Vangjush Saro/ Drejtorët e (palo)Shtetit, këta uzurpues po kopjojnë modelet e abuzimit dhe të shfrytëzimit të kolltukëve

289
Sigal

Jam habitur duke lexuar një kritikë të gazetës (ku edhe unë shkruaj) për z. Blendi Gonxhe, kritikë që e akuzonte atë për abuzime në detyrën që kryen aktualisht si  Drejtor i Patentave.  Nuk po u besoja syve një copë herë. Sa qesharake, hë? Drejtor i Patentave! E ka gjetur prapë zotëria e tij një vend, ku mund të ‘pikojë’ diçka për të.  E mbase jo vetëm për të. Pikërisht këtu lindi ky opinion, që vetëm pjesërisht ka të bëjë me Blendin, apo me ‘Rilindjen’ dhe ideatorin e saj, Edi Ramën, mik i të cilit është personazhi në fjalë; them pjesërisht, sepse stigmatizimi shkon te ‘gonxhet’ e Demokracisë në përgjithësi, te drejtorët përjetësisht të përkëdhelur të këtij (palo) Shteti. Tri dekada që kopjohen modelet e abuzimit dhe të shfrytëzimit të kolltukëve. Tri dekada, që këta uzurpues (të çdo ngjyre) përqeshin popullin e vendit më të varfër të Europës.  Ndonjëherë mendoj se nuk ka zgjidhje kjo punë; këta kanë krijuar klishe, modele shpërblimi e abuzimi, kanë çimentuar atë që Dritëroi i mençur e quajti dikur ‘shkërdhatokraci’. Gonxheja ka ardhur nga Lëvizja Demokratike; ishte ndër ata që mbanin fjalime dhe përcillnin mesazhe se qysh e tek do të ndërtohej  Demokracia. (“Shumë prej atyre që kryejnë akte të turpshme, mbajnë fjalime frymëzuese.” Demokriti). Një kohë, ai u gjend n/Kryetar në Bashkinë e Tiranës (pranë mirëbërësit a mikut të tij Edi Rama, atëherë Kryetar i Bashkisë) dhe të dy u bënë ‘të njohur’, sidomos  kur  shpërtheu  Diga e Liqenit Artificial dhe u përmbyt mirë një pjesë e kryeqytetit. Natyrisht, atyre nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë, ata ia hodhën; gjithnjë ia hedhin.  Edhe sot, nuk e di sa të vërteta e me pasoja mund të jenë ato që thuhen në shkrim për ‘gonxhen’. Personalisht nuk më intereson fare personi në fjalë dhe as kolegët e tij, drejtorët e tjerë të ‘Demokracisë’,  cilëtdo qofshin e të kujtdo qofshin; po ashtu, as që më vjen të shtyhem më tej për ndonjë investigim, se atje janë bërë punët çorap dhe abuzimi është kthyer në piramidë, kështu që pa le se ku e ka vendin drejtori në fjalë tek ajo piramidë. Ai dhe ata që kërcejnë nga njëri post në tjetrin, nga njëra drejtori në tjetrën, janë thjesht për të qeshur; e kanë vizatuar veten të ‘kapur’ tashmë. (“Demoni i luksit e kafshoi në zemër.” Balzak) E para gjë që ne mendojmë e praktikojmë, në çdo hap të këtij profesioni, është sensibilizimi i njerëzve; për akraballëqet e individëve, të qeverisë e të shtetit. Dhe këtu, problemi është që shumica e ‘Drejtorëve të Demokracisë’, duke filluar nga viti ‘92 e këtej, janë prezantuar për  ne jo thjesht si mëtonjës të vegjël, jo thjesht si servilë e puthadorë të shefave të mëdhenj, por si vemje që s’i shqiten sistemit shtetëror, janë betonuar si modele, si poste  të ndërmjetme, si kafshata politike; madje ata dhe zotërit e tyre kanë krijuar precedentin e turpit e të frikës për këdo që mund të aspirojë me ndershmëri apo i takon (profesionalisht)  të bëhet drejtor. Në këtë ‘histori’ që po përpiqem ta rrëfej me paanësi, zënë vend edhe episodet e trishta të dy të njohurve të mi, me të cilët kam pasur njëfarë miqësie, qoftë edhe të përkohshme. Para disa viteve, këta të dy më ankoheshin: njëri për djalin dhe tjetri për dhëndrin. Të dy, i kishin bijtë drejtorë në dikastere të rëndësishëm të shtetit (në daçi, të paloshtetit). Të dy ishin çuar në këto punë (punë?) të ‘zgjedhur’ nga  Partia. I pari e kishte  djalin te Doganat dhe, siç më thoshte, e pat këshilluar atë të hapte sytë se, shiko, shtonte i shkreti, kalon  maunet  Kryeministri a ndonjë tjetër i PD-së dhe ta hedhin ty, i dyti e kishte dhëndrin në KESH dhe, sipas tij, doemos që e emëroi atje partia, pasi  ia kish bërë të qarta ‘detyrat’, domethënë se ç’duhej  të ‘prodhonte’ për partinë dhe  për mirëbërësin. Në rastin tonë, që të kthehemi te ‘gonxhet’ e Rilindjes, drejtorin gjithashtu mund ta ketë çuar atje partia; por mbase e kanë çuar edhe vlerat e tij; më në fund, mbase e ka pikuar në atë post vetë kryeministri, të cilit nuk po ia shkruaj ofiqin me shkronjë të parë të madhe, se nuk e meriton më, për shkak të zullumeve; (sidomos ato me shkatërrimet dhe  ndërtimet galopante katastrofike  në kurriz të jetës dhe qytetarëve të kryeqytetit). Nga ana tjetër, raportet e tiranëve, apo të autoritaristëve (e zbuta disi) me mbështetësit e tyre, janë  ndër fatkeqësitë e njohura të praktikës qeverisëse. Kjo është mëse e ditur, pse duhet të ndryshojmë  ne nga bota. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por  Sanço Pançoja.” F. Kafka). Retrospektivë. Mund të duket e habitshme, por përdorimi i drejtorëve dhe miqve për të nxjerrë të ardhura për partinë dhe mirëbërësit, ka qenë një zgjidhje që është aplikuar në të gjitha dikasteret. Kështu ndodhte në Drejtoritë Arsimore, ku lëvrinin miliona. Kështu ndodhte e ndodh rëndom nëpër ministri, në labirinthet e përgojuara të Drejtësisë, po ashtu me tenderat, me rrugët, me përzgjedhjen për deputet, me tekstet e shkollës ku tashmë ka hedhur rrënjë mediokriteti, etj.  Ani. Një lexues i vëmendshëm mund të pyesë: Ja kjo ishte pjesa e sensibilizimit. Çfarë duhet të bëjmë më tej? Këtu gjithnjë bëhet i vështirë vazhdimi, sepse njëfarësoj është lëkundur besimi në korrigjimin e anomalive tipike shqiptare. Por them se në rastin më të parë duhet t’i përballim me argumente e mandej t’i rrëzojmë padronët; edhe drejtorët që flirtojnë me ta. Duhet t’i rrëzojmë me votë. Me opinion. Me braktisje. Me ndërrim kursi. Me kundërshtime civile. Duhet t’i rrëzojmë duke hapur rrugë për të tjerë  që një Zot e di ç’mund të bëjnë më mirë. (“T’i thuash të gjitha, është e pamundur.” E. Sabato)