Teatri, artistët marrin mbështetje nga opozita

631
Kryetarja e LSI-së shprehet kundër shembjes së godinës. Aktorët kërkojnë rritjen e fondeve për artin e kulturën
Artistët, të cilët kundërshtojnë prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, morën dje mbështetjen e opozitës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë një takimi me aktorët, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, u shpreh se iniciativa e frikshme dhe e çmendur e qeverisë aktuale për zhbërjen e artit dhe për shkrirjen e saj apo për ta kthyer artin tonë kombëtar në një PPP është një tradhti kombëtare. “Arti, kultura dhe trashëgimia jonë kulturore janë vlera që lënë pas politikën. E lënë jo një hap, por qindra mijëra hapa pas këtë politikë që në këto 27 vite tranizicion ka prodhuar vetëm konflikt. Nuk dua ta ekzagjeroj por gjëja më e tmerrshme që mund t’i bësh një kombi është t’i shkatërrosh kulturën, artin, historinë, dhe çdo fjalë e imja është shumë e tepërt në atë bashkëbisedim që patëm me miqtë tanë dhe nuk më mbetet gjë tjetër jo vetëm në emër të LSI-së, por edhe të qytetarëve, mua më kanë në rresht të parë në momentin e ardhjes së ruspave për të prishur Teatrin Kombëtar”, tha Kryemadhi. Sipas saj, arti është një nga fushat që subvencionohet më pak nga të gjitha dhe një nga fushat e jetës që diskriminohet më shumë nga të gjitha. “Ne jemi të revoltuar, sepse sot jemi politikanë nesër do të jemi qytetarë si gjithë të tjerët, do të jemi teleshikues të filmave që çdo ditë dhe më shumë po jepen më pak filma shqiptar për shkak të mungesës së investimit. Do të jemi spektatorë të Teatrit dhe do të jemi si qytetarë, nuk do të jemi si politikanë, por nëse ne nuk do të kemi vendin ku do ta shikojmë dhe shijojmë Teatrin do të jetë shumë e pamundur”, nënvizoi Kryemadhi. Ajo premtoi se LSI do të jetë hap pas hapi me artistët dhe jo vetëm për mosshembjen e teatrit, por edhe për ligjin e domosdoshëm. Gjithashtu, drejtuesja e LSI-së premtoi mbështetje për rritjen e buxhetit për artin dhe kulturën. ”Shqiptarët nuk krenohen me politikën tonë, shqiptarët janë krenuar me artistët tanë, me artin, me kulturën, me traditën dhe kjo politikë edhe këtë pak vlerë me të cilën ne krenohemi jashtë kufijve të Shqipërisë kërkon që ta prishi, kështu që na keni në krahë, jemi me ju dhe jemi të gatshëm për çdo gjë që ju e keni të nevojshme”, u shpreh Kryemadhi në takimin me artistët. Nga ana e tyre, njerëzit e artit kërkuan mbështetje, jo vetëm për godinën e Teatrit, por edhe për zhvillimin e artit në përgjithësi. Takimi i aktorëve me kryetaren e LSI-së pasoi bisedën e tyre me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Krerët e opozitës kanë premtuar mbështetje për të moslejuar prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nga ana e saj, qeveria prezantoi një projekt të një studioje të huaj për godinën e re të Teatrit, ndërkohë që në zonën rreth tij parashikohet edhe ndërtimi i disa kullave. Më pas, ministrja e Kulturës deklaroi se nuk kishte një projekt, por thjesht një ide. 
Deklaratat për Teatrin Kombëtar
Robert Budina: Rritje e buxheteve për artin
“Jemi një grupim artistësh, të cilët janë të shqetësuar për shembjen e Teatrit Kombëtar. Shembjen e Teatrit Kombëtar nuk e shohim thjesht si një shembje ndërtese, e shohim për më tepër si një simbolikë. Me shembjen e tij fillon shembja e të gjithë institucioneve të kulturës në Shqipëri, ndaj ne duke mbrojtur atë, kemi mbrojtur kulturën njëkohësisht. Deri më sot, buxhetet për kulturën kanë qenë shumë të mangëta dhe kjo i ka futur artistët në një krizë mbijetese. Mënyra se si është konceptuar në këto vite kultura në Shqipëri ka sjellë një krizë të jashtëzakonshme te artistët. Ne kemi ardhur dhe po bëjmë një lobim me të gjitha krahët e politikës për të folur, jo thjesht për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, por për rritjen e buxheteve. Një rritje strategjike të buxheteve, jo thjesht rritje në shifra, por njëkohësisht kërkon nga ne artistët një ndërgjegjësim që të jemi të aftë të thithim këto buxhete dhe t’i vëmë ato në funksion të rritjes së imazhit që Shqipëria ka në botë me anë të kulturës. Për mendimin tim një bashkëpunim me politikën, kjo do ta bënte shoqërinë më të mirë. Kjo që ne po fillojmë, është një proces që mund të zgjasë me vite dhe kërkon që ne të jemi vazhdimisht në kontakt për të diskutuar problematikat që ka arti, sepse ne mund ta mbrojmë Teatrin Kombëtar, por nëse teatri nuk i është vendosur në ligj, ai nesër nuk do të funksionojë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për teatrin dhe kinematografinë, por bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore, bëhet fjalë për të gjithë kulturën në përgjithësi, që sot, siç tha dhe znj. Kryemadhi në kuadër të politikës së PPP-së, kam përshtypjen se po privatizohet. Dhe një teatër i privatizuar, sidomos në Evropë, e cila mbron me fanatizëm me financimet publike kulturën e saj, do të tjetërsohet. Arti nuk i përket një pale politike, apo një pale tjetër, por i përket kombit shqiptar. Artistët nuk janë të përçarë, bëhet diversion me artistët, por në një pikë bashkohemi të gjithë, rritje strategjike të buxheteve, krijimin e një sistemi që i fut të gjithë artistët brenda, dhe gjithsecili jep kontributin me anë të skemave konkurruese. Kjo na ka bërë që ne të komunikojmë me të gjithë palët e politikës dhe nga LSI morëm garancinë që artistët të bëhen pjesë e kësaj politike, të jemi pjesëmarrës, të kemi autonominë tonë dhe të vijmë vazhdimisht me ide, që këto ide që ne hedhim t’i kthejmë në realitet dhe në gjëra konkrete”. 

