Vangjel Tavo: Një piktor që ka në dorë shëndetësinë

172
Sigal

Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, thotë se shifrat e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë nuk kanë qenë asnjëherë të vërteta. Sipas tij, ato janë përdorur nga kryeministri Rama për të fshehur situatën reale dhe për t’u shitur shqiptarëve një sukses që në të vërtetë është i rremë. Në një intervistë për gazetarin Nertil Agalliu në studion e emisionit “Në fokus”, Tavo tha se Rama ka de fakto rolin e kreut të Komitetit të Ekspertëve.

“Asnjëherë grafiku që ka paraqitur qeveria nuk ka qenë serioz. Është normale që të ketë rritje pas hapjes. Ka pasur keqinformim të popullatës për rastet e infektuara me Covid. Rastet e para për të fshehur realitetin dhe për të nxjerrë në pas suksesin imagjinar të qeverisë. Prandaj bëhet testimi vetëm në dy laboratore, ISHP dhe QSUT, vetëm e vetëm që të mos dalë e vërteta. Ka bërë izolimin total të popullsisë, por ka lënë call centerat dhe fasoneritë të hapura. Është ngritur një komitet ekspertësh, por në fakt kryeeksperti ishte ai që dilte mëngjes-drekë-darkë në televizor dhe bënte deklarata mbi situatën si të ishte mjek dhe jo piktor”, tha ai.

Sipas Tavos, qëllimi i paraqitjes së një situate tjetër nga ajo që ka qenë e vërtetë është mbulimi i abuzimeve të qeverisë.

“Kemi një njeri që ka mbushur opinionin publik me lajme të rreme, vetëm për të justifikuar vjedhjet galopante të qeverisë, tenderat abuzivë dhe aspak transparentë, pagesat e ndryshme disa miliona euro për koncesione dhe kulmi ndërhyrja në orët e para të mëngjesit për të prishur Teatrin Kombëtar”, tha ai.

Tavo tha se Rama është i vetmi kryeministër që doli në ekran gjatë gjithë kohës, duke lënë në hije mjekët dhe profesionistët e shëndetësisë.

“Kur lihet në dorë të një piktori të merret me shëndetësinë është qesharake. Keni parë ju kryeministër tjetër të dalë në ekran mëngjes drekë-darkë dhe të bëjë deklarata shtypi përditë? Jo, janë ekspertët që e bëjnë këtë. Në Shqipëri del kryeministri”, tha ai.

I pyetur në lidhje me rolin e opozitës parlamentare, Tavo tha se deputetët e rinj vetëm të opozitë nuk mund të quhen, pasi kanë votuar në mënyrë të verbër çdo projektligj që qeveria ka çuar në Parlament.

“Janë të jashtëligjshëm, por sot janë në Parlament. Këta deputetë që kanë hyrë si pjesë e opozitës, vetëm opozitë nuk kanë bërë. Kanë votuar në mënyrë të verbër çdo projektligj të paraqitur nga maxhoranca. Janë kthyer në marioneta të kryeministrit. Kanë votuar edhe për projektligje antikushtetuese”, tha ai.