Vangjel Tavo: Ja e vërteta se si “Rilindja” falimentoi sistemin arsimor dhe universitar në vend

207
“Rilindja” vazhdon me mashtrimet e saj për reformat në arsim dhe sistemin universitar.
“Studentët nuk kanë nevojë të ikin jashtë shtetit, por t’i marrin këtu ato diploma” gënjyen dje në sy disa të rinj të Gjirokastrës.
Me gjysmë zëri flasin për reforma dhe duke mos ditur se çfarë të thonë për Universitetin e Gjirokastrës sajojnë përralla, por e vërteta e shkatërrimit të arsimit dhe sistemit universitar nga “Rilindja” është se e vetmja arritje e tyre është zbrazja e klasave dhe auditorëve dhe largimi i rinisë.
Ja faktet nga të dhënat zyrtare:
Për vitin shkollor 2020-2021 janë regjistruar 26 mijë nxënës e studentë më pak se një vit më parë.
Brenda këtij viti në arsimin parauniversitar janë regjistruar 4.6 % më pak.
Në arsimin parashkollor 8,4 % më pak.
Në arsimin 9-vjeçar 2,8 % më pak nxënës.
Në arsimin e lartë 5% më pak studentë të regjistruar.
Janë mbyllur shumë degë studimore.
Ka rënie regjistrimesh në shkenca shoqërore, mësuesi, histori, letërsi, gjuhë të huaja, bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari si edhe në shkenca natyrore, matematikë, statistikë, etj.
Edhe viti i kaluar akademik 2019-2020 nisi me një bilanc tejet të trishtë për sistemin universitar në Shqipëri.
Në të gjitha universitetet e vendit u mbyllën me dhjetëra degë studimi dhe ra ndjeshëm numri i studentëve.
Pati rënie drastike të numrit të studentëve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ku u mbyllën 11 degë, ndërsa disa të tjera u hapën me një numër minimal studentësh.
Një numër më i vogël studentësh u regjistruan edhe në universitetet e Durrësit dhe Tiranës.
Në Universitetin e Vlorës ra drastikisht numri i regjistrimeve dhe u mbyllën 3 degë.
Në universitetin e Gjirokastrës u regjistruan vetëm 505 studentë duke shënuar kështu një rënie të regjistrimeve të studentëve dhe duke bërë të mbyllen 4 degë.
Në disa universitete, degët Matematikë, fizikë, teknologji informacioni dhe gjuhë e huaj italiane, nuk pati të regjistruar asnjë student.
Pati shumë pak prurje në degët e mësuesisë për shkak të mesatares të vendosur nga ministria e Arsimit.
Fizika, Kimia dhe Italishtja nuk kishin asnjë student të Regjistruar në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, për vitin e dytë rradhazi.
Studentët braktisën edhe universitetin e Shkodrës. Zero regjistrime tek Fizika, drejt mbylljes edhe degët e mësuesisë.
Largimi i rinisë, emigracioni në shifra të larta të popullatës në vend dhe cilësia e dobët e arsimit në vend kanë shkaktuar zbrazjen e auditorëve të shkollave, universiteteve dhe vendit.
Kjo është një situatë e paprecedentë për vendin tonë.
Nëse vazhdohet me këto ritme dhe me politikat aktuale të arsimit, punësimit dhe zhvillimit nga ana e kësaj qeverie të dështuar klasat e shkollave dhe universitetet shqiptare do përfundojnë bosh dhe sistemi arsimor dhe universitar shqiptar do pësojë kolaps total.
Nuk mund ta lejojmë këtë tragjedi.
“Rilindja” ka mision ta zbrazë Gjirokastrën dhe mbarë vendin.
Të largojë banorët dhe rininë ndaj edhe largoi të gjitha institucionet dhe drejtoritë dhe e varfëroi qarkun dhe vendin.
Ka mision të largojë shqiptarët dhe të sjellë skllevër të huaj që nuk kërkojnë të drejta themeltare njerëzore.
Ndaj “Rilindja” duhet të shporret sa më parë. Largimi i saj është kthimi i shpresës për Gjirokastrën dhe mbarë vendin.
Të largojmë “Rilindjen” që të shpëtojmë rininë tonë.
Sigal