Vangjel Tavo: Vaksinat kanë hyrë si kontrabandë

373
Sigal

sh-deputeti i LSI-së Vangjel Tavo flet në një intervistë për  “Standard” mbi zhvillimet e fundit politike dhe sociale në vend. Si ish-ministër shëndetësie, Tavo komenton edhe nisjen e fushatës së vaksinave në Shqipëri, ku kritikon fort mënyrën se si qeveria e përdori këtë proces. Po ashtu Tavo flet edhe mbi problematikat që hasen në qarkun e Gjirokastrës ku është i delehguar nga LSI si drejtues politik, ndërsa flet me siguri për një fitore spektakolare të koalicionit të Opozitës së Bashkuar në 25 prill. I pyetur mbi lajmet në qarkullim në disa media për një largim të mundshëm të tij nga LSI, Tavo theksoi se: “Këto diversione të vjetra të sektit të ‘rilindjes’ për largime apo sabotime nuk pijnë më ujë dhe nuk e shpëtojnë dot nga largimi i sigurtë më 25 prill.”.

Në Shqipëri një ditë më parë nisi vaksinimi anti-Covid, ku përmes një fushate në kufijtë e propagandës, kryeministri ishte i dyti në radhë që e mori. Kreu i qeverisë nuk pranoi të jepte informacion për vendin që i dha vaksinat, ku mister mbeti edhe mënyra se si erdhën. Cili është komenti juaj?

Çdo produkt që hyn në Shqipëri shoqërohet me certifikatë origjine, cilësie etj. Është detyrim i qeverisë të informojë shqiptarët, kur aq më shumë bëhet fjalë për Vaksinë (medikament) që lidhet me shëndetin e njerëzve. Vaksinat kanë hyrë si kontrabandë në mënyrë misterioze. Interpoli ka nxjerrë alarmin për vaksina false por shqetësime ka patur edhe për rastet e përdorimit jashtë destinacionit. Qeveria bëri “show” dhe propagandë të shëmtuar me 975 vaksina. Kjo së pari tregon dështimin e qeverisë pasi është një numër jashtëzakonisht i vogël por u përdor edhe për qëllimin të krijojnë sensacion për të hequr vëmendjen e opinionit nga skandalet e njëpasnjëshme, përmbytja, gostia e turpshme e Dubait, aferat me portet dhe bregdetin shqiptar, dhe mega-skandalet e mëdha që e karakterizojnë sektin e “rilindjes.” E gjithë kjo propagandë e qeverisë është absurde dhe e papërgjegjshme. Kjo qeveri e nisi me afera dhe po e mbyll me afera dhe turp galopant.

Prej ditësh vendi ndohet nën pushtetin e ujit. Reshjet e shumta të shiut kanë krijuar probleme thuajse në të gjithë Shqipërinë, ku kanë krijuar probleme për pronat e mjaft qytetarëve, ndërsa në disa zona rrezikohet edhe jeta e banorëve. Si e vlerësoni problematikën dhe cili është qëndrimi juaj mbi punën e qeverisë në këtë aspekt?

Teksa vendi ishte nën pushtetin e ujit, e gjithë qeveria darkonte në Dubai me 700 euro pjata. Kjo është qeverisja e “rilindjes.” E papërgjegjshme dhe korruptive pasi investon miliarda në koncensione dhe PPP në sektorë dytësorë ndërkohë që prioritetet parësore që kanë të bëjnë direkt me jetën e qytetarit nuk janë aspak në vëmendjen e pushtetit qendror dhe vendor. Në qarkun e Gjirokastrës nuk ka patur asnjë investim në infrastrukturë në këto katër vite dhe rilindja hoqi nga puna specialistët duke i zëvendësuar me militantët. Kjo është një qeveri aferash dhe jo një qeveri që mendon për njerëzit e thjeshtë ndaj edhe duhet larguar sa më parë.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë kanë denoncuar se pjesë e marrëveshjes së Dubait ishte rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në Vlorës, Sarandë e Ksamil si edhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Sipas denoncimit, të gjithë këto zona me një potencial të jashtëzakonshëm janë tashmë objekt ndarjeje e shitjeje, pa asnjë konkurrim. Për ju, cfarë përfaqëson një marrëveshje e tillë?

Në 100 ditët që i kanë mbetur, “rilindja” po shet çfarë të mundet dhe çfarë ka mbetur për t’u shitur për përfitime të vetat financiare dhe elektorale. Propagandon se do bëjë brenda 100 ditëve atë që nuk ka bërë në 8 vite. Por qytetarët nuk i besojnë më këto premtime pasi janë thjeshtë gënjeshtra. Për më tepër portet e vendit kanë statusin e zonave të sigurisë kombëtare dhe afera të tilla cënojnë rëndë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë rëndë vendin dhe pasuritë e vendit si në Përmet ashtu edhe në bregdet apo pika portuale. Qeverisjes së skandaleve i shtohen skandale çdo ditë ndaj edhe 25 prilli është një ditë e rëndësishme për t’i dhënë fund kësaj qeverisje të keqe, më të keqen në 30 vitet e fundit.

