Vangjush Saro: Pse tallen ndërkombëtarët?  

230
Sigal

/Gazeta TELEGRAF 

Ndonjëherë të bëhet se ndërkombëtarët tallen me Shqipërinë, me administratën shqiptare, me qytetarët shqiptarë. Edhe nëse kjo fjalë s’është më e duhura, ja po themi se ata sillen “hiq e mos këput”. I gjithë dialogu me Perëndimin, veças me BE-në, ka qenë dhe mbetet shembull më i mirë i një farse. Jo shumë kohë më parë, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, i njërit prej vendeve më të përparuar të Evropës: “Zgjedhjet, sigurisht, janë të rëndësishme për popullin shqiptar.” Po. Patjetër. Pastaj: “Ne dëshirojmë ta shohim (Shqipërinë – V. S.) të anëtarësohet në BE dhe ne, si Mbretëri e Bashkuar, do të bëjmë gjithë sa mundemi për ta ndihmuar në këtë proces.” Më tej: “Një nga gjërat që ne të gjithë e dimë që kërkohet, është mbajtja e zgjedhjeve të suksesshme.” Sigurisht, në këto që nënvizohen këtu, disa “pasiguri” janë të Ambasadorit, disa të përkthyesit në median përkatëse. Kaluan 30 vjet me këto slogane. Jetë e mot, ky refren: jakëni në BE, por jo jo, prapsohuni, nesër, dale, ja edhe disa kushte, prisni, jo jo qasuni prapë, dyert i kini të hapura, bisedimet  janë të hapura, por prit prit, duro, ne ju kemi thënë “urdhëroni”, por ka ca rrethana, ja, ja edhe pak… Në fakt, janë të mbyllyra: dyert dhe dritaret. Dhe çfarë është kjo: Një komb evropian, jetë e mot i interesuar për Perëndimin, për të cilin, në mesin e shekullit 15, u bë barrikadë, u vetëshkatërrua, duke “i dhënë një dorë” Evropës që dridhej nga Perandoria Otomane. Kurse ky vend i vogël, asnjëherë me aleatë të fuqishëm dhe të ndershëm, u bë dhe mbeti viktimë e megallomanisë së vet dhe mosmirënjohjes së Evropës. (Fishta i madh e shau ndyrë atë.) Është kështu apo ka ndonjë pasaktësi në këto që po shkruaj?  E lëmë të shkuarën. Ja tek jemi në një shekull të ri. Tridhjetë vjet, tridhjetë kushte. I plotësoni, nuk i plotësoni, hapa dollapa, kush është prapa? Pse tallen ndërkombëtarët me ne? Pse nuk bëjnë kështu me Slloveninë? Pse nuk bëjnë kështu me Hungarinë, që edhe sot e kësaj dite po ua bie festen rrotull? Gjithë politesë sillen ata edhe me Serbinë, që fundja, vite më parë, NATO e bombardoi për shkak të represionit ndaj Kosovës… Kurse me Shqipërinë bëjnë “të vështirin”. Në këtë kuptim, në shumë tregues, ne kemi mbetur njësoj sikur në kohën e Traktatit të Shën Stefanit, Traktatit të Berlinit, Konferencës së Londrës, akte dhe kohëra kur Shqipëria shihej me syrin e njerkës, punë copërash për të kënaqur interesat e njërës apo tjetrës palë, “vrima e fundit e kavallit”, ecë e thuaj ca fjalë sa për të mos u harruar krejt, pastaj në dreq le të shkojnë territoret e saj dhe jeta e qytetarëve të saj (!) Le të bëjmë një pauzë. Unë, me vetëdije, do të luaj pak. Nuk po përdor për momentin fjalën “tallje”. Sot duket e vështirë të njehsosh ku është ajo dhe ku është justifikimi real i krerëve të BE-së. Mbase ky organizëm gjigand, tash i lëkundur edhe për vete, nuk e pranon dot që i gjithë tranzicioni ynë ka shkuar nën komandën e drejtuesve autoritaristë, nga Berisha te z. Rama; anipse tek i pari, në vështrimin tim, rëndojnë pjesa më e madhe e zhgënjimeve shqiptare të Tranzicionit. (Le të tjerat, por ai (“ay” thotë zotëria në fakt) pohoi me gojën plot që… 70 % e shqiptarëve janë myslimanë; edhe pse ky popull, në kohëra, ka treguar se nuk e ka pasur dhe nuk e ka fenë gjënë më të çmuar; edhe pse harmonia e religjioneve është një nga vlerat reale të tij. Mua më duket që, e shumta, ajo shifër mund të shprehë më mirë përqindjen e shqiptarëve ateistë. Por këtu dhe në Kosovë, dikush luan, me para dhe me fiksime të tjera.)

