë, miratuan në parim një marrëveshje kredie prej 50 milionë eurosh, midis Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Gjermane, KFV, para të cilat do të përdoren për projektin ‘Transport i Qëndrueshëm në Tiranë’.

Mirëpo miratimi i kësaj marrëveshje hasi në kundërshtimin e deputetëve të opozitës Artur Roshi dhe Edlira Hyseni, pasi sipas tyre, kredia që po merr bashkia e Tiranës është pa studim fizibiliteti dhe projekt të detajuar më parë. Gjithashtu ata ngritën dyshime mbi aftësinë e bashkisë për të shlyer këtë kredi,  si dhe faktin, e mos publikimit nga ana e bashkisë të këstit dhe kohës së shlyerjes së kredisë.

Por deputetët socialistë Senida Mesi, Anastas Angjeli si dhe zëvendësministri i infrastrukturës Etjen Xhafaj, i justifikuan pretendimet e opozitës me faktin se marrëveshja po miratohet në parim, ndërsa detajet do të jepen kur të bëhet studimi i fizibilitetit.

Gjithashtu deputetët e opozitës në Kuvend, ngritën shqetësimin nëse për shlyerjen e kësaj kredie, do të shtohen kostot shtesë për qytetarët, të cilat mund të reflektohen në rritjen e çmimit të biletës së urbaneve. Por këto pyetje nuk morën përgjigje nga socialistët në komision, pasi sipas tyre detajet do të specifikohen më vonë./syritv