Jeni caktuar nga LSI si drejtues politik për qarkun e Gjirokastrës. Cilat janë problematikat me të cilat haset Gjirokastra dhe çfarë alternativa zgjidhjesh ofron LSI në programin e saj për to?

Qarku i Gjirokastrës gjendet në mjerim të thellë. Kushte të vështira ekonomike dhe papunësi e madhe. Duhet qartë dita-ditës se “rilindja” qëllimisht po e izolon qarkun e Gjirokastrës, po e rrënon dhe po e zbraz me një plan të qartë dashakeq. Pasi largoi nga Gjirokastra të gjitha institucionet: Drejtoria Rajonale e Bujqësisë; Drejtoria Rajonale e Arsimit; Arkivi; Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial; Drejtoria e Peshëmatjeve (DPM); Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujerave dhe Turizmit (ISHMPUT), shërbimi i Extensionit (këshillimit të fermerëve) duke lënë pas dore fermerët, etj, së fundmi po i heqin edhe një shërbim tjetër Gjirokastrës duke e kthyer Spitalin në Gjirokastër bashkiak, me shërbime të kufizuara, dhe duke caktuar si spital rajonal për të gjithë jugun Spitalin e Fierit. Banorët e Gjirokastrës do detyrohen të shkojnë në Fier për të marrë shërbimet shëndetësore. Por nuk mbaron me kaq. Po bëjnë gati dhe institucione të tjera që do t’ia heqin Gjirokastrës. Ky është plan dashakeqës dhe diskriminues.

“Rilindja” e ka mjeruar këtë qark me qëllim dhe kërkon ta izolojë. Ta kthejë nga zemra e jugut tē Shqipërisë në një xhep e provincë të humbur. Më 25 prill “rilindja” do largohet përgjithmonë. Të gjitha institucionet dhe drejtoritë rajonale që “rilindja” i largoi do kthehen sërish në Gjirokastër dhe jo vetëm do rihapen vendet e punës por do jenë në numër më të madh. Dhe spitali i Gjirokastrës do mbetet rajonal e do ketë investime dhe jo në këtë gjendje që është sot. Mjerim, shpopullim dhe shkatërrim. Ky ishte shpërblimi që u dha “rilindja” votuesve që i besuan. Gjirokastra u shkretua prej marrësisë së “rilindjes”. Qyteti i UNESCO-s u braktis. Njerëzit po largohen çdo ditë. Më 25 prill, të gjithë së bashku, njerëz të thjeshtë dhe socialistë të ndershëm, t’i kthejmë dinjitetin Gjirokastrës dhe ta zhvillojmë, me vende pune, dhe ta nxjerrim nga mjerimi që solli sekti malinj i “rilindjes.”

Nga takimet në terren me bazën dhe qytetarë të ndryshëm, cilat janë pritshmëritë e LSI-së në qarkun e Gjirokastrës për 25 prillin?

Qytetarët, fermerët, bizneset, rinia, pensionistët etj janë në kushte tejet të vështira të mbijetesës. Pakënaqësi ndaj qeverisë është një fjalë e moderuar për këtë rast, pasi fjala më e duhur është zemërim dhe urrejtje pasi janë braktisur totalisht. Të zhgënjyer me deputetët e “rilindjes” që shfaqen në Gjirokastër vetëm në prag zgjedhjesh. Por askush nuk do i besojë më gënjeshtrat e tyre. LSI do arrijë një rezultat spektakolar në qarkun e Gjirokastrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Qeverisja e re do jetë një qeverisje e popullit, nga populli dhe për popullin e cila do i kthejë Gjirokastrës dinjitetin dhe rëndësinë që meriton.

Në disa media është përngjitur emri juaj me atë të ish-minsitrit Nasip Naço, duke pretenduar se shumë shpejt do largoheni nga LSI. Cili është komenti juaj mbi këto lajme?

JO. Vangjel Tavo nuk largohet nga LSI. Jam më shumë se kurrë i përkushtuar për largimin e sektit të ‘rilindjes” që nuk përfaqëson socialistët e thjeshtë por vetëm një grup shushunjash që thithin gjakun e familjeve të thjeshta. Këto diversione të vjetra të sektit të ‘rilindjes’ për largime apo sabotime nuk pijnë më ujë dhe nuk e shpëtojnë dot nga largimi i sigurtë më 25 prill. 25 prilli është një datë e rëndësishme pasi i jepet fund një herë e përgjithmonë këtij sekti malinj që varfëroi shqiptarët, zhyti vendin në mjerim, shpopulloi vendin, largoi rininë, dhe pengoi integrimin e vendit në familjes evropiane.