Në pak fjalë, kjo e gjitha është çështje sistemi e qasjeje në demokraci. Mbase do të duhen vite, dekada pse jo, që të kuptohet se në këtë mes nuk ka vend as për festa, as për daulle. Zgjedhjet janë një proces formal, qytetar; votuesit japin verdiktin e tyre për Parlamentin dhe formacionin politik që do të qeverisë vendin. Patetizmi që shpërthen te ne përgjatë fushatave, ca më keq këtë herë, është thjesht një shenjë prapambetjeje dhe verbimi politik.

Ka një ndryshim të madh në çdo aspekt, midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera më të përparuara; dhe këtu kemi parasysh sidomos Perëndimin. Në këto radhë, po përpiqemi ta shohim këtë ndryshim (që “nuk po ndryshon”) në kuadër të zgjedhjeve politike në Shqipëri dhe në Kanada; rastësisht po zhvillohen në të njëjtën kohë në të dyja vendet. (Madje, në Kanada u mbyll procesi. Partia Liberale u shpall fituese.) Ani. Kjo pranëvënie nuk bëhet për të shpërndarë ndjenja të natyrës së zilisë apo të snobizmit, por thjesht për t’u parë si në njëlloj pasqyre e për t’u “pastruar” nga patetizmi dhe provincializmi.
Duket sheshit se punët nuk po shkojnë mirë as në këto zgjedhje; (e konfirmoi edhe OSBE-ODIHR.) Në dukje, politikanët tanë dhe institucionet e tyre të fryra, këndojnë reforma pas reformash, bërtasin për përparime që s’janë e s’duken kurrkund, betohen se po e çojnë vendin në Perëndim; me këtë emërtim, kemi parasysh sistemin ku vendos vota e lirë. Në të vërtetë, qasjet e shëmtuara si korrupsioni, hipokrizia, shtirja, janë ende në trupin e sëmurë të shtetit tonë. Dhe fushatat elektorale janë ndër shfaqjet më diskredituese në këtë temë. Nëse flitet ende për t’iu përafruar Perëndimit realisht, duhej shpejtuar pak në disa drejtime, përfshi garat elektorale. Por ajo që mund të themi edhe në këtë pikë, është se ata (drejtuesit e vendit) e kanë marrë pak si shtruar këtë rrugë. (“Si parabola e famshme e vrapit me breshkën…” H. L. Borges).
Mjaft të cekim disa aspekte, për të kuptuar ngenë e ngarendjes për Perëndim dhe, nga ana tjetër, këmbënguljen për të mbajtur me çdo kusht statukuonë e gjendjes “Hiq e mos këput”, thënë ndryshe pushtetin dhe privilegjet. Në Shqipëri, fushata elektorale do të thotë bujë, shumë bujë; tundet e shkundet vendi; (edhe Diaspora). Dhe në këtë rast, mirë është t’ia kujtojmë asaj ç’thotë Servantesi: “Kur je në Romë, bëj si romanët.”
Që ta plotësojmë përqasjen, edhe këtu në Kanada njerëzit votuan, madje pati edhe radhë në qendrat përkatëse; por nuk kishte as festa, as borie, as gaz të shfrenuar, as mërzi të pajustifikuar… Ajo që ndodh në Shqipëri, për fat të keq, më kujton të shkuarën kur që në pikë të mëngjesit fillonte gajdeja e vallja. Dhe po të shkoje pak me vonesë për të votuar, të shikonin shtrembër. (Kështu na ndodhi pak a shumë në një rast, kur bashkë me gruan shkuam vonë te Qendra e Votimit, se ishim me fëmijë të vogël. Jo vetëm që na panë shtrembër, por disa nga komunistët më të thekur nuk e mbajtën dot gojën mbyllur: “Se ju jeni edhe intelektualë, duhet të tregoni më shumë zell.” Ja që s’e kishim (zellin). Por kjo s’është gjë… kur kujtoj se si po iu ulërinte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv disa “kuadrove” të një koperative bujqësore, djem të rinj, ngaqë kishin shkuar vonë për të votuar. Zot, ç’kohë e vështirë!)
Por le të kthehemi në të sotmen, që nuk po ndryshon dhe që në shumë aspekte është kopje e njëlloj “dokumentari” të dekadave që na u duk se i lamë pas. Ashtu si rëndom gjatë gjithë periudhës së quajtur Tranzicion, zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen në një situatë ku përzihen në mënyrë groteske bërtitja, kënga, kanosja, fyerja, që mandej shoqërohen me premtime pa fund. Në Kanada (në këto zgjedhje) pati njëlloj tensioni, mbase edhe akuza të ndërsjellta që edhe u tepruan, gjithnjë krahasuar me më parë. Por megjithatë, prapë palët dinë të pëmbahen.
Duket sheshit se punët nuk po shkojnë mirë as në këto zgjedhje; (e konfirmoi edhe OSBE-ODIHR.) Në dukje, politikanët tanë dhe institucionet e tyre të fryra, këndojnë reforma pas reformash, bërtasin për përparime që s’janë e s’duken kurrkund, betohen se po e çojnë vendin në Perëndim; me këtë emërtim, kemi parasysh sistemin ku vendos vota e lirë. Në të vërtetë, qasjet e shëmtuara si korrupsioni, hipokrizia, shtirja, janë ende në trupin e sëmurë të shtetit tonë.

Në Shqipëri, numri i partive që pëllasin për zgjedhjet është aq i madh, saqë të duket sikur po bëhet qëllim në vetvete shndërrimi i politikës dhe i zgjedhjeve politike në farsë. (“Të vjetrit vjetëruar keq, të rinjtë edhe më për dreq.” A. Pushkin). Në Kanada, bëhet fjalë për nja katër-pesë parti dhe kaq. Televizionet shqiptare hapen e mbyllen me fytyra politikanësh dhe britma mitingjesh, ku nuk mungojnë edhe daullet. Në Kanada, megjithëse vihej re njëlloj animi i disa mediave nga Liberalët – aktualisht në pushtet – prapë nuk bëhej fjalë që ekranet të pasqyronin mitingjet dhe fjalimet e drejtuesve të partive gjerë e gjatë apo siç thuhej dikur për dasmat “fillim-mbarim”.
Mjetet propagandistike, logjistika, gjithashtu bëjnë dallim. Të shikosh vargun e makinave që shoqërojnë liderë apo kandidatë për deputetë, autobuzët që mbartin klakerët, si dhe farfurinë e parrullave dhe dekorin e çmendur të mitingjeve, pyet veten: Nga dalin gjithë këto para? (“Kësaj i thonë vidh njërin xhep të mbushësh tjetrin.” Xh. Xhojs) Reklama nëpër mediat shqiptare, nuk është asgjë krahasuar me çfarë thuhet, flitet dhe ekspozohet për deputetët dhe forcat politike në garë. Në Kanada, kur shëtisim në lagje apo kur shkojmë andej këtej për punët tona, shikoj nga dritarja e makinës ca tabela të vockla, të thjeshta, që mezi mbahen me fije teli që pothuaj nuk duken dhe… vetëm një emër (kandidati) shkruar në mënyrën më formale. Asgjë tjetër. A thua ky vend është i varfër dhe ai i yni s’di ku t’i çojë paratë (?!)
Në pak fjalë, kjo e gjitha është çështje sistemi e qasjeje në demokraci. Mbase do të duhen vite, dekada pse jo, që të kuptohet se në këtë mes nuk ka vend as për festa, as për daulle. Zgjedhjet janë një proces formal, qytetar; votuesit japin verdiktin e tyre për Parlamentin dhe formacionin politik që do të qeverisë vendin. Patetizmi që shpërthen te ne përgjatë fushatave, ca më keq këtë herë, është thjesht një shenjë prapambetjeje dhe verbimi politik.