Vasili: Në parlament ka një mazhorancë, topi është në fushën e tyre për votimin e marrëveshjes

247
Sigal

I ftuar në një studio televizive nën kryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se në parlament ka vetëm një mazhorancë, që shkëmben interesat e saj, flirtet dhe punët e saj. Ai u shpreh se topi ndodhet në fushën e mazhorancës tashmë për të votuar në Kuvend marrëveshjen e 5 qershorit. “Në parlament ka një mazhorancë, që shkëmben interesat e saj, flirtet dhe punët e saj. Në 14 janar dhe 5 qershor kemi 2 marrëveshje. Katër vetë kanë qenë që kanë firmosur për marrëveshjen zgjedhore. Marrëveshja është nënshkruar në anglisht pasi kanë qenë dëshmitar edhe BE, SHBA dhe Britania e Madhe.  Pikat e dakordësuar anë 5 qershor janë kthyer në ligj dhe ndodhen në parlament. Topi është në fushën e tyre, firmat i kanë dhënë dhe ta votojnë tani. Sikurse i votojnë ligjet e njëri-tjetrin me nga 100 e ca vota.  Çdo ndryshim i marrëveshjes së 5 qershor e prish konsensusin e arritur. Marrëveshja është e qartë dhe këto ndryshime konsensuale miratohen pa ndryshim në sallën e Kuvendit. Tani të mbash fjalën dhe të jesh i ndershëm, është diçka shumë e vështirë për Ramën e Rilindjen, por duhet të kenë parasysh se përballjen do ta kenë me popullin”, u shpreh Petrit Vasili.

Pandemia

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se tani kemi një situatë të përmbysur, pasi kemi shifra shumë të më të larta se ato në pikun e pandemisë.

Ai u shpreh se qeveria gaboi në strategjinë e saj kundër Covid-19 dhe se kryeministri Rama bënte epidemiologun duke thënë se maskat janë kot.

“Ne kemi një situatë të përmbysur, pasi kemi shifra shumë të më të larta se ato në pikun e pandemisë. Kemi një skaner krejtësisht të ri, i cili është zgjatja e një situatë të menaxhuar jo drejt dhe të politizuar në ekstrem. Qeveriset për të brohoritur fitore. 

Qeveria gaboi në mos bërjen e testimeve. U përqendrua gjithë fluksi në vetëm në një hinkë sikurse ishte 127-ta. Kryeministri bënte epidemiologun. Ishte i vetmi ai që fliste, jepte modele pse nuk duhet bërë testimi, pse nuk duhen vënë maska, biles ka thënë që maskat janë kot”, deklaroi Vasili.

Sipas tij, Shqipëria ka ndërmarrë vendime të gabuara në lidhja me masat dhe kufizimet drastike.

“Sot ne të gjithë jemi të kufizuar. Ne nuk bëmë kufizime drastike, i bëmë të gabuara nga ana profesionale. Qeveria biles mori një veprim shumë të rëndë anti-epidemik duke shembur Teatrin kombëtar me 1500-1700 forca policie, duke grumbulluar shumë njerëz që do të reagonin”, u shpreh Petrit Vasili.

Vasli shtoi se ajo që ishte më e rëndë ishte fakti se nuk u mbrojt personeli mjekësor.

“Këtu janë shpikur modele. Janë mbyllur edhe shërbime bazike si farmacitë, kur gjithë Evropa i mbajti shërbimet bazike edhe kur u mbyll. Pa këto shërbime krijoi stres, krijoi mungesë të shërbimeve jetike, krijoi përkeqësim të mjaft sëmundjeve kronike që tani janë masive. Më keq akoma nuk u mbrojt personeli mjekësor. QSUT u shndërrua në një problem të madh. Kanë humbur jetën mjekë që na dhimbsen. Sot situata është kaotike. Është një lloj furtune ku është prishur edhe timoni dhe presim ku do të na shpie era”, theksoi Petrit Vasili.