Vangjush Saro: O me Shqipërinë, o me bandat!

171

 Në raportin për vitin 2020, Policia Kriminale Federale e Gjermanisë veçonte emigrantët libanezë dhe turq si komunitetet më problematike, pas… shqiptarëve.

Sigal

Janë bërë të zakonshme lajmet dhe kronikat (nga gjithfarë pikash gjeografike) në qendër të të cilave janë bandat e drogës dhe subjekte të tjera që ushqejnë këtë histori të fëlliqur, ndërkohë që gjithnjë e më shumë po zihen goje edhe shqiptarët. Në këtë seri aventurash, që nuk mbarojnë, janë shënuar arrestime, vrasje, shkatërrim bandash e krijim bandash të reja, si dhe larje hesapesh, më së shumti në Shqipëri, duke e trazuar keq vendin. Nuk hyjmë (dot) në jetët dhe qeset e trafikantëve, që mbijetojnë apo vriten. Çdokush e ka kokën mbi shpinën e vet; por përmendja e shqiptarëve dhe bandave shqiptare rëndon mbi të gjithë, më së pari mbi shtetin e vendin që aspiron t’i bashkohet BE-se, por në fakt po vjen rrotull sikur në një vodevil… E di, shumëkush mund të mërzitet pse ndalojmë në këtë temë, madje mund të na gjykojë ashtu dhe kështu, edhe pse asi llafazanësh e patriotësh nuk e duan vendin më shumë se ne që ngremë zërin dhe përpiqemi të hedhim vështrime edhe në veten tonë. Shtypi i huaj pohon, jo për të parën herë: “Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ekuador dhe Kolumbi është bërë më e fortë në dekadën e fundit. Këto organizata përfitojnë nga eksportet e frutave dhe produkteve të tjera bujqësore në Evropë, për të infiltruar kokainën në sasi të mëdha.” Ja një tjetër raport: “Presioni nga kartelet meksikane për të respektuar dërgesat, duke shtuar pjesëmarrjen në rritje të bandave evropiane dhe mafiozëve shqiptarë, të cilët janë jashtëzakonisht të dhunshëm, po fuqizojnë krimin e organizuar në Ekuador.” Dhe më tej: “Një seri faktorësh si afërsia gjeografike me Kolumbinë, një kufi poroz, korrupsioni, aleancat e reja kriminale me shqiptarët, kartelet meksikane, mosmarrëveshjet mbi rrugët e trafikimit dhe rritja e dhunës shpjegojnë rritjen e vrasjeve, veçanërisht në portet e Guayaquil dhe Esmeraldas”. Gjithë në këtë linjë raportojnë heraherës shtypi dhe policitë respektive në Mbretërinë e Bashkuar, në Itali, në Belgjikë, në Spanjë.

 Në raportin e fundit të Antimafias Italiane në Parlament, është vënë theksi tek fenomeni i trafikut të drogës në “rrugën e konsoliduar Adriatik-Shqipëri- Puglia”.

Në raportin për vitin 2020, Policia Kriminale Federale e Gjermanisë veçonte emigrantët libanezë dhe turq si komunitetet më problematike, pas… shqiptarëve (!) Në raportin e fundit të Antimafias Italiane në Parlament, është vënë theksi tek fenomeni i trafikut të drogës në “rrugën e konsoliduar Adriatik-Shqipëri- Puglia”. Kështu mund të vijohej pa fund. Mendoj se përgojimi i bashkatdhetarëve tanë, i zyrtarëve, por edhe i vendit, pse jo, në këto skenare të turpshme, nuk bëhet për ndonjë inat specifik apo sa për të mbushur gazetat dhe tabloidet. Ka kohë që ngrihen pikëpyetje përvëluese. Mos kujtojnë shtetarët se njerëzit janë budallenj: s’e dinë se si uleshin radarët që të kalonin “çunat” me mall; s’e dinë se çfarë ndodh në Portin e Durrësit; s’e dinë që mbulimi i çdo pisllëku i ka rrënjët në qeveri e në polici. Doni të themi të kundërtën? S’mundemi. Pse rëndom jemi protagonistë ne e bandat “tona” dhe ky përgojim po intensifikohet? Pse nuk zihen goje (kaq dendur) sllovenët, çekët, kroatët, fundja dhe grekët fqinjë, që për një pjesë nga ne janë aq “të poshtër”? Kryeministri ynë bën sikur është “pikë referimi” për politikën botërore. (Ky vanitoz i pandreqshëm! Fodull e llafazan, si të gjithë ne shqiptarët.) Ndjekësit e tij dhe administrata, por edhe ai më i fundit i katundit e kanë hallin të marrë nëpër gojë të tjerët, brenda dhe jashtë vendit. E bëjmë këtë për të gjithë fqinjët tanë, pastaj edhe për Evropën, Amerikën dhe Azinë, duam të dukemi ata që s’jemi, duam të përmbysim historinë – një Zot e di në emër të kujt dhe për çfarë – duke kërkuar ndërkaq gjithandej kundërshtarë e armiq. Por në këtë ndërkohë, bandat shqiptare furnizojnë (me drogë tregun po se po) shtypin botëror me bëmat e tyre. Historinë dhe të vërtetën për ne shqiptarët që në shekuj nuk i kemi rënë në qafë askujt, përkundrazi të tjerët na kanë shkaktuar drama. Këtë histori e të vërtetë pra, po e marrin nëpër këmbë një grusht njerëz që duan të bëhen milionerë brenda ditës a javës dhe që e “kanë lidhur gomarin” diku në portet apo shkrepat e vendit të tyre, jo pa vëmendjen në mos miratimin e administratës dhe politikës, që është pjesë e këtij turpërimi. Në raportimet e ekspertëve të organizmave evropiane dhe më gjerë, u është lënë shumë vend problemeve të korrupsionit, ndërkohë që fshihen ato të religjionit. (Ej, jeni me shumicë myslimane; vetë liderët tuaj kanë raportuar shifra të paqena, për të marrë thërrime nga bota islamike.) Megjithatë, mendoj se edhe kjo situatë e mbarsur me lajme të vazhdueshme për krimin, është njëra nga arsyet pse Evropa na mban larg, na e “dredh” fjalën kohë pas kohe. Fundja, kush i inspiron këto grupe, ku gjejnë mbështetje që e “kanë syrin të hapur”? E kuptoj, është në natyrën tonë ngutja, vendimet e nxituara, prirja për të fituar me çdo kusht dhe në një kohë sa më të shkurtër, etj. dhe në këtë hisotri ka shumë vend ana vetjake, zgjedhjet që bëjnë persona a familje të caktuara. Sidoqoftë, kur një vend i vogël nuk arrin të bëjë zap shtetasit e vet, që hyjnë e dalin e trafikojnë e lajnë hesapet sikur jemi në teatër dhe jo në një jetë reale, kur ky grusht njerëzish jashtë çdo kontrolli krijojnë gjithandej mitin e bandës dhe të egërsisë (shqiptare), duhej të kishim ndaluar me kohë. Por fundja, le të ndalojmë në çdo kohë, nëse mundemi; edhe sot. Shteti, qeveria, institucionet le të tregojnë me fakte distancimin nga veprimtaria kriminale e bandave, që veprojnë jashtë vendit apo brenda tij. Çdo të thotë që shteti, qeveria dhe institucionet të distancohen nga bandat? Do të thotë që të kemi një “mea culpa”, hë pra, kush e ka guximin; do të thotë që bandat të mos kenë mbështetje në politikë dhe në polici; do të thotë që bankat dhe institucionet e tjera financiare të mos u gëzohen hyrjeve të dyshimta, në kryeqytet ku ndërtohet me një marramendje të frikshme (e pastrohen paratë… e mia) dhe nëpër bashkira, ku herë pas herë kryetarë e ish-kryetarë, shefa e ish-shefa policie kërcejnë vallen e pjesëmarrjes në krim. Nga fillimi i viteve ‘90 e këtej, në çdo krah të politikës ka histori me banda dhe banditë; hajde s’kemi çfarë të fshehim, se ato trafikuan njerëz, drogë dhe vota, ato rrahën dhe vranë qytetarë e politikanë. Por në këto mandate të fundit të PS-së, të qeverive e “gjithçkaje tjetër” nën kontrollin e tyre, ne atje do të përplasemi. Thënë ndryshe, ju e kishit, ju e kini pushtetin…A mund ta pastroni dot veten për çka u tha më lart, por edhe për Elbasanin, për Shkodrën? A mund të shpëtojmë nga ky turpërim që po i shkakton dëmin më të madh ndër shekuj kombit shqiptar? Nëse jo, nëse nuk fillojmë as të lëvizim, duhet të lëvizin me doemos ata që drejtojnë duke shitur mend e madhështi që s’gjenden askund…