Kastriot Çipi: Ministria e Kulturës, qëndrim refraktar
“Ne shpresojmë që sot ka filluar një kapitull i ri në marrëdhëniet midis komunitetit të artistëve dhe politikës. Ky është takimi i dytë brenda pak ditëve që ne bëjmë, pas takimit me kryetarin e PD-së z. Basha. Besoj që do të vazhdojmë me takimet me të gjithë faktorët politikë që natyrisht e pranojnë dialogun. Dua të theksoj se sot janë mbushur dy muaj nga fillimi i protestave tona dhe ende nuk e kemi një takim me ministren e Kulturës, e cila e ka refuzuar në mënyrë refraktare. Kryeministrit nuk i kemi kërkuar takim, përderisa ministri i tij nuk pranon të na takojë. Besoj që sot ka filluar një kapitull i ri, sepse biseda sot ka qenë shumë produktive, shumë e hapur. Komunikimi ka qenë shumë i thjeshtë dhe joformal, dhe kemi gjetur mirëkuptimin e LSI-së, duke filluar me pranimin e asaj pjese të gabimit që i takon LSI-së në raport me Teatrin Kombëtar, që natyrisht nuk është pjesa më e madhe e fajit që ka politika. Sepse ky është një problem që zgjat prej 20 vjetësh. E rëndësishme është që do të shikojmë këtej e tutje në frymën e bashkëpunimit çfarë kemi për të korrigjuar, si ne, si politika. Edhe ne artistët kemi pjesën tonë të përgjegjësisë, sepse kemi kundërshtuar politika qeveritare, por nuk kemi propozuar politika dhe strategji të qarta që t’i imponohemi politikës me zgjidhjet tona, me alternativat tona. Ky do të jetë një moment i mirë dhe besoj që ky dialog fillon sot, por nuk mbaron sot, duhet të jetë i hapur. Morëm garancinë që do të jemi pjesë e diskutimeve në të ardhmen që përfshin kuadrin ligjor dhe hartimin e një buxheti më të madh. Sot buxheti i artit dhe kulturës është katër herë më i vogël se në Maqedoni. Sot arti dhe kultura i kushton taksapaguesëve shqiptarë më pak se sa pallati i hedhur në erë në Vlorë vitin e kaluar. Kjo do të thotë se nëse kryeministri do të vendosë të mos hedhë asnjë pallat të ri vitin që vjen, buxheti i kulturës mund të dyfishohet. Ne i kemi kërkuar LSI dhe kemi gjetur mirëkuptimin e saj që të ketë një hetim parlamentar për të gjitha abuzimet e ish-ministrit të Kulturës, ish-kryetarit të bashkisë sot kryeministrit Edi Rama në raport me Teatrin Kombëtar. Është një histori 20-vjeçare, e pazbardhur në rrugë ligjore, dhe unë besoj se nëse do të ketë një hetim të ndershëm dhe të plotë, Edi Rama do të ketë punë me drejtësinë, do të ketë shumë punë me drejtësinë. Dua të falënderoj të gjithë përfaqësuesit e LSI që ishin në takim”.

