Projekti i artistëve: Rikonstruksion, jo shembje e godinës

662
Prezantohet propozimi që parashikon krijimin e një holli të kristaltë mes dy teatrove. Kosto, 10 milionë euro
Artistët paraqitën një projekt të tyre për rikonstruksionin e godinës së Teatrit Kombëtar. Ata janë unifikuar në qëndrimin e tyre për të mos e shembur godinën ekzistuese, por ta rikonstruktojnë atë duke e bërë funksionale, në të njëjtën kohë të ruajnë dhe vlerat e trashëgiminë kombëtare. Artistët kanë paraqitur variantin e tyre për Teatrin Kombëtar, si alternativë ndaj projektit të paraqitur nga qeveria për një gjë të tillë, duke mbështetur variantin e rikonstruksionit, e jo atë të shembjes. Arkitekti Vladimir Bregu tha se projekti është një kompromis mes stilit të arkitekturës ekzistuese dhe një godine të re. Arkitekti tha para komunitetit të artistëve se midis dy teatrove do të krijohet një glob kristali. “Ne duam që mes dy teatrove të krijonim një holl i kristaltë, që do t’i jepte shumë dritë zonës”, u shpreh arkitekti Vladimir Bregu, duke shtuar se “e gjithë kjo nuk është vetëm një Teatër Kombëtar, por një kompleks teatror”. “Teatri i rikonstruktuar do të ketë dy hyrje. Ky mund të shkojë 10 milionë euro bashkë me rikonstruktim. Teatri i Teatri i rikonstruktuar do jetë me 4 kate. Veshja e jashtme e teatrit do jetë prej metali e xhami. Salla do jetë me sistem të kondiconuar dhe me të gjitha parametrat”, u tha gjatë prezantimit nga arkitektët Vladimir Bregu, Drilon Zaimi dhe Ejona Belegu. Sipas propozuesve, teatri i rikonstruktuar do të jetë me 4 kate dhe do të ketë 2 hyrje. Ndërsa salla do të jetë me 8 hyrje dhe 460 vende për publikun. Kostoja mund të shkojë deri në 10 milionë euro, bashkë me rikonstruksionin. Përparim Kabo, një prej mbështetësve të kauzës për mosshembjen, përveçse ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar bëri thirrje edhe për mosprishjen e Teatrit të Kukullave, pasi edhe ajo përfaqëson histori, duke qenë godina e parlamentit të parë shqiptar. 

Projekti i qeverisë
Më 12 mars qeveria prezantoi projektin e saj, të ideuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, “Bjarke Ingels Grop”, me qendër në Danimarkë. Sipas qeverisë ai ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vet publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën. Sipas hartuesve, projekti gjithashtu garanton një akses të këmbësorëve që udhëtojnë nga rruga “Sermedin Said Toptani”, në rrugën paralele me të. Nga planimetria e projektit, Teatri i ri nuk do ketë kullë, por zona përreth do të pësojë ndryshime dhe është konceptuar si një bllok ndërtimesh me apartamente dhe biznese. Hyrja kryesore në teatër është e mundur përmes shëtitores “Murat Toptani”, ndërsa hapësira e sheshit publik në nivelin përdhes, siguron hyrje të mbuluar në teatër, së bashku me hapësirën publike për mbledhje ose argëtim. Godina është organizuar me dy pjesë, ku njëra i është dedikuar tërësisht administratës e aktorëve dhe pjesa tjetër publikut.
Sigal