Ani. Prepotenti i sotëm, z. Rama, një simbol i çoroditjes së Partisë që përfaqëson, por edhe i Shqipërisë deri diku, vesh shallvare, duke menduar se ata në Perëndim dhe shqiptarët “mendjelehtë” këtu, nuk i vënë re gjërë të tilla dhe nuk i dëgjojnë shprehjet e tij që… do të shohim nga Turqia, nga Lindja, që ja si na e bëri Evropa, që Franca ashtu e kështu… Dhe “grurë” me autoritaristin tjetër, z. Erdogan. Nuk po thotë askush të mos ketë miqësi me atë dhe as t’i bjerë në gjunjë Perëndimit; por ka marrë për herë të tretë një mandat në të cilin, për Zotin, është mëkati më i pafalshëm të vazhdosh të gënjesh.  Çfarë po ndodh? Ndërkombëtarët na e dinë kokën. Njëherë e shtruam vendin me kanabis, anembanë. Tani po e mbushim me kulla. Krimin s’e nënshtrojmë dot. Bizneset s’i mbrojmë dot. Kaosin s’e mpakim dot. Shikoni çfarë ndodh: Ngrihet një kompani turke (Ayen Alb) dhe kërkon llogari (ka hapur gjyq) sepse një ent që monitoron mjedisin kërkon anulimin e kontratës për ndërtimin e një hidrocentrali (!) Domethënë, o e bëj këtë hidrocentral o s’ka, le të shkatërrohet aksh lumë e luginë! Cili është thelbi i këtij akti? Ti i thua “nuk të jap të drejtën ta bësh këtë në territorin tim”, kurse ai të hedh në gjyq. Kjo është, le të themi vepra më e trishtë e kohës; Shqipëria e shkretë… si një “ashtu” (m’u thaftë gjuha) në këmbët e tutorëve të panginjur e mizorë. Çfarë “kërkojnë” së fundi ndërkombëtarët? “Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar. Forcimi i pavarësisë së institucioneve të Drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit. Lufta kundër krimit të organizuar. Mbrojtja e të drejtave të njeriut.” Të flasësh për nivelin e arritjeve dhe për mundësitë e realizimit optimal të këtyre kërkesave, është njësoj sikur të debatosh me dikë që është i fiksuar në idetë e tij dhe nuk të dëgjon… Përballë kësaj tabloje – që realisht nuk “vizatohet” asnjëherë siç duhet pothuaj nga askund në këtë botë të egër – opozita shqiptare reflekton dobësi të frikshme; kurse Kryeministri, z. Rama, përpiqet gjithnjë të pozojë dhe të humbasë gjurmët. Herë pas here, ai flet për ndonjë copë rrugë të mbaruar; për ndonjë shkollë të ndërtuar të rikonstruktuar (gjithsesi, lajme të mira); për ndonjë shtëpi që (mirë edhe kështu) i dorëzohet ndonjë fatlumi. Por… më së shumti, ai dhe ministrat e tij përpiqen të mbulojnë mosarritjet. Kështu është bërë gjatë gjithë Tranzicionit. Ja pse edhe ndërkombëtarët thonë ndonjë fjalë të mirë kur përfitojnë ndonjë gjë (se nuk janë të rënë nga qielli ata dhe familjarët e tyre); po ashtu, kur termi stabilitet iu vjen ëmbël. Dhe heraherës hedhin shashka, do t’ju ndihmojmë, do t’ju hapim rrugën për në BE… Kjo situatë më ndërmend një episod nga “Dimri i vetmisë së madhe”. Vjehra e Besnikut (përkthyesi i E. Hoxhës në Moskë) ishte duke i bërë propagandë Benit, (vëllai çapkën i dhëndrrit); “stafeta e revolucionit ashtu e kështu, rinia ashtu e kështu”. Dhe ky ia kthen asaj pak a shumë me këto fjalë: “Na mërzitët me këtë Stafetën e Revolucionit. Mbajeni për vete, se nuk e duam!” Si mund të konvertohen këto dufe në rrethanat e sotme, kur krerët e BE-së na vrasin me pambuk, kurse ata të vendit (dhe fëmijët e tyre) prej vërteti? Nuk po e them, se më dhemb keq fakti në fjalë.