Arben Derhemi: Qeveria, dëshirë për të vjedhur një pronë
“Çështja e parë është çështja e artit dhe kulturës, sepse nëpërmjet shkatërrimit të artit dhe kulturës ai po shkatërron inteligjencën e këtij kombi, identitetin kombëtar të këtij kombi dhe në momentin që bën këtë, ai ka për borxh të shkel këdo që i del përpara. Ky është një perversitet moral, nuk është çështja se po shkatërron Teatrin Kombëtar dhe ne nuk kemi problem thjesht me godinën e Teatrit. Çështja është në parim. Shkatërrimi i artit dhe kulturës është momenti i fundit që ky po i bën këtij populli. Akti i fundit moral i këtij njeriu, ky është. Nuk e gjej dot as figurativisht nuk e gjej dot. Projekti i artistëve është një projekt i një studioje arkitekturore shqiptare për rindërtimin e teatrit. Ne nuk po e paraqesim atë që të themi ky është edhe nuk ka tjetër. Ai po paraqitet nga dikush që tregoi që ka gjëra shumë më të mira sesa ai projekti që na u paraqit neve. Që doli pastaj që ishte një gënjeshtër e madhe, një vjedhje e madhe, një plagjiaturë e pushtetit dhe mbi të gjitha e Edi Ramës, i cili e mori me vrap atë burrin nga Danimarka, e zgjoi nga gjumi dhe i tha hajde shpejt se duhet të prezantoj një projekt. Dhe ky projekt i Teatrit Kombëtar nuk lindi si dëshirë e qeverisë për të rindërtuar Teatrin. Lindi si dëshirë për të vjedhur një pronë dhe për ta bërë kullë. Dhe rastësisht ai vend ishte i Teatrit Kombëtar. Duhet ruajtur historia e këtij kombi se është një histori 75-vjeçare. Në atë vend janë krijuar të gjithë institucionet artistike shqiptare. Mbas 75 vjetësh do jetë një histori 150-vjeçare. Ajo zyrë arkitekturore e ka bërë dhe preventivin dhe i gjithë preventivi për ndërtimin e një Teatri të ri në mes të atij ansambli ekzistues të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental do të jetë dhe një godinë tjetër dhe e gjitha kjo shkon diku rreth 12 milionë dollarë. Kështu që edhe me shifrat e tmerrshme që na japin këtu që Teatri kushton 35 milionë-70 milionë, të gjitha këto janë një sajesë e madhe, për të gënjyer dhe për të treguar që ne nuk kemi lekë”. 

Bujar Asqeriu: Politikanët të dorëzojnë paratë
“Politikanët i kanë fshehur, se di ku i kanë futur lekët. T’i dorëzojnë në thesarin e shtetit. 
E para, lajnë mëkatet dhe ta tregojnë njëherë veten burra, si Rilindësit, si burrat e Rilindjes që shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa këta shkrinë pasurinë e shtetit për veten. Do shihni jo një teatër, por 10 teatro. 

E dyta, jam i sigurt se diaspora jonë, shqiptarët që punojnë në gjithë botën, po t’i bësh thirrje të japin nga 5 euro, reagojnë. Jam i bindur që s’ka shqiptar dhe biznes që mos të paguajë 5 euro. Kështu shteti shqiptar vë në dijeni dhe se si punojnë shqiptarët. Arka për të ndërtuar një teatër, jo në këtë vlerë, por do të bëhet. Ju falënderoj për përkrahjen, teatri është i Tiranës, i shqiptarëve, i qytetarëve. Ndaj ta duam se sot dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për ndjesi dhe shpirt!”

Përparim Kabo: Teatri është tempulli i qytetit
“Jemi të shqetësuar të gjithë se thuhet se kjo godinë duhet të shembet. Nëse Rama kur i tha këto fjalë duhet të kishte bërë një parantezë: ‘Me dhimbje e themi se kjo duhet shembur’. Kështu do ishte më ndryshe. Por mënyra sesi u tha, ishte cinike, pse duhet ta shembni këtë godinë? Ky arkitekt që vjen nga Hamleti nga Damimarka, a shembni teatrin ju atje? Pse duhet shembur kjo godinë? Kjo nuk është godina e artistëve, është tempulli i qytetit është historia e kombit. A e dini ju zotërinj të Parlamentit që po heshtni? “Kujtesa ka gjithmonë të drejtë”, thoshin hebrenjtë. Ata nuk kanë hyrë dhe nuk kanë parë asgjë në këtë godinë. Ju 140 deputetë nëse nuk i keni parë këto vepra, nuk ju vjen keq. Nëse një klasë politike nuk kalon nga teatri, ajo është një shkollë mjerane. Unë e kam thënë hapur, nëse kjo shembet, unë them shembet nga ministrja e Kulturës dhe nga Parlamenti. OJF-të që ngopen me paratë e donatorëve të mos ngopen, por të vijnë këtu dhe protestojnë. Përveç një vlerë arkitektonike është një vlerë artistike. Nuk duhet të prishen këto godina.”
